Ushqimi optimal i foshnjave nga 7 deri në 9 muajsh
Numri i shujtave dhe sasia e ushqimit
Edhe në këtë moshë, qumështi i gjirit mbetet ushqimi më i rëndësishëm për foshnjat dhe siguron gjysmën e energjisë së kërkuar. Vazhdoni të ushqeni me gji fëmijën tuaj sipas kërkesës, si ditën ashtu edhe natën. Ushqimet e ngurta nuk mund të zëvendësojnë qumështin gjatë vitit të parë të jetës. Nuk ka nevojë t'i jepni foshnjës formulë ose formula përcjellëse (të cilat janë qumësht i formuluar posaçërisht për fëmijë më të rritur nga mosha 6 muajsh), pasi qumështi i gjirit me një dietë të larmishme siguron të gjitha lëndët ushqyese për të cilat fëmija juaj ka nevojë. Mos harroni të ushqeni me gji së pari, para se të jepni ushqime të tjera.
Kur i jepni ushqime plotësuese fëmijës suaj, janë gjashtë gjëra të rëndësishme për t'u bërë:
- Shpeshtësia: Ushqeni fëmijën tuaj me ushqime plotësuese 3 herë në ditë
- Sasia: Filloni me 2-3 lugë gjelle në çdo shujtë në muajin e 6-të, duke u rritur gradualisht në gjysmë filxhani, në çdo shujtë
- Trashësia: Jepni ushqime familjare si pure. Në muajin e 8-të, fëmija juaj mund të fillojë të hajë ushqime të vogla
- Shumëllojshmëria: Mundohuni ta ushqeni me një larmi ushqimesh në çdo shujtë. Për shembull: Ushqime me burim shtazor (mish, vezë dhe produkte qumështi), ushqim kryesor (kokrra, rrënjë dhe zhardhokë), bishtajore dhe fara si dhe fruta dhe perime të pasura me vitaminë A (karotë, spinaq) dhe fruta dhe perime të tjera (kungull i njomë).
- Ushqimet me burim shtazor janë shumë të rëndësishme. Filloni me ushqime me burim shtazor sa më shpejt dhe sa më shpesh të jetë e mundur dhe jepini çdo ditë. Gatuani mirë dhe pritni mirë. Foshnjat mund të hanë vezë, mish dhe peshk të zier mirë dhe të prerë imët, edhe nëse nuk kanë dhëmbë.
- Ushqimet si pure dhe qullet duhet të përfshijnë një përzierje të drithërave, perimeve, fasuleve, perimeve rrënjë dhe mishit - mish viçi, peshk, shpezë, vezë, fruta, perime, nëse është e mundur. Mund të shtoni qumësht në këto qulle. Ushqimet e trasha janë më të pasura me energji dhe vitamina dhe do ta ushqejnë fëmijën tuaj më mirë se ushqimet me ujë (si supa). Foshnja ka nevoja të mëdha për energji dhe ushqim dhe një kapacitet të vogël stomaku. Është e rëndësishme që ushqimi të ketë vlerë të madhe ushqyese për fëmijën në një sasi kaq të vogël.
- Messhujta shtesë (ushqim shtesë midis shujtave) të tilla si frutat mund të ofrohen një ose dy herë në ditë.
- Nëse fëmija juaj është ushqyer vetëm me gji, ai/ajo duhet të fillojë të pijë ujë me fillimin e një diete joqumështore. Nevojat për ujë varen nga mosha e fëmijës, numri i shujtave, sasia dhe lloji i ushqimit të ngurtë. Ofroni fëmijës tuaj ujë më shpesh, veçanërisht pas një shujte! Jepni ujë nga një filxhan. Në vitin e parë rekomandohet uji i zier dhe i ftohur.
- Ju lutemi kufizoni ose mos i jepni fëmijës suaj ushqime me sheqer (siç janë ëmbëlsirat apo biskotat), messhujta të skuqura, lëng, çaj ose pije të gazuara. Shmangni dhënien e pijeve me sheqer.
- Nëse për fëmijën tuaj përgatisni ushqim që ka vaj ose yndyrë, përdorni jo më shumë se gjysmë lugë çaji në ditë.
- Çdo javë mund të shtoni një ushqim të ri në dietën e fëmijës suaj.
