Efektet anësore të mundshme pas administrimit të vaksinës pentavalente

Fëmija juaj ka marrë vaksinën e kombinuar pentavalente për ta mbrojtur atë nga: difteria, tetanosi, kolla e mirë, Hepatit B dhe sëmundjet e shkaktuara nga bakteri Hemofilus influenca e tipit B.
Body

Si çdo medikament tjetër, në disa raste edhe vaksina mund të shkaktojë efekte anësore, që zakonisht janë të lehta, jetëshkurtra dhe kalojnë spontanisht.

Efektet anësore që mund të shfaqen tek disa fëmijë janë:

  • humbje e oreksit,
  • ankth,
  • qarje e pazakontë,
  • temperaturë e lartë.
  • skuqje, ënjtje dhe dhimbje në vendin e injektimit,
  • përgjumje,
  • diarre dhe vjellje,
  • pagjumësi.

Këto reagime largohen brenda 2-3 ditëve në mënyrë spontane.

Këshillë

Dhimbja zbutet me vendosje të kompresave të lagura në zonën e vaksinimit. Gjithashtu mund të përdorni sirup paracetamol në dozë të rekomanduar nga pediatri (10-15 mg për kg të peshës trupore në një dozë) për të lehtësuar dhimbjen dhe për të ulur temperaturën e lartë. Nuk rekomandohet përdorimi i paracetamolit para vaksinimit!

Disa fëmijë mund të kenë reaksione më intensive brenda 48 orëve nga vaksinimi, si: temperaturë të lartë 40 C, të qara të pangushëllueshme që zgjasin më shumë se 3 orë, kolaps ose gjendje të ngjashme me shokun, ngërçe me ose pa temperaturë (brenda 3 ditëve nga vaksinimi) ose ënjtje dhe skuqje lokale që përhapet në nyjet e afërta. Gjithashtu, këto reaksione shërohen në mënyrë spontane.

Këshillë

Nëse fëmija ka një nga këto reagime, duhet ta çoni te pediatri për të parë nëse ka ndonjë problem tjetër shëndetësor. Gjithashtu, nëse fëmija ka pasur ndonjë reagim që nuk është i shënuar duhet të informoni pediatrin.

Reaksionet alergjike serioze ndodhin jashtëzakonisht rrallë pas vaksinimit (në më pak se 1:10,000 dhe më shumë doza të dhëna). 

Reaksionet manifestohen në formën: e ënjtjes së fytyrës dhe qafës, frymëmarrje e vështirësuar dhe e përcjellur me fishkëllima, plogështi e papritur me marramendje dhe humbje të vetëdijes, probleme të stomakut (reagim anafilaktik, shok).

Këshillë

Rekomandohet të qëndroni në institucion shëndetësor deri në dhjetë minuta pas vaksinimit, në mënyrë që të monitoroni gjendjen e fëmijës.

Nëse pas largimit nga institucioni shëndetësor, fëmija ka ndonjë nga problemet e mësipërme, kontaktoni menjëherë mjekun ose shërbimin e urgjencës.