Fëmija nuk ka shtuar peshë: nga 6 deri në 24 muaj
Fëmijë që nuk shton peshë gjatë një ose dy muajve, mund të ketë nevojë për më shumë ushqim gjatë një vakti, ushqime më ushqyese ose vakte më të shpeshta. Fëmija mund të jetë i sëmurë dhe ka nevojë për më shumë vëmendje dhe kujdes ose ndihmë me vakte.
Disa pyetje të rëndësishme për t'u marrë në konsideratë që ndihmojnë në identifikimin e shkaqeve të problemeve të rritjes dhe përparimit:
A ha foshnja shpesh mjaftueshëm? Përveç ushqyerjes me qumësht gjiri, foshnja 6-8 muaj ka nevojë për 2-3 vakte, kurse nga muaji i 9-të për 3-4 vakte me ushqime të tjera. Mund të nevojiten ushqime me vlera të larta ushqyese 1-2 herë në ditë, të tilla si fruta ose bukë me lyerje të shëndetshme. Fëmijët e retarduar ose me aftësi të kufizuara zhvillimore ndonjëherë kanë nevojë për ndihmë dhe kohë shtesë për t'u ushqyer.
A merr foshnja ushqim mjaftueshëm? Fëmija 6-8 mua fillimisht ka nevojë për 2-3 lugë çaji ushqim dhe sasia rritet gradualisht në ½ filxhan (prej 250 ml), për çdo vakt në moshën 9-12 muajsh.
A përmbajnë vaktet e fëmijës energji dhe lëndë ushqyese të mjaftueshme? Ushqimet që ndihmojnë në rritjen e fëmijës janë fasulet, frutat arrore, mishi, peshku, vezët, produktet e qumështit, drithërat dhe bishtajoret. Veçanërisht është e rëndësishme konsumi i përditshëm i ushqimit me origjinë shtazore. Energji shtesë mund të sigurojë një sasi e vogël vaji. Për të siguruar rritje adekuate në peshë dhe gjatësi është veçanërisht i rëndësishëm "ushqimi cilësor". Ushqime, të tilla si ushqimet me yndyrë të përpunuar ose ushqimet e ëmbla nuk janë të pasura me vitamina e minerale dhe lëndë ushqyese të tjera cilësore, mund të shkaktojnë shtim të tepruar të peshës pa rritje adekuate në gjatësi.
A merr fëmija shumë ushqime të ëmbla (ëmbëlsira, biskota) ose lëngje të ëmbla (lëngje, çajra) ose ushqime të tjera të pashëndetshme në vakte ose ushqime me vlera të ulta ushqyese? Zvogëloni ose zëvendësoni këto ushqime me lëndë ushqyese, të tilla si: fruta, perime, drithëra, mish, sipas rekomandimeve dietike.
A merr fëmija shumë qumësht të formulës ose lëngje të tjera (lëngje, çajra) dhe nuk merr mjaftueshëm ushqim të ngurtë? Lëngjet mbushin stomakun dhe zvogëlojnë nevojën e fëmijës për ushqim.
A refuzon fëmija të hanë? Nëse fëmijës nuk i pëlqen shija e një lloji të caktuar ushqimi, duhet t'i ofrohet një tjetër. Ushqimet e reja duhet t’i prezantohen gradualisht.
A është fëmija i sëmurë? Fëmijë i sëmurë duhet të inkurajohet të hajë vakte të vogla dhe më të shpeshta. Të ushqyerit me qumësht gjiri duhet të jetë më i shpeshtë. Pas sëmundjes, fëmija duhet të hajë më shumë se zakonisht për të kompensuar peshën, energjinë dhe lëndët ushqyese të humbura. Nëse fëmija sëmuret shpesh, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.
A merr fëmija mjaftueshëm ushqime që përmbajnë vitaminën A? Qumështi i gjirit është i pasur me vitaminë A. Ushqime të tjera që e përmbajnë atë janë: mëlçia, vezët, produktet e qumështit, frutat, portokalli, perimet me ngjyrë të verdhë si dhe perimet me gjethe jeshile. Nëse këto ushqime nuk disponohen në sasi të mjaftueshme, fëmijës duhet t'i jepet suplemente (tableta ose shurup çdo 4-6 muaj).
A ushqehet fëmija me formulën e qumështit nga shishja? Nëse fëmija ushqehet me formulë qumështi, rekomandohet ta merr atë nga filxhani ose gota e pastër në vend të shishes me biberon.
A përgatitet dhe ruhet ushqimi në mënyrë të pastër dhe të sigurt? Nëse jo, fëmija do të sëmuret shpesh. Ushqimi i papërpunuar duhet të lahet dhe gatuhet mirë, duke përdorur ujë të pastër nga burim i sigurt. Ushqimi i gatuar duhet të hahet menjëherë; ushqimi i mbetur duhet të ruhet me kujdes dhe të ringrohet siç duhet para se të hahet.
A është fëmija shpesh vetëm apo lihet nën kujdesin e fëmijëve më të mëdhenj? Fëmijë ka nevojë për më shumë vëmendje nga të rriturit, veçanërisht gjatë vakteve.