- Përdorni kripë të jodizuar
- Të ushqyerit e përgjegjshëm: Jini të durueshëm dhe inkurajoni në mënyrë aktive fëmijën tuaj të hajë. Mos e detyroni fëmijën të hajë. Përdorni një pjatë të veçantë për t'u siguruar që fëmija i vogël ha të gjithë ushqimin e dhënë.
- Vëzhgoni fëmijën tuaj dhe reagoni ndaj sinjaleve të tij/saj. Ushqeni fëmijën ngadalë dhe me durim, duke ndjekur ritmin e tij/saj. Provoni kombinime të ndryshme të ushqimeve, aromave dhe formave për të inkurajuar fëmijën tuaj të hajë shujtën e vet. Prisni që fëmija të ndalojë së ngrëni përpara se t'i ofroni përsëri.
- Ndaloni së ushqyeri fëmijën kur tregon se ka ngrënë mjaftueshëm.
- Teksa rritet, fëmija gradualisht zhvillon aftësitë e nevojshme për pavarësi në të ushqyer (marrja e copave të ushqimit dhe futja e tyre në gojë, zgjedhja e ushqimit, përdorimi i takëmit).
- Vendosni rutinat e parashikueshme për shujtat dhe messhujtat. Kufizoni kohën e ngrënies në 15-20 minuta. Ushqeni fëmijën vetëm në një karrige të lartë në tryezë.
- Higjiena: Higjiena e mirë (pastërtia) është e rëndësishme për të shmangur diarrenë dhe sëmundjet e tjera. Përdorni një lugë ose filxhan të pastër për t’i dhënë fëmijës suaj ushqime ose lëngje. Ruani ushqimet që do t’i jepen fëmijës suaj në një vend të sigurt higjienik. Lani duart me sapun dhe ujë para se të përgatisni ushqime dhe të ushqeni fëmijën. Lani duart tuaja dhe duart e fëmijës suaj para se të hajë. Lani duart me sapun dhe ujë pasi të përdorni tualetin dhe pasi të lani ose pastroni pjesën e poshtme të fëmijës.
Ushqimet që duhen shmangur në vitin e parë të jetës
- Mos i jepni mjaltë një fëmije në vitin e parë të jetës
- Qumështi i lopës (si dhe i dhisë, i deleve) nuk rekomandohet në vitin e parë të jetës, sepse përbërja e tij nuk plotëson nevojat e foshnjave dhe mund të kontribuojë në zhvillimin e anemisë. Një sasi e vogël qumështi lope mund të përdoret për të përgatitur qull.
- Shmangni agrumet (limon, portokall, mandarinë) në vitin e parë.
- Mos shtoni kripë ose erëza në ushqimin e fëmijës.
- Gjithmonë kujdesuni për sigurinë e fëmijës: mos i jepni foshnjës kikirikë, kokoshka, fruta të vogla ose rrush të plotë, copa ushqimi të fortë që mund ta mbysin.
Mënyra se si ushqehet një fëmijë
Është e rëndësishme që fëmija të ushqehet me shumëllojshmëri ushqimesh në çdo shujtë. Kjo do të përfshinte fillimin me qull të trashë, dhe gradualisht shtimin e një lloji të puresë të perimeve (kungull, karotë, lulelakër, lakëre bardhë, lakër Brukseli) në qull ose shtimin e puresësë frutave (mollë, banane, dardha, pjeshka). Pas kësaj mund të kaloni në mishin e bërë si pure (mish viçi me pak yndyrë, mish qengji, mish kali, mish derri, mish pule, gjel deti) ose fasule me perime. Fëmija juaj mund t'i pëlqejë disa artikuj ushqimorë më shumë se të tjerët, andaj inkurajoni fëmijën tuaj të provojë ushqime të ndryshme.
- Mos i kufizoni ushqimet për fëmijën tuaj, pasi fëmija juaj ka nevojë për një shumëllojshmëri ushqimesh (d.m.th. proteina, fruta dhe perime, pak yndyrë (d.m.th. vaj perimesh) dhe drithëra në dietë)
- Nëse fëmija juaj zhvillon alergji ndaj një ushqimi, mund ta hiqni atë artikull ushqimor.
- Nëse keni një histori familjare të alergjisë, në këtë rast, mund të futni gradualisht në përdorim një ushqim/ditë për një javë deri në një periudhë 10-ditore.