Impetigo (infeksion bakterial i lëkurës)
Shkaqet e impetigo ose plagëve shkollore
Impetigo ose plagët shkollore zhvillohen kur një bakter i zakonshëm (zakonisht Staphylococcus aureus ose Streptococcus grupi A) futet në një prerje, gërvishtje ose plagë në lëkurën e fëmijës. Për shkak se lëkura është e qarë, nuk mund të veprojë si pengesë kundër baktereve.
Nëse pjesë të tjera të trupit bien në kontakt me plagën origjinale, mund të përhapen bakteret. Për rrjedhojë mund të shkaktojë që të zhvillohen më shumë plagë impetigo.
Impetigo është shumë ngjitëse. Përhapja e së cilës është mjaft e zakonshme në institucione të kujdesit të fëmijëve, kopsht, çerdhe, parashkollor dhe në shkolla.
Impetigo shpesh shfaqet krahas problemeve të tjera të lëkurës si ekzema, zgjeba, pickimi i insekteve ose lija e ujit.
Impetigo është më e zakonshme në muajt e ngrohtë.
Simptomat e impetigo ose plagëve shkollore
Në fazat e hershme të impetigo, gjithçka që mund të vëreni në trupin e fëmijës janë pika të kuqe të sheshta ose flluska të vogla në çdo pjesë të trupit. Pikat zakonisht shfaqen rreth fytyrës (veçanërisht gojës dhe hundës), duarve dhe këmbëve.
Njollat mund të mbushen me qelb të verdhë ose të gjelbër, të shpërthejnë ose të formojnë kore. Bakteret gjenden në lëngjet dhe koret e plagëve. Nëse nuk i trajtoni plagët, ato mund të bëhen më të mëdha dhe më shumë prej tyre mund të rriten.
Impetigo mund të shkaktojë kruajtje ose të jetë e ndjeshme.
Kur duhet të vizitoni mjekun për impetigo ose plagët shkollore
Ju duhet të vizitoni mjekun nëse:
- një plagë në trupin e fëmijës është e rrethuar nga një zonë me lëkurë të kuqe;
- fëmija ka një plagë me kore ose që rrjedh, veçanërisht nëse plaga bëhet më e madhe ose përhapet;
- fëmija është përgjithësisht i sëmurë ose ka temperaturë;
- mendoni se fëmija ka impetigo.
Ekzaminimi i impetigo ose plagëve shkollore
Në të shumtën e rasteve nuk është e nevojshme të bëhen analiza, sepse mjeku mund të identifikojë infeksionin duke parë plagën/ët. Në disa raste mjeku mund të marrë një mostër të plagëve të infektuara dhe ta dërgojë për ekzaminim, për të identifikuar bakteret që shkaktojnë infeksionin impetigo dhe për të përcaktuar antibiotikun që do të funksionojë më mirë kundër tij.
Trajtimi i impetigo ose plagëve shkollore
Nëse plagët e impetigo janë të vogla dhe nuk kanë flluska, aplikoni një krem antibiotik dhe jini jashtëzakonisht të kujdesshëm për higjienën e lëkurës dhe larjen e duarve. Në këtë mënyrë mund të parandaloni përhapjen e plagëve dhe mundësoni shërimin e tyre.
Shumica e rasteve të impetigo trajtohen me mjekim të përshkruar, si krem, tabletë ose lëng antibiotik.
Para vendosjes së pomadës në njollat e infektuara, lani butësisht lëkurën e fëmijës me sapun ose një ujë antibakterial dhe më pas thajeni.
Ju mund t'i hiqni koret nga lëkura e fëmijës duke i bërë banjë për 20-30 minuta për të zbutur koret. Më pas rekomandohet ta fshini butësisht koren me një peshqir.
Parandalimi i impetigo ose plagëve shkollore
Impetigo mund të përhapet me shpejtësi në pjesë të tjera të trupit nëse fëmija prek plagën dhe më pas kruan trupin diku tjetër. Shpjegojini këtë fëmijës dhe inkurajoni atë që të mos i prekë plagët.
Mbani thonjtë e fëmijës tuaj të shkurtër dhe sigurohuni që ti lajë duart shpesh, derisa infeksioni të jetë pastruar.
Impetigo është shumë ngjitëse. Mbajeni fëmijën në shtëpi larg nga institucioni i kujdesit për fëmijë, kopshti, çerdhja, parashkollori ose shkolla. Pasi fëmija të fillojë trajtimin me antibiotikë, prisni të paktën 24 orë përpara se ta dërgoni përsëri në institucionin e kujdesit për fëmijë, kopsht, çerdhe, parashkollor ose shkollë, si dhe sigurohuni që të mbuloni të gjitha plagët e lagura me fasha të rezistente ndaj ujit.