Mikrocefalia
Çfarë është mikrocefalia?
Mikrocefalia është një çrregullim neurozhvillimor - domethënë një problem me mënyrën se si rritet truri ose sistemi nervor.
Fëmijët me mikrocefali kanë kokë dhe tru më të vogël se zakonisht. Ata/ato gjithashtu shpesh kanë paaftësi intelektuale dhe probleme neurologjike si konvulsione, probleme me ngurtësimin dhe kontrollin e muskujve, ose probleme me ekuilibrin.
Foshnjat mund të lindin me mikrocefali, ose kjo mund të zhvillohet në vitet e para të jetës. Mund të shfaqet vetë, por shpesh vjen e shoqëruar me sindroma të tjera neurozhvillimore si sindroma Daun.
Mikrocefalia mund të shkaktohet nga ndryshime gjenetike. Ndonjëherë ndryshimet e gjeneve që e shkaktojnë atë trashëgohen nga prindërit. Ndonjëherë ndryshimet e gjeneve ndodhin për herë të parë tek fëmija.
Mikrocefalia mund të shkaktohet edhe nga viruse të caktuara. Për shembull, infektimi me virusin Zika në shtatzëni mund të shkaktojë mikrocefali.
Dhe nëse një grua shtatzënë bie në kontakt me disa kimikate toksike ose përdor shumë alkool ose drogë gjatë shtatzënisë, kjo gjithashtu mund të dëmtojë trurin e fetusit gjatë zhvillimit të tij.
Mikrocefalia shfaqet në afërsisht 1 në 25 000 fëmijë.
Shenjat dhe simptomat e mikrocefalisë
Karakteristikat fizike
Shumica e foshnjave të lindura me mikrocefali kanë koka më të vogla se zakonisht dhe rriten nën kurbat tipike të rritjes.
Karakteristikat e tjera fizike mund të përfshijnë rritjen e dobët në përgjithësi dhe shtatin e vogël.
Shenjat konjitive (njohëse)
Fëmijët me mikrocefali shpesh kanë:
- zhvillim të vonuar
- të folurit e vonuar
- paaftësi intelektuale
- vështirësi në koordinim dhe ekuilibër.
Shenjat bihevioriale (të sjelljes)
Fëmijët me mikrocefali mund të kenë sjellje si hiperaktivitet, agjitacion dhe agresivitet.
Shqetësimet mjekësore të lidhura me mikrocefalinë
Fëmijët me mikrocefali mund të kenë gjendje të tjera mjekësore, duke përfshirë konvulsione.
Diagnoza dhe testimi për mikrocefali
Ndonjëherë profesionistët shëndetësor mund të diagnostikojnë mikrocefalinë ndërsa një fëmijë është ende në mitër. Ata e bëjnë këtë duke përdorur një skanim me ultratinguj. Një diagnozë me ultratinguj zakonisht ndodh në tremujorin e tretë, sepse madhësia e kokës më e vogël se normale nuk mund të shihet më herët gjatë shtatzënisë.
Pas lindjes, ose nëse një foshnjë zhvillon mikrocefalinë më vonë, profesionistët shëndetësorë e diagnostikojnë atë duke matur kokën e foshnjës dhe duke e monitoruar atë ndërsa ai/ajo rritet. Ata gjithashtu mund të përdorin rreze X dhe skanime MRI.
Shërbimet e ndërhyrjes së hershme për fëmijët me mikrocefali
Nuk ka kurë për mikrocefalinë. Por nëse fëmija juaj ka mikrocefali, shërbimet e ndërhyrjes në fëmijërinë e hershme mund të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së tij/saj.
Disa fëmijë me mikrocefali nuk do të kenë nevojë për ndonjë trajtim tjetër përveç takimeve rutinë për të matur madhësinë e kokës. Fëmijë të tjerë mund të kenë vështirësi serioze në të folur dhe në të mësuar. Disa mund të kenë nevojë për mjekim për konvulsionet.
Nëse fëmija juaj ka mikrocefali, ai/ajo mund të vizitojë disa profesionistë shëndetësorë si pjesë e ndërhyrjes së hershme. Këta profesionistë përfshijnë pediatrin, patologët e të folurit, terapistët profesionalë dhe fizioterapistët.
Së bashku, ju dhe ekipi juaj mund të zgjidhni opsionet e trajtimit dhe terapisë që do ta mbështesin më mirë fëmijën tuaj.
Kujdesi për veten dhe familjen tuaj
Nëse fëmija juaj ka mikrocefali, është e lehtë të habitesh duke u kujdesur për fëmijën tuaj, është e rëndësishme të kujdeseni edhe për mirëqenien tuaj. Nëse jeni mirë fizikisht dhe mendërisht, ju do të jeni më në gjendje të kujdeseni për fëmijën tuaj.
Biseda me prindër të tjerë mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për të marrë mbështetje. Ju mund të lidheni me prindër të tjerë në situata të ngjashme duke iu bashkuar një grupi mbështetjeje me prani fizike ose në internet.
Nëse keni fëmijë të tjerë, këta vëllezër e motra të fëmijëve me aftësi të kufizuara duhet të ndiejnë se janë po aq të rëndësishëm për ju - se ju kujdeseni për ta dhe për atë që po kalojnë. Është e rëndësishme të bisedoni me ta, të kaloni kohë me ta dhe të gjeni mbështetjen e duhur edhe për ta.