Kur qumështi vjen vonë -laktacion i vonuar

Nëse rritja e pritshme e sasisë së qumështit nuk ndodh në 72 orët e para pas lindjes, kjo konsiderohet laktacion i vonuar. Rreth 5-10% e grave (ndoshta edhe 25%) kanë vonesa në laktacion.
Body

Qumësht vjen pas lindjes së fëmijës

Kur lind foshnja, fillimisht do të keni kulloshtrën në gjinjtë tuaj; shpesh ju as nuk jeni në dijeni të këtij fakti, sepse qumështi nuk rrjedh. Sasia e qumështit normalisht rritet 30-40 orë pas lindjes. Koha e fillimit të prodhimit të qumështit është e ndryshme për çdo nënë; zakonisht 2-3 ditë pas lindjes fillon prodhimi i qumështit, por deri në 25% të nënave, kjo ndodh pas ditës së tretë. Parakushti kryesor është stimulimi i gjirit, domethënë fillimi i hershëm i ushqyerjes me gji. Gjatë ditës së parë pas lindjes prodhohen 10-50 ml qumësht; në ditët në vijim, sasia rritet dhe kulloshtra ndryshon në qumështin e pjekur.

Dy hormonet kyçe për të ushqyer me gji janë prolaktina dhe oksitocina.

Thithja e gjirit nga foshnja është forca lëvizëse për sekretimin e hormoneve, nëpërmjet impulseve shqisore nga thithka.

Prolaktina sekretohet gjatë ushqyerjes me gji për të siguruar qumësht për mëkimin tjetër të foshnjës. . Më shumë prolaktinë sekretohet gjatë natës, kështu që gjidhëniet gjatë natës janë veçanërisht të rëndësishme në fillim. Oksitocina vepron para dhe gjatë një ushqyerjeje me gji për të lejuar rrjedhjen e qumështit nga gjiri (refleksi i lëshimit të qumështit). Ajo shkakton tkurrje të mitrës dhe kështu zvogëlon rrezikun e gjakderdhjes dhe infeksionit pas lindjes së fëmijës. Këto tkurrje - dhimbjet e paslindjes - mund të jenë shumë të dhimbshme gjatë ushqyerjes me gji, veçanërisht në gratë që kanë lindur shumë fëmijë.

Parimi i ofertës dhe kërkesës

Pas fazës fillestare hormonale të prodhimit të qumështit, rregullimi i mëtejshëm kryesisht bëhet lokalisht, bazuar në parimin e ofertës dhe kërkesës. Thithja e efektshme e gjirit nga foshnja dhe zbrazja e gjoksit janë kyçe. Pa thithje të efektshme dhe zbrazjen e gjirit nga qumështi, prodhimi i qumështit reduktohet. Falë këtij parimi, gratë që kanë gjinj shumë të vegjël (indi gjëndror të pakët) mund t'i sigurojnë foshnjës së tyre qumësht të mjaftueshëm duke ushqyer shpesh me gji; E njëjta gjë vlen edhe për binjakët.

Si ta kuptosh se po vjen qumështi?

Plotësia e gjinjve, ndjenja e rëndesës, nxehtësisë, gudulisjes, rrjedhjes së qumështit ju thonë se qumështi ka "ardhur". Mund t'ju duhen disa ditë për të njohur shenjat e ardhjes së qumështit. Ndoshta ke frikë nga ndryshimi i papritur që po të ndodh. Nëse i zbrazni gjinjtë, do të vëreni një ndryshim gradual në ngjyrë, nga kulloshtra e trashë dhe e verdhë në qumështin e pjekur më të hollë dhe më të bardhë.

Kur qumështi vjen vonë - laktacion i vonuar 

Shkaqet më të zakonshme të "vonesave" në ardhjen e qumështit:

  • Në gratë që lindin për herë të parë, qumështi vjen mesatarisht një ditë më vonë se në gratë me shumë fëmijë
  • Lindja e zgjatur, stresi dhe dhimbja, operacioni cezarian i paplanifikuar
  • Hemorragji më e madhe gjatë lindjes ose mbajtje e indit placentar
  • Fillimi i vonshëm i ushqyerjes me gji
  • Lindje e parakohshme
  • Sëmundjet e nënës - dhjamosja, rezistenca ndaj insulinës, diabeti, tensioni i lartë i gjakut
  • Zakonet e këqija - pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit
  • Operacionet e gjoksit
  • Probleme me thithkat: thithka të sheshta ose të futura nga brenda, piercing i thithkave.

Çfarë të bëjmë nëse nuk ka qumësht për 4 ditë:

  • Gjinjtë duhen zbrazur rregullisht dhe plotësisht. Kontakti lëkurë-lëkurë mund të ndihmojë në rritjen e prodhimit të qumështit.
  • Pesha e të porsalindurit duhet vëzhguar çdo ditë për të vlerësuar nëse foshnja po merr qumësht të mjaftueshëm.
  • Kur të dilni nga materniteti, do të merrni rekomandime për çdo ushqim shtesë dhe për një monitorim të mëtejshëm të zhvillimit të fëmijës.
  • Peshimi i fëmijës çdo ditë nuk është i dobishëm, sidomos jo në kushte të improvizuara në shtëpi. Mund të të ngatërrojë dhe ndonjëherë nuk është as i sigurt! Nuk është e këshillueshme të peshoni foshnjën para dhe pas një ushqyerjeje me gji, për të llogaritur sasinë e qumështit të thithur. Gjidhëniet ndryshojnë në kohëzgjatje, veçanërisht në fillim; ndonjëherë fëmija thith vetëm nga njëri gji, ndonjëherë nga të dy, kështu që një gjidhënie nuk siguron një kuptueshmëri realiste për efektshmërinë e thithjes së gjirit nga foshnja.

Nëse foshnja ka nevojë për shtesa, sigurojini ato në një mënyrë dhe në një sasi që nuk do të pengojë përparimin e ushqyerjes me gji. Nëse fillimi është i vështirë, mos harroni se shumë nëna ia dolën të rritnin gradualisht prodhimin e qumështit në sasinë e plotë që i nevojitej fëmijës, brenda një ose dy javësh, e disa edhe pas disa javësh.