Jashtëqitja dhe urina

Pikat kryesore: - Urinimi në sasi të madhe, i pastër dhe pa ngjyrë është shenjë që foshnja është i shëndetshëm dhe merr mjaftueshëm lëngje. - Shpeshtësia, ngjyra, konsistenca dhe aroma e jashtëqitjes së foshnjave dallon shumë. - Jashtëqitja e foshnjes ndikohet nga dieta e foshnjes. - Problemet me jashtëqitje përfshijnë kapsllëkun dhe diarrenë. Është mirë të vizitoni mjekun në rast të problemeve me jashtëqitje.
Body

Urina: çfarë duhet të dini

Foshnjat e vogla mund të urinojnë shumë herë në ditë.

Urinimi i shpeshtë në pelena është shenjë e mirë - kjo tregon që foshnja juaj po ushqehet mjaftueshëm me qumësht dhe lëngje të tjera. Foshnja juaj do urinojë më pak ndërsa rritet, por prap mund të ndodhë të paktën 6-8 herë në ditë.

Sa herë që foshnja juaj urinon, shikoni rrjedhën ose ngjyrën e njollës në pelenë. Kjo gjë tregon shumë për shëndetin e foshnjës.

Urina në sasi të madhe e pastër dhe pa ngjyrë është normale. Një pelenë e rëndë është shenjë që ka sasi të madhe të urinës. Urina e rrallë dhe më e errët është shenjë që foshnja juaj mund të jetë i/e dehidratuar ose nuk ka marrë mjaftueshëm lëngje.

Njollat ngjyrë rozë ose të portokalltë nuk janë asgjë për t'u shqetësuar. Ato shkaktohen nga reagimi i urinës me kimikate në pelenë dhe janë mjaftë të zakonshme. Gjithashtu ndonjëherë mund të ketë ''kristale'' të vogla në sipërfaqen e një pelene. Këto vijnë nga pjesa e brendshme e pelenës, jo nga foshnja juaj.

Nëse njollat janë të kuqe ose kafe, dhe mendoni që mund të ketë edhe gjak ose foshnja juaj nuk ndihet mirë, vizitoni mjekun e përgjithshëm menjëherë.

Jashtëqitja: çfarë duhet të dini

Jashtëqitja e parë e të porsalindurit do të jetë substancë e gjelbër e errët, e ngjashme me katranin, që quhet mekonium. Kjo është normale - dhe është zbrazja e stomakut dhe e zorrëve të foshnjës tuaj pas qëndrimit në bark për nëntë muaj. Gjithashtu ka mundësi që të ketë jashtëqitje të gjelbër të errët për disa ditë.

Pas kësaj, ka një gamë të madhe të normales kur bëhet fjalë për pamjen dhe aromën e jashtëqitjes së foshnjës, dhe sa shpesh ka zbrazje (jashtëqitje) foshnja.

Disa foshnje zbrazen disa herë në ditë, kurse disa të tjera disa herë në javë. Kjo është normale.

Jashtëqitja është e zakonshme gjatë ose menjëherë pas ushqyerjes. Kjo quhet refleksi gastro-kolik.

Me kalimin e javëve dhe muajve, mund të prisni ndryshime në jashtëqitje në pikat në vijim:

  • shpeshtësi
  • ngjyrë
  • konsistencë - mund të jetë e fortë, e lëngshme dhe në mes
  • erë - në përgjithësi ka më shumë erë kur foshnja fillon të hajë ushqim të fortë.

Si ndikon dieta në jashtëqitje

Se si duket jashtëqitja e foshnjës suaj mund të varet nga dieta e foshnjës tuaj.

Me qumësht të gjirit

Jashtëqitja:

  • do të jetë mjaft e butë dhe ndoshta edhe e lëngshme, pak si mustardë, shpesh në ngjyrë të verdhë-portokalli, por ndonjëherë të gjelbër
  • mund të bëhet më pak e shpeshtë, por do të qëndrojë mjaft e butë derisa fëmija të fillojë të hajë ushqim të fortë
  • mund të mbajë erë mjaft të ëmbël, dhe era mund të ndikohet nga ajo që nëna po ha.

Me formulë

Jashtëqitja:

  • është përgjithësisht më e fortë, por mund të ndryshojë shumë në ngjyrë dhe konsistencë
  • mund të jetë ngjyrë hiri-verdhë (ose edhe hiri-kaltër), ose disa nuanca kafe.
  • Ndryshimi nga një formulë në tjetrën mund të çojë në ndryshime në pamjen dhe konsistencën e jashtëqitjes.

Me ushqime të forta

Jashtëqitja:

  • bëhet më e fortë dhe me më shumë erë sa herë që hani ushqime të forta dhe mund të duket sikur disa ushqime të forta nuk janë tretur.
  • Kjo ndodh sepse sistemi tretës i foshnjës tuaj është ende në zhvillim. Zakonisht është normale.

Problemet me jashtëqitje

Kapsllëku


Kapsllëku është kur jashtëqitja është e fortë dhe e thatë, dhe duket si mermer ose guralecë të vegjël. Këtë lloj të jashtëqitjes foshnja e ka problem ta nxjerrë jashtë, gjë që mund të bëjë foshnjën të mërzitur/shqetësuar.

Kapsllëku ka më shumë gjasa të ndodhë tek foshnjat që ushqehen me shishe. Kjo zakonisht ndodh kur formula është bërë me shumë pak ujë.

Foshnjat gjithashtu mund të kenë kapsllëk kur fillojnë ushqimin e fortë. Kjo zakonisht zgjidhet vetë brenda disa javësh.

Nëse foshnja po tendoset dhe në jashtëqitje ka guralecë të fortë e të thatë, ose nëse shihni gjak, flisni me mjekun e përgjithshëm ose infermieren e shëndetit të fëmijës dhe familjes.

Diarreja


Diarreja është kur jashtëqitja e foshnjës është shumë e lëngshme ose edhe me ujë, dhe më shpesh se zakonisht. Nëse foshnja ka edhe të vjella, mund të jetë infeksion i zorrëve. Në këtë situatë, është e rëndësishme që menjëherë të konsultoheni me mjekun e përgjithshëm për t'u siguruar që fëmija juaj të mos dehidrohet.

Jashtëqitje e zbehtë


Nëse foshnja me jaundicë (verdhëzim) ka edhe jashtëqitje të verdhë të zbehtë, të bardhë ose hiri, vizitoni mjekun menjëherë - kjo mund të jetë shenjë e ndonjë sëmundjeje të rrallë të mëlçisë. Duhet që foshnja të kontrollohet me analiza të gjakut. Bëni fotografi ose merrni mostra të jashtëqitjes së foshnjës tuaj, në mënyrë që mjeku ta kontrollojë atë.