Diabeti i tipit 1
Rreth diabetit të tipit 1
Në diabetin e tipit 1, pankreasi prodhon pak ose aspak insulinë.
Insulina është hormon që natyrshëm ndihmon që glukoza të shndërrohet në energji për trupin. Glukoza është forma më e thjeshtë e sheqerit dhe burimi kryesor i energjisë së trupit. Gjithashtu, insulina pengon zbërthimin e yndyrës.
Kur trupi nuk mund ta kthejë glukozën në energji, glukoza grumbullohet në gjak. Sheqeri i lartë në gjak, nëse nuk trajtohet krijon shumë probleme shëndetësore. Gjithashtu, nivelet e ulëta të insulinës shkaktojnë akumulimin e acideve yndyrore në gjak.
Diabeti i tipit 1 është sëmundje autoimune. "Autoimun" do të thotë se sistemi imunitar i trupit sulmon veten. Në diabetin e tipit 1, trupi sulmon qelizat në pankreas që prodhojnë insulinë për rrjedhojë qelizat ndalojnë së punuari. Diabeti i tipit 1 është i ndryshëm nga diabeti i tipit 2, i cili shpesh lidhet me faktorët e stilit të jetesës.
Shenjat dhe simptomat e diabetit të tipit 1
Zakonisht, simptomat e diabetit të tipit 1 zhvillohen papritmas gjatë një periudhe ditësh ose ndonjëherë orësh. Ato gjithashtu mund të zhvillohen gjatë javëve.
Shenjat dhe simptomat e hershme të diabetit të tipit 1 përfshijnë:
- urinim të shpeshtë dhe/ose lagie të shtratit nga fëmija, që më parë nuk e bënte këtë gjë;
- rritje të etjes dhe dëshirës për të pirë më shumë se zakonisht;
- humbje peshe;
- lodhje;
- ndryshime të humorit ose rritje të nervozizmit;
- shikim të turbullt.
Disa shenja ose simptoma të tjera të mundshme përfshijnë:
- frymëmarrje me aromë frutash;
- mëllenjë orale, mëllenjë vaginale ose infeksione të lëkurës;
- uri ekstreme;
- dehidratim.
Gjithashtu mund të vëreni se në krahasim me të zakonshmen niveli i performancës së fëmijës në shkollë ka rënë, sepse nuk ndihet mirë.
Pasi diabeti shfaqet shpejt dhe simptomat e hershme të diabetit të tipit 1 nuk zbulohen e trajtohen, fëmija gjithashtu mund të përjetojë të përziera, të vjella dhe dhimbje barku.
Kur ka nivele të larta të sheqerit në gjak, veshkat përpiqen ta nxjerrin atë me urinës. Kjo është arsyeja pse fëmijët me diabet të tipit 1 mund të urinojnë më shumë. Për shkak se trupi prodhon shumë urinë në përpjekje për të hequr qafe sheqerin, ai gjithashtu përdor dhe humb shumë ujë. Për këtë arsyeje fëmijët mund të dehidratohen.
A ka nevojë fëmija të vizitojë mjekun për simptomat e diabetit të tipit 1?
Po. Nëse fëmija ka disa ose të gjitha shenjat dhe simptomat e diabetit të tipit 1 të listuara më sipër, rekomandohet menjëherë të konsultohuni me mjekun.
Fëmija me diabet të tipit 1 shumë shpejtë mund të sëmuret shumë. Thirrni ambulancë nëse vëreni ndonjë nga simptomat e mëposhtme tek fëmija:
- gulçim;
- konfuzion;
- përgjumje.
Këto simptoma mund të tregojnë se fëmija është në gjendje të quajtur ketoacidozë diabetike. E cila mund të jetë kërcënuese për jetën, kështu që fëmija ka nevojë për kujdes të menjëhershëm mjekësor.
Analizat për diabetin e tipit 1
Mjeku mund të diagnostikojë diabetin tek fëmija duke bërë analizën e gjakut me shpim gishti dhe analizën e urinës, si dhe duke rishikuar simptomat e fëmijës.
Nëse ka glukozë në urinën e fëmijës dhe nivel të lartë të glukozës në gjakë, mjeku do t'ju udhëzoj për emergjencë të spitalit më të afërt.
Nëse jeni ende i shqetësuar se fëmija juaj ose simptomat e tij po përkeqësohen, shkoni përsëri në emergjencë.
Trajtimi i diabetit të tipit 1
Aktualisht nuk ka kurë të shpejtë për diabetin e tipit 1, por fëmija mund ta menaxhojë këtë gjendje shëndetësore me sukses dhe të jetojë normalë duke i mbajtur nivelet e sheqerit në gjak brenda kufirit të synuar. Fëmija juaj mund t'i mbajë nivelet e sheqerit në gjak brenda këtij kufiri të synuar duke:
- injektuar insulinë 2-4 herë në ditë ose duke përdorur një pompë insuline 24-orëshe;
- ngrënë ushqime të caktuara në sasinë e duhur dhe në kohën e duhur;
- bërë aktivitet fizik;.
Është e rëndësishme që fëmija të jetë nënë kujdesin e ekipit të profesionistëve shëndetësor, duke përfshirë endokrinologë, edukatorë infermiere, dietologë, punonjës socialë dhe psikologë.
Parandalimi i komplikimeve nga diabeti i tipit 1
Duke i mbajtur nivelet e sheqerit në gjak të fëmijës brenda kufirit të synuar në shumicën e kohës, mund të ulet rreziku i komplikimeve shëndetësore të fëmijës nga diabeti i tipit 1.
Nivelet e larta të sheqerit në gjak mund të çojnë në komplikime afatshkurtra si: ketoacidoza diabetike, si dhe komplikime afatgjata si: dëmtim nervor, dëmtim të veshkave, probleme me shikimin, sëmundje të zemrës ose goditje në tru.
Ndërsa, nivelet e ulëta (nën kufirin e lejuar) të sheqerit në gjak mund të çojnë në përgjumje, agresivitet, humbje të vetëdijes ose konvulsione.
Shkaqet e diabetit të tipit 1
Në shumicën e rasteve për shfaqjen e diabeti i tipit 1 tek fëmija, duhet trashëgohen faktorë rreziku nga të dy prindërit.
Përveç kësaj, është e nevojshme që të ketë shkaktarë mjedisorë që të shfaqet sëmundja. Ende nuk dihet saktësisht çka e shkakton diabetin e tipit 1, por viruset, klima e ftohtë, dieta, stresi dhe puberteti mund të jenë shkaktarë.
Mbi 90% e fëmijëve dhe adoleshentëve me diabet kanë diabet të tipit 1. Diabeti i tipit 1 më së shpeshti diagnostikohet tek fëmijët e moshës 10-14 vjeç dhe rrallë tek fëmijët nën moshën një vjeç.