Adresa ime e kthyer në këngë

Materialet që ju nevojiten: Emri dhe adresa e fëmijës, e printuar me shkronja të mëdha në një copë letër (për momentin mund ta shkruani vetëm adresën e rrugës)

Çka mund të bëni së bashku: Ftojeni fëmijën tuaj ta krijojë një këngë së bashku me ju. ''Kjo do të jetë një këngë e veçantë me emrin TËND dhe adresën TËNDE- vendin ku jetojmë unë dhe ti. Mund ta këndojmë tani së bashku, dhe më vonë mund t'ia këndojmë babait (ose ndonjë anëtari tjetër të familjes)''

Përdorni fjalë të thjeshta si këto në vijim, dhe përshtateni atë në ndonjë melodi të njohur- çfarëdo qoftë:

Unë jam Maria, Unë jam Maria, ky është emri im, ky është emri im!

Unë jetoj në rrugën 3 Lila, unë jetoj në rrugën 3 Lila.

Kjo është adresa ime, kjo është adresa ime!

Këndoni së bashku. Gjatë këndimit mund t'ia tregoni me gisht emrin dhe adresën që janë të shkruara në letër. Përsëriteni këtë gjë shpesh, duke i bërë detyrat e shtëpisë ose kur jeni duke shëtitur. Pas një kohe, fëmija juaj do jetë në gjendje ta këndojë atë vetë.

Çfarë po mëson fëmija juaj: Të diturit e emrit dhe adresës është e rëndësishme pasi që fëmija bëhet gati për të vijuar shkollën. Këngët i ndihmojnë fëmijëve t'i mbajnë shumë gjëra në mend, jo vetëm emrin dhe adresën por edhe shkronjat e alfabetit dhe informata të tjera. Të mësuarit e këngëve përmendësh i ndërton fëmijës aftësitë e të menduarit, dhe të krijosh një këngë së bashku me fëmijën forcon edhe më shumë marrëdhënien tuaj.