Morrat e kokës
Morrat e kokës
Shkaqet e morrave të kokës ose thërijave
Morrat e kokës janë insekte të vogla, pa krahë, që jetojnë në flokë të njeriut dhe ushqehen me gjakun që qarkullon në lëkurën e kokës.
Thërijat janë vezët e morrave të rritura të kokës. Pasi morrat lëshojnë thërija, atyre ju duhet rreth një javë për të çelur.
Morrat e kokës përhapen kur njerëzit janë në kontakt të ngushtë - për shembull, kur kokat janë afër njëra tjetrës, kur vishni kapelën ose shallin e personit të prekur, ose kur përdorni krehër ose furçën e flokëve të personit të prekur.
Është e zakonshme që fëmijët të kenë morra në kokë, sepse shpesh kokat e tyre i kanë afër njëra-tjetrës derisa luajnë ose bëjnë detyrat e shkollës. Disa fëmijë marrin morrat e kokës disa herë në vit.
Nëse fëmija juaj merr morra të kokës, nuk ka asgjë për t'u turpëruar. Kjo nuk do të thotë se fëmija dhe shtëpia juaj janë të pista. Morrat e kokës nuk mbartin asnjë sëmundje.
Simptomat e morrave të kokës ose thërijave
Nëse fëmija ka morra të kokës, gjëja e parë që mund të vini re është se fëmija ka kruarje dhe gërvishtje, veçanërisht në pjesën e pasme të qafës dhe pas veshëve. Por shumë fëmijë nuk kanë simptoma.
Kur shikoni nga afër flokët e fëmijës, mund të shihni vezë të vogla në formë ovale të ngjitura në rrënjën e flokëve, afër lëkurës së kokës, këto janë thërijat.
Gjithashtu, duhet të shikoni nëse ka morra të gjalla të kokës dhe thërija. Nëse fëmija ka ende morra të gjalla, ato lëshon thërija. Pra cikli i thërijave dhe morrave nuk ndalon deri sa t'i hiqni të gjithë morrat e gjallë.
Morrat e gjalla të kokës lëvizin shpejt. Për t'i vërejtur morrat e gjalla, mund t'ju duhet t'i ndani flokët e fëmijës shumë shpejt ose të përdorni trajtimin me krehje të lagësht të sqaruar më poshtë.
Nëse mendoni se fëmija mund të ketë morra, duhet të kontrolloni për morrat e kokës te çdo anëtar i familjes.
Kur duhet të vizitoni mjekun për morrat e kokës ose thërijat
Duhet të vizitoni mjekun nëse:
- fëmija kruhet dhe gërvishtet shumë, sa që i ndërpritet gjumi;
- zhvillohen plagë në lëkurën e kokës së fëmijës;
- fëmija është trajtuar tre ose më shumë herë brenda një viti.
Trajtimi i morrave të kokës
Duhet të kontrollohen të gjithë anëtarët e prekur të familjes në të njëjtën kohë dhe të trajtohen nëse kanë morra. Ka dy mënyra për të trajtuar morrat e kokës: përdorimi i produkteve kundër morrave të kokës dhe krehja e flokëve të lagura.
Losione, lëngje dhe kremra kundër morrave
Në shumicën e vendeve mund të merrni produkte kundër morrave në barnatore pa recetë. Është e rëndësishme të ndiqni me kujdes udhëzimet. Substanca kryesore e përdorur është permetrin 1% që është miratuar për përdorim te fëmijët nga 2 muaj e lartë.
Morrat e kokës mund të bëhen rezistente ndaj kimikateve të këtyre produkteve, ndaj është e rëndësishme pasi të keni bërë trajtimin të kontrolloni nëse morrat kanë vdekur. Nëse nuk kanë vdekur, provoni të përdorni ndonjë produkt me përbërës aktiv të ndryshëm. Përbërësit e ndryshëm aktivë në këto produkte përfshijnë permetrin, malathion, spinosad ose piretrinë. Pyetni mjekun ose farmacistin nëse nuk jeni të sigurt se cilin produkt të provoni.
Pas një jave të trajtimit të parë të morrave duhet t’i trajtoni përsëri, për të vrarë çdo vezë.
Trajtimi duke krehur flokët e lagura
Ky trajtim për morrat e kokës përfshin krehjen e flokëve të lagur me një krehër të veçantë me dhëmbë të imët, metalik për morrat dhe balsam (kondicioner) për flokë. Këtë lloj të krehrit mund ta blini në barnatore dhe mund të përdorni çfarëdo lloj balsami.
Hapat që duhet t'i bëni:
- Aplikoni shumë balsam në flokët e lagur të fëmijës. Fërkojeni atë në lëkurën e kokës dhe përgjatë tërësisë së flokëve.
- Lëreni balsamin për të paktën 15 minuta. Ndërsa jeni duke pritur, mund t'i vendosni një kapelë të dushit fëmijës. Balsami i mbyt morrat dhe i bënë që ti heqin kthetrat e tyre nga flokët dhe lëkura e kokës.
- Përdorni krehrin e veçantë të morrave për të hequr balsamin nga flokët e fëmijës. Fusni krehrin derisa të prekë butësisht lëkurën e kokës dhe më pas lëvizeni poshtë në mënyrë stabile. Pastroni krehrin sa herë që e bëni këtë proces duke përdorur ndonjë faculetë ose ujë nga çezma. Mund të shihni se sa morra keni hequr nga flokët e fëmijës.
- Të paktën dy herë, krihni tërësisht kokën e fëmijës.
Krehja e përsëritur e flokëve të lagura është një trajtim shumë i mirë i morrave të kokës. Krihni çdo 2-3 ditë për dy javë rresht, derisa përgjatë krehjes nuk shihni fare vezë ose morra në kokën.
Krehja e flokëve të lagura merr kohë, shpesh më shumë se 30 minuta. Ju mund ta mbani fëmijën të shpërqendruar duke diskutuar ngjarjet e ditës ose duke e lënë fëmijën të lexojë libër, të luajë lojëra në një pajisje celulare, të shikojë televizor ose një film gjatë kohës që ju e krihni.
Nëse fëmija ka morra nuk është e nevojshme t'ia preni flokët, me prerje të flokëve nuk trajtohen ose parandalohen morrat.
Parandalimi i morrave të kokës
Morrat mund të përhapen lehtësisht tek fëmijët në të njëjtën klasë dhe gjithashtu edhe te të gjithë anëtarët e familjes.
Nëse fëmija ka morra ose thërija, kontrolloni të gjithë anëtarët e familjes. Ju duhet të trajtoni edhe anëtarët e tjerë të familjes nëse ankohen për kruarje të kokës dhe i gjeni morra ose thërija. Nëse flenë në të njëjtin shtrat me fëmijën e prekur, duhet të trajtohen pavarësisht nga simptomat.
Mos lejoni që fëmijët të ndajnë furçën e flokëve apo kapelat me njëri-tjetrin.
Fëmija nuk mund të marrë morrat e kokës nga gjëra si mobilet, jastëkët dhe tepihu. Por nëse ndonjë anëtar i familjes ka morra, rekomandohet të pastroni rrobat ose shtratin që personi ka përdorur në 48 orët e fundit. Ju gjithashtu mund të pastroni me fshesë elektrike tepihun dhe mobilet.
Është e rëndësishme të informoni edukatoren/mësuesen e çerdhes, parashkollorit, shkollës që fëmija ka morra. Fëmijën duhet ta mbani në shtëpi deri sa ta trajtoni.