Inkontinenca fekale

Inkontinenca fekale është kur fëmijët që kanë kaluar moshën e ushtrimeve të tualetit bëjnë rregullisht jashtëqitje në vende të tjera përveç tualetit. Ata/ato nuk mund ta kontrollojnë se kur dhe ku janë gati për jashtëqitje. Mund të jetë shumë shqetësuese për fëmijët dhe prindërit.
Body

Shkaqet e inkontinencës fekale

Inkontinenca fekale është paaftësia për të kontrolluar lëvizjet e zorrëve, duke bërë që jashtëqitja (feçet) të rrjedhë papritur nga rektumi. Inkontinenca fekale varion nga një rrjedhje e rastësishme e jashtëqitjes gjatë nxjerrjes së gazit deri në humbje të plotë të kontrollit të zorrëve.

Nëse fëmija ka pasur kapsllëk për një kohë të gjatë, jashtëqitja grumbullohet në rektumin, gjë që mund të shkaktojë zgjerimin e rektumit. Fëmija mund të humbasë dëshirën për të shkuar në tualet sepse rektumi ndihet gjithmonë i zgjeruar. Më pas, jashtëqitja e lëngshme mund të vërshojë rreth jashtëqitjes së vjetër, të mbërthyer, pa e ndjerë fëmija fare ose pa menduar ta lëshojë atë.

Problemet emocionale mund të çojnë gjithashtu në inkontinencë  (mosmbajtje) fekale, si stresi nga stërvitjet, lindja e një vëllai ose motre, etj.

Shkaqe të tjera të inkontinencës fekale përfshijnë çrregullime të rralla neurologjike dhe muskulore dhe anomalitë e anusit.

Inkontinenca fekale quhet edhe ndotje ose encopresis.

Inkontinenca fekale është aksidentale dhe jashtë kontrollit të fëmijës. Mund të jetë e vështirë të jetosh me të, andaj është normale nëse ju duket sfiduese ose e mërzitshme. Nëse dyshoni se fëmija  ka inkontinenca fekale, rekomandohet të bisedoni me mjekun për të marrë mbështetje.

Simptomat e inkontinencës fekale

Inkontinenca fekale mund të variojë nga "shenjat e rrëshqitjes" deri tek copa më të mëdha të jashtëqitjes në të brendshmet e fëmijës.

Përveç jashtëqitjes në vende të tjera,  përjashtimisht tualetit - zakonisht në të brendshme – fëmija mund të ketë simptoma të kapsllëkut, gjithashtu. Kjo gjendje përfshinë dhimbjen gjatë jashtëqitjes, që mund të nënkuptojë se fëmija po përpiqet të shmangë shkuarjen në tualet. Gjithashtu mund të ketë dhimbje barku që vijnë dhe shkojnë, mund të ketë periudha të gjata ndërmjet jashtëqitjeve.

Është e zakonshme që fëmijët me inkontinencë fekale të lagen gjatë ditës ose natës.

Rreth 30-50% e fëmijëve me inkontinencë fekale kanë probleme emocionale ose të sjelljes, gjithashtu.

Të gjithë fëmijët arrijnë kontrollin e zorrëve sipas ritmit të tyre. Përgjithësisht inkontinenca fekale nuk konsiderohet gjendje mjekësore, përveç nëse fëmija është të paktën ose mbi katër vjeç.

Kur duhet të vizitoni mjekun

Duhet të vizitoni mjekun nëse fëmija është katër vjeç ose më i madh dhe ka inkontinencë të vazhdueshme fekale ose kapsllëk.

Mjeku do të sigurohet që nuk ka dëmtime neurologjike apo muskulore dhe ju sugjeron një plan për tejkalimin e këtij problemi.

Trajtimi për inkontinencën fekale 

Trajtimi për inkontinencën fekale varet nga shkaku i problemit.

Nëse kapsllëku kronik është shkaku kryesor, mjeku do ju ndihmon duke përcaktuar planin e trajtimit bazuar në përdorimin e medikamenteve laksative dhe krijimin e zakoneve/shprehive të mira të zorrëve.

Mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të marrë zakone të mira të zorrëve duke e inkurajuar atë të ulet rregullisht në tualet dhe të shtyjë (jap zor) gjatë jashtëqitjes. Rekomandohet, që për pesë minuta ta praktikojë këtë proces, rreth 20-30 minuta pasi të ketë mbaruar së ngrëni mëngjes, drekë dhe darkë.

Nëse fëmija ka probleme të sjelljes që lidhen me inkontinencën fekale, mund të ketë nevojë për këshillim dhe psikoterapi grupore ose individuale.

Pavarësisht se si trajtohet, zakonisht inkontinenca fekale largohet tek shumica e fëmijëve.