Rekomandime të përgjithshme për fëmijë të vegjël me mbipeshë dhe obezitet nga viti i dytë e tutje

Pesha e tepërt trupore fitohet më shpesh si pasojë e marrjes së tepërt të ushqimit ose aktivitetit të pamjaftueshëm fizik. Mbipesha çon në probleme të shumta shëndetësore gjatë gjithë jetës dhe duhet të zbulohet dhe të trajtohet në kohë.
Body

Pesha e tepërt trupore shfaqet më shpesh si pasojë e marrjes së tepërt të ushqimit ose aktivitetit të pamjaftueshëm fizik, e rrallë si pasojë e çrregullimeve gjenetike. Edhe ndryshimet në mjedis dhe në mënyrën e përkujdesjes për fëmijën mund të ndikojnë në peshën trupore dhe duhet të merren parasysh me kujdes. Mbipesha çon në probleme të shumta shëndetësore: deformime të kockave dhe nyjave, sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut, sëmundje endokrine, depresion, vetëvlerësim të ulët dhe arritje më të ulëta akademike më vonë në jetë, andaj është e rëndësishme që kjo tepricë të zbulohet në kohë dhe të merren masa për kthimin e peshës trupore brenda trendëve tipik të rritjes. 
Nëse shihni që fëmija juaj ka filluar të shtojë peshë të tepërt, mund ta çoni te mjeku/pediatri për një kontroll, mbase për një ekzaminim më të hollësishëm, por ka disa masa që mund t’i merrni vetë.

Rekomandime për fëmijën e vogël:

  • Sigurohuni që fëmija juaj të ketë numrin e duhur të shujtave dhe ushqim që është në sasi dhe përmbajtje në përputhje me rekomandimet për dietën optimale të përshtatshme për moshën;
  • Inkurajoni atë të hajë më shumë perime shumëngjyrëshe (veçanërisht jeshile të errët, të kuqe dhe portokalli) dhe shumëllojshmëri të frutave të freskëta;
  • Mund t'i jepni lëng frutash natyral vetëm si pjesë e një shujte dhe jo në sasi më të madhe se 120-180 ml;
  • Ofroni fëmijës ujë të pastër kur ka etje në vend të lëngjeve të ëmbëlsuara (çaj të ëmbëlsuar, pije të gazuara, lëngje);
  • Zgjidhni të jepni bukë, pasta dhe drithëra të papërpunuara;
  • Zgjidhni proteina të shëndetshme: mish pule, bishtajore, djathëra me pak yndyrë, etj.;
  • Mund t'u jepni qumësht të pasterizuar me yndyrë të plotë fëmijëve të moshës 1-2 vjeç dhe qumësht të skremuar fëmijëve më të rritur se 2 vjeç;
  • Ofroni një dietë të larmishme dhe të ekuilibruar me ushqime të përpunuara minimalisht;
  • Shmangni dhënien e ushqimeve me shumë kalori dhe kripë (pasta të yndyrshme, messhujta, patate të skuqura) për fëmijën tuaj, të cilat do ta ngopin atë dhe do të ulin oreksin e tij/saj për ushqime më ushqyese; 
  • Shmangni ofrimin e ushqimeve të ëmbla për fëmijën tuaj: ëmbëlsira, biskota, çokollatë, qumësht çokollate;
  • Flisni me fëmijën tuaj për t'ia bërë me dije se ju e mbështetni; 
  • Përqendrohuni në ndryshimin gradual të nivelit të aktiviteteve fizike dhe shprehive të të ngrënit të të gjithë familjes në mënyrë që fëmija të mos ndihet i vetmuar; 
  • Bëhuni shembull pozitiv për fëmijën tuaj;
  • Vendosni rutinat në të ngrënë, aktivitete dhe gjumë, lejojini atij/asaj kohë të mjaftueshme për të fjetur;
  • Kufizoni kohën e qëndrimit para ekranit (tablet, TV, telefon) në më pak se 1 orë;
  • Angazhoni fëmijën tuaj, nëse është më i rritur se 2 vjeç, në aktivitete fizike mesatare dhe intensive, të ndara në intervale më të shkurtra, aktivitete me të cilat fëmija dhe e gjithë familja do të kënaqen dhe të cilat nuk janë shumë të vështira për të (ecje e shpejtë, not, kërcim, lojëra me top, çiklizëm ..) për të paktën 60 deri 90 minuta gjatë ditës.

Adoptoni ndryshimet dhe zakonet e reja që do ta bëjnë të gjithë familjen aktive dhe të shëndetshme!