Ndarja e fëmijës nga gjiri: ndalimi i ushqyerjes me gji

Bëjeni ndarjen e fëmijës nga gjiri ngadalë në mënyrë që fëmija juaj të mësohet me ndryshimin e rutinës dhe dietës, si dhe trupi juaj fillon të mësohet të mos prodhojë më qumësht. Në varësi të moshës së foshnjës suaj, ju mund të kaloni në gotë apo shishe. Mosha e foshnjës suaj përcakton gjithashtu nëse do të kaloni në formulë apo qumësht të lopës. Kur filloni ndarjen e fëmijës nga gjiri, ushqyerja me gji mund t'ju japë më pak mbrojtje nga shtatzënia, kësisoj është ide e mirë të merrni parasysh kontracepsionin.
Body

Çfarë është ndarja e fëmijës nga gjiri?

Ndarja apo largimi i fëmijës nga gjiri do të thotë ndalimi i ushqyerjes me gji.

Ndarja nga gjiri është fundi i ushqyerjes me gji, apo thënë ndryshe është momenti kur fëmija juaj nuk konsumon më qumësht gjiri. Largimi nga gjiri fillon kur fëmija juaj fillon të konsumoj ushqim tjetër përveç qumështit të gjirit gjatë ditës, dhe ndarja përfundon kur ai/ajo nuk pin më qumësht gjiri.

Ju mund të vendosni të ndaloni ushqyerjen me gji atëherë kur ose para se fëmija juaj të mbushë 6 ose 12 muaj. Për shembull, mund të filloni të mendoni për largimin nga gjiri kur jeni duke u përgatitur për t'u kthyer në punë.

Fëmija juaj madje mund të fillojë të ndahet nga gjiri para se ju të jeni gati, por kjo është më pak e zakonshme.

Ushqyerja ekskluzivisht me gji rekomandohet derisa fëmija juaj të fillojë të hajë ushqime të ngurta, diku rreth moshës gjashtë muajshe. Është më mirë për fëmijën tuaj nëse vazhdoni ta ushqeni me gji përderisa i filloni fëmijës ushqimet e ngurta, deri së paku në moshën 12 muajshe.

Procesi i ndarjes nga gjiri

Kur të ndaloni ushqyerjen me gji, është mirë që këtë gjë ta bëni gradualisht. Në këtë mënyrë fëmija juaj mund të mësohet me ndryshimin e rutinës dhe dietës, si dhe trupi juaj fillon të mësohet të mos prodhojë më qumësht.

Nëse vendimi për largimin nga gjiri është i juaji dhe jo i foshnjës suaj, mund t'ju duhet t'i ofroni ngushëllim tjetër foshnjës suaj, derisa të kaloni në ushqyerje me shishe ose pije nga gota. Përqafimet e shumta dhe koha e kaluar me ju mund ta ndihmojnë fëmijën tuaj të ndihet i/e sigurt dhe i/e dashur pa u mbështetur në gji.

Largimi i gjirit për fëmijën
Ju mund ta mësoni foshnjën të pijë me gotë ose shishe. Ky vendim varet nga mosha e foshnjës suaj - nëse foshnja juaj është rreth 7-8 muajsh, ai/ajo mund të mësojë të pijë direkt nga gota.

Mosha e foshnjës suaj përcakton gjithashtu nëse duhet të zëvendësohet ushqyerja me qumësht gjiri me formulën e foshnjave pasi foshnjave më të vogla se 12 muaj nuk duhet t'u jepet qumësht lope, dhe kësisoj duhet të kalohet në formulë.

Kur filloni procesin e largimit nga gjiri, hapi i parë është të zëvendësoni vaktin e ushqyerjes me gji që fëmija juaj e pëlqen më së paku, me formulë për foshnja. Zvogëlojeni gjidhënien nga një racion me qumësht gjiri dhe prisni disa ditë ose një javë para se t'ia largoni komplet gjirin.

Ndikimi i ndarjes së fëmijës nga gjiri tek nëna
Nëse e ndaloni shpejt ushqyerjen me gji, gjinjtë tuaj mund të mbushen me qumësht dhe të bëhen shumë të parehatshëm. Për të parandaluar fryrjen e gjinjve, ndonjëherë mund t'ju duhet të shtrydhni (pomponi/ mjelni) qumështin tuaj. Nxirrni mjaftueshëm sa për t'u bërë rehat – nëse nxirrni shumë, në fakt do të stimuloni rritje të prodhimit të qumështit.

Disa nëna duhet të kalojnë nga një ushqyerje në një ditë në një ushqyerje në disa ditë për të shmangur gjinjtë e fryrë, përpara se të ndalojnë krejtësisht ushqyerjen me gji.

Kujdes gjoksin e tejfryrë me gunga. Pasi fëmija juaj të ketë ndërprerë ushqyerjen me gji, ju mund të keni gjoks të tejfryrë me gunga për 5-10 ditë. Gungat mund të jenë shenjë e kanaleve të bllokuara ose fillim i mastitit. Nëse kjo ndodh, provoni t’i bëni masazh gungave ose të nxirrni sasi të vogla qumështi. Kjo mund të ndihmojë në uljen e gungave.

Nëse ndonjë gungë përsëritet ose është e dhimbshme apo filloni të ndjeni simptoma të ngjashme me gripin, vizitoni mjekun tuaj të përgjithshëm sa më shpejt të jetë e mundur.

Nëse foshnja juaj është më i/e rritur se gjashtë muaj dhe është duke u zhvilluar mirë, mund të konsideroni mundësinë e largimit të tij/ nga gjiri gjatë natës, ndërkohë të vazhdoni ta ushqeni me gji gjatë ditës. Nga ana tjetër, nëse jeni e kënaqur me ushqyerjen e foshnjës suaj gjatë natës, mund të vazhdoni ta ushqeni atë sipas kërkesës. Ju mund të zgjidhni atë që funksionon më së miri për ju dhe fëmijën tuaj.

Largimi nga gjiri, shtatzënia dhe kontracepsioni

Ushqyerja me gji ju jep njëfarë mbrojtje nga shtatzënia, veçanërisht nëse:

  • keni ushqyer ekskluzivisht me gji;
  • menstruacionet tuaja nuk janë kthyer akoma;
  • foshnja juaj është më pak se gjashtë muajshe dhe nuk fle për periudha të gjata ndërmjet ushqyerjes.

Kur filloni ta largoni fëmijën tuaj nga gjiri, ushqyerja me gji mund t'ju japë më pak mbrojtje nga shtatzënia, kësisoj duhet të keni parasysh forma të tjera të kontracepsionit.

Nëse jeni duke menduar për kontracepsion oral – qoftë pilulën e kombinuar ose minipilulën – duhet t’i keni parasysh disa gjëra:

  • Është e sigurt të filloni pilulën e kombinuar (estrogjen dhe progesteron) ndërkohë që fëmija juaj është ende duke u ushqyer me gji kohë pas kohe. Pilula e kombinuar ndihmon në reduktimin e furnizimit me qumësht gjiri.
  • Duhet të keni më shumë kujdes me minipilulën nëse është kontracepsioni juaj i vetëm përveç ushqyerjes me gji. Për shembull, duhet ta merrni brenda tri orëve të së njëjtës kohë çdo ditë.

Pilula është ilaç me recetë, kështu që do t'ju duhet të vizitoni mjekun tuaj të përgjithshëm ose mjekun obstetër për ta marrë atë. Mjeku juaj do t'ju tregojë se si ta përdorni siç duhet, në mënyrë që të mbroheni nga shtatzënia.

Gjërat që duhen pasur parasysh në lidhje me ndarjen e fëmijës nga gjiri

Në rast të largimit nga gjiri të një foshnje më të rritur ose fëmijëve të vegjël, duhet të veproni ngadalë, duke ndryshuar gradualisht rutinën e fëmijës suaj.

Është gjithashtu mjaft e zakonshme të ndiheni paksa të pikëlluar pas ushqimit tuaj të fundit me gji, edhe nëse mezi prisnit ndarjen e fëmijës nga gjiri.

Hormonet tuaja mund të kërkojnë pak kohë për t'u kthyer në gjendje normale. Disa gra fillojnë të ovulojnë sapo të zvogëlojnë ushqyerjen e natës ose të fillojnë ndarjen e fëmijës nga gjiri, ndërsa te disa rikthimi i ovulimit dhe menstruacioneve zgjat disa muaj.