Ndërprerja e përkohshme e gjidhënies
Kushtet që paraqesin një kundër indikacion të përhershëm ndaj ushqyerjes me gji janë shumë të rralla; dukshëm më të zakonshme janë situatat kur kundër indikacionet janë të përkohshme dhe nëna mund të ushqej me sukses me gji sapo të bëhet mirë, nëse është sëmundje akute, ose pas përfundimit të trajtimit të nevojshëm që ka një kundër indikacion ndaj ushqyerjes me gji. Shumë më të zakonshme janë “kundër indikacionet relative”, të cilat mund të përshkruhen më saktë si pengesa dhe sfida ndaj ushqyerjes me gji. Prindërit shpesh marrin informacione kontradiktore dhe konfuze, madje edhe mashtruese dhe këshilla për të ndaluar dhënien e gjirit kur ndërprerja në të vërtetë nuk është e nevojshme, ose ushqyerja me gji duhet të ndërpritet vetëm për një kohë të shkurtër.
Sëmundjet akute të nënës dhe ethet
Në pothuajse të gjitha situatat kur sëmureni gjatë kohës që jeni nënë gjidhënëse, ju mund ta vazhdoni gjidhënien. Vazhdimi i ushqyerjes me gji gjatë sëmundjes mbart një sërë përfitimesh si për ju ashtu edhe për fëmijën tuaj. Gjatë një infeksioni, trupi juaj krijon antitrupa që kalojnë në qumësht dhe ndihmojnë në mbrojtjen e fëmijës. Ndërprerja e menjëhershme e gjidhënies mund të shkaktojë tejmbushjen e gjirit dhe shfaqjen e etheve dhe fëmija mund të shqetësohet. Ndërsa nëna është e sëmurë, ushqyerja me gji është një mënyrë më e thjeshtë e të ushqyerit; nuk ka përgatitje formulash, sterilizim shishe dhe nuk ka nevojë të ngrihet për të ushqyer fëmijën.
Rastet kur ndodhë ndërprerja e gjidhënies nëse temperatura e trupit të gruas që ushqen fëmijën me gji është 38 °C ose më e lartë nuk është e rrallë. Por, kjo situatë dëmton procesin e gjidhënies, ndërkohë që nuk është vërtetuar se bartja e infeksioneve tek fëmijët rritet. Është veçanërisht e dëmshme ndalimi i gjidhënies nëse shkaku i etheve të nënës është një kanal i bllokuar i qumështit; në këtë situatë, ushqyerja me gji është në fakt trajtimi - ju kurrë nuk mund ta zbrazni gjoksin më plotësisht se sa që foshnja juaj mundet. Ethet e një nëne që ushqen fëmijën me qumësht gjiri ndonjëherë mund të shkaktohen nga një kanal i bllokuar i qumështit, kështu që ndërprerja e dhënies së gjirit vetëm e përkeqëson problemin, sepse askush nuk mund ta zbrazë gjoksin si fëmija.
Verdhëza e të porsalindurve
Nëse foshnja juaj ka verdhëz të të porsalindurve, nuk keni nevojë të ndërprisni ushqyerjen me gji. Vetëm në raste të rralla të hyperbilirubinemisë të rëndë mund të ketë nevojë për ndërprerje të përkohshme afatshkurtër të gjidhënies.
Shtrimi i nënës në spital
Nëse keni nevojë të keni një procedurë kirurgjikale gjatë periudhës sa jeni nënë gjidhënëse ose të shkoni në spital për një procedurë diagnostikuese ose trajtim, kjo procedurë mjekësore mund të ndërhyjë në ushqyerjen me gji të fëmijës suaj. Në konsultim me mjekun, shtyni të gjitha procedurat që mund të shtyhen pa pasoja, derisa të përfundoni gjidhënien. Nëse vonesa nuk është e mundur, njoftoni mjekun që jeni nënë gjidhënëse , moshën e fëmijës, nëse ai/ajo ushqehet ekskluzivisht me gji ose merr ushqim plotësues, nëse ushqimet e ngurta tashmë janë prezantuar në menynë e fëmijës. Gjatë shtrimit në spital, duhet të zbrazni rregullisht gjinjtë tuaj; kërkoni ndihmë nga stafi dhe, nëse është e mundur, kërkoni pajisje pompimi. Një mënyrë tjetër është që anëtarët e familjes suaj të sjellin pajisje të pastër pompimi dhe ta bartin qumështin tuaj të gjirit tek foshnja. Ndiqni rekomandimet për mbledhjen, ruajtjen dhe transportin e sigurt të qumështit të gjirit! Nëse keni nevojë për medikamente, mjeku juaj, sa herë që të jetë e mundur, do të zgjedhë ato me të cilat mund të vazhdoni gjidhënien në mënyrë të sigurtë. Administrimi i barnave që nuk rekomandohet gjatë dhënies së gjirit është një kundër indikacion i përkohshëm i ushqyerjes me gji. Gjatë kësaj kohe, ju do të vazhdoni të zbrazni gjinjtë rregullisht, por nuk do t'ia jepni qumështin e gjirit foshnjës. Ai/ajo do të ushqehet me formulë derisa trajtimi juaj të përfundojë.
Në të gjitha situatat e tjera kur nuk jeni të sigurt nëse mund të ushqeni me gji fëmijën tuaj, konsultohuni me mjekun — gjinekologun, pediatrin, specialistin përkatës në rast të sëmundjes ose gjendjes specifike si dhe farmacistin. Nuk është e rrallë që prindërit të marrin informacione kontradiktore dhe konfuze, madje edhe mashtruese dhe këshilla për të ndërprerë dhënien e gjirit kur ndërprerja nuk është e domosdoshme, ose ushqyerja me gji duhet vetëm të ndërpritet për një kohë të shkurtër. Përdorimi i medikamenteve gjatë ushqyerjes me gji është një nga arsyet më të zakonshme për ndërprerjen e padëshiruar dhe të pajustifikuar të laktacionit.
Nëse, për shkak të sëmundjes ose medikamenteve është e nevojshem të ndërpreni gjidhënien për një kohë të shkurtër, do t'ju duhet durim dhe këmbëngulje pas shërimