Infeksion i gojës me herpes simplex
Rreth infeksionit të gojës me herpes simplex
Të infektuarit e fëmijës me virusin herpes simplex, mund të shkaktojë infeksion të gojës me herpes simplex. Te fëmijët, ky infeksion shpesh shkakton dhimbje të mishit të dhëmbëve dhe krijimin e ulcera në gojë. Kjo gjendje quhet gingivostomatiti.
Pas infeksionit të parë me virusin herpes simplex, virusi fle brenda qelizave nervore. Kur sistemi imunitar është nën stres, mund të aktivizohet dhe të shkaktojnë herpes/plagë ftohjeje – për shembull, gjatë një sëmundjeje të vogël, ndryshimeve hormonale ose djegies nga dielli.
Virusi mund të shpërthejë tek vajzat më të mëdha në moshë, gjatë kohës së ciklit menstrual.
Virusi herpes simplex është shumë ngjitës dhe mund të përhapet edhe para se të krijohen flluskat.
Simptomat e infeksionit të gojës me herpes simplex
Fëmija mund të ketë dhimbje të gojës. Gjithashtu, mund të kenë dhimbje të buzës, mishrave dhe fytit.
Pjesa e brendshme e gojës së fëmijës mund të jetë e fryrë dhe e kuq, mund të shihni shumë flluska të vogla ose ulcera.
Fëmijët më të vegjël mund të refuzojnë ushqimin ose pijen dhe mund të jargaviten shumë. Fëmija mund të jetë i shqetësuar dhe të qajë shumë. Gjithashtu, mund të ketë ethe dhe ënjtje të gjëndrave limfatike.
Simptomat zakonisht fillojnë të largohen brenda 3-4 ditëve ndërsa zhduken plotësisht në 7-10 ditë pa lënë asnjë gjurmë.
Komplikimet e infeksionit të gojës me herpes simplex
Komplikimi kryesor i infeksionit të gojës me virusin herpes simplex është konsumimi i dobët i lëngjeve dhe dehidrimi. Kjo ndodhë për shkak se gingivostomatiti e bën gëlltitjen të dhimbshme dhe të vështirë. Ndonjëherë plagët në gojë mund të infektohen nga bakteret.
Simptomat e dehidrimit janë:
- pak ose aspak urinë;
- zbehje;
- sy të nxirë;
- duar dhe këmbë të ftohta;
- përgjumje;
- nevrikosje.
Në raste shumë të rralla, virusi herpes simplex mund të shkaktojë encefalit, që është inflamacion i indit të trurit. Encefaliti mund të shkaktojë ndryshime në sjellje, përgjumje dhe kriza.
Fëmijët me një sistem imunitar të dobësuar për shkak të sëmundjes ose mjekimit janë më të rrezikuar nga infeksioni i gojës me herpes simplex dhe encefalitit. Në rrezik të lartë janë foshnjat nën tre muaj, në këto raste duhet menjëherë të vizitohet mjeku.
A ka nevojë fëmija të vizitojë mjekun për infeksionin e gojës me herpes simplex?
Nëse jeni të shqetësuar se fëmija është dehidratuar, duhet të vizitoni mjekun familjar ose dërgoni fëmijën në emergjencë.
Gjithashtu duhet të kërkoni ndihmë nëse fëmija:
- përgjithësisht nuk është mirë;
- refuzon ushqimin dhe lëngjet;
- urinon më rrallë se zakonisht;
- është konfuz, përgjumur ose sillet në një mënyrë shqetësuese;
- nuk përmirësohet për disa ditë;
- është më i vogël se 3 muaj;
- ka sistem imunitar të dobësuar.
Trajtimi i infeksionit të gojës me herpes simplex
Për të ndihmuar në lehtësimin e dhimbjes së fëmijës, në doza të rekomanduara mund t’i jepni paracetamol ose ibuprofen.
Gjithashtu, për të lehtësuar dhimbjen mund të përdorni preparate për dhimbje lokale direkt në gojën e fëmijës. Këto preparate përfshijnë gjelin e lignokainës 2% ose larësin e gojës me lignokainë dhe klorheksidin (për fëmijët më të rritur që nuk gëlltisin).
Duhet ta inkurajoni fëmijën të pijë lëngje, madje edhe sasi të vogla kohë pas kohe. Një opsion është solucioni i rihidrimit oral si Gastrolyte® ose Hydralyte™, të cilin mund ta merrni si lëng ose blloqe akulli nga barnatorja.
Nëse fëmija është mësuar me shishe derisa infeksioni të përmirësohet, mund të jetë më e lehtë ta ushqeni atë duke përdorur filxhan dhe lugë. Nëse fëmija refuzon ushqimin, përpiquni t'i ofroni ushqime shumë të buta.
Parandalimi i infeksionit të gojës me herpes simplex
Nëse dikush në familje ka infeksion të gojës me herpes simplex, anëtarët e tjerë të familjes duhet të shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me flluskat. Gjithashtu, shmangni përdorimin e enëve, gotave ose peshqirëve të përbashkët.