Dëmtimi i shikimit
Çfarë është dëmtimi i shikimit?
Shikimi i dobët do të thotë të kesh shikim të dëmtuar që nuk mund të korrigjohet me syze ose medikamente. Gjendja më e rëndë e shikimit të dëmtuar është verbëria.
Çfarë është verbëria?
Një fëmijë konsiderohet ligjërisht i verbër nëse nuk mund të shohë në 6 m atë që një fëmijë me shikim normal mund të shoh në 60 m, ose nëse fusha e tij/saj e shikimit është më pak se 20° në diametër (një person me shikim normal mund të shohë 180°).
Shkaqet e dëmtimit të shikimit
Foshnjat mund të kenë dëmtim të shikimit që në lindje. Mund të ndodhë edhe më vonë si pasojë e sëmundjes, lëndimit ose gjendjes mjekësore.
Shkaqet më të zakonshme të dëmtimit të shikimit janë:
- gjendjet neurologjike që prekin pjesët e trurit që kontrollojnë shikimin (dëmtim kortikal i shikimit)
- gjendjet gjenetike si albinizmi dhe retiniti pigmentoz
- sëmundjet që u ndodhin disa foshnjave që kanë lindur shumë para kohe ose foshnjave që kanë probleme të veçanta gjatë lindjes së tyre
- gjendjet si glaukoma pediatrike ose katarakte dhe kancer si retinoblastoma
- infektimet me viruse të veçanta gjatë shtatzënisë – për shembull, rubella, citomegalovirusi, infeksionet seksualisht të transmetueshme, toksoplazmoza etj.
- problemet strukturore me sytë që kufizojnë shikimin - për shembull, mikroftalmia ose anoftalmia
- dëmtimi ose lëndimi i syrit, i rrugëve që lidhin syrin me trurin, ose me qendrën vizuale të trurit.
Shenjat dhe simptomat e hershme të dëmtimit të shikimit
Fëmijët që kanë dëmtim të shikimit mund të kenë sy që duken normalë. Shpesh, sjellja e fëmijës ose mënyra se si ai/ajo i përdorë sytë mund t'ju bëj të mendoni se ka problem me mënyrën se si fëmija sheh.
Shumica e foshnjave fillojnë të fokusohen në fytyra dhe objekte në moshën 4-5 javësh. Rreth javës 6-8, shumica e foshnjave do të fillojnë të buzëqeshin me fytyrat e njohura dhe gjërat që shohin. Por nëse një foshnjë ka ndonjë dëmtim të shikimit, mund të vëreni se ajo/ai ka vështirësi ta bëjë këtë.
Shenja të tjera që një foshnje mund të ketë një problem me shikimin janë nëse:
- sytë e tij/saj lëvizin shpejt nga njëra anë në tjetrën (nistagmus), rrotullohen ose lëvizin në mënyrë të pavullnetshme
- sytë nuk ndjekin fytyrën tuaj ose ndonjë objekt, ose ai/ajo nuk duket se vendos kontakt me sy me familjen dhe miqtë
- sytë nuk reagojnë ndaj dritës vezulluese që ndizet në dhomë
- bebëzat duken të bardha ose të turbullta dhe jo të zeza
- sytë nuk duken drejt, por të kthyer kah hunda ose të zhvendosur kah jashtë.
Një fëmijë më i madh mund të:
- mbajë gjërat lart afër fytyrës së tij/saj
- thotë se është i/e lodhur ose fërkon shumë sytë
- kthejë ose përkul kokën pjerrët ose mbulon njërin sy kur shikon gjërat nga afër
- lodhet pasi i shikon gjërat nga afër – për shembull, leximi, vizatimi ose loja me lojëra dore
- duket se sheh më mirë gjatë ditës sesa natën
- duket se ka sy të kryqëzuar ose të kthyer ose vëngër (sy dembel)
- duket i/e ngathët – për shembull, ai/ajo mund t'i rrëzojë gjërat ose të marr në thua shpesh.
Diagnoza e dëmtimit të shikimit
Diagnoza e dëmtimit të shikimit zakonisht bëhet nga okulisti.
Efektet e verbërisë
Verbëria mund të prekë shumë fusha si:
- komunikimi,
- luajtja dhe shoqërimi me të tjerët
- të folurit – për shembull, foshnja mund të mos tregojë me gisht nga objektet, kështu që njerëzit rreth tij/saj nuk do t'i emërtojnë këto objekte.
- vonesa në aftësinë për t'u ulur, për të ecur etj.
- vonesa në aftësinë për të lexuar, shkruar dhe për të luajtur me objekte.
Shërbimet e ndërhyrjes së hershme për fëmijët me dëmtim të shikimit
Ndërhyrja e hershme me specialistë të fushës është shumë e rëndësishme dhe mund ta ndihmojë fëmijën të mësojë aftësi të reja dhe të mbështesë zhvillimin dhe komunikimin.
Kujdesi për veten dhe familjen tuaj
Edhe pse është e lehtë të habitesh duke u kujdesur për fëmijën tuaj, është e rëndësishme të kujdeseni edhe për mirëqenien tuaj. Nëse jeni mirë fizikisht dhe mendërisht, ju do të jeni më në gjendje të kujdeseni për fëmijën tuaj.
Biseda me prindër të tjerë mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për të marrë mbështetje. Ju mund të lidheni me prindër të tjerë në situata të ngjashme duke iu bashkuar një grupi mbështetjeje me prani fizike ose në internet.
Nëse keni fëmijë të tjerë, këta vëllezër e motra të fëmijëve me aftësi të kufizuara duhet të ndiejnë se janë po aq të rëndësishëm për ju - se ju kujdeseni për ta dhe për atë që po kalojnë. Është e rëndësishme të bisedoni me ta, të kaloni kohë me ta dhe të gjeni mbështetjen e duhur edhe për ta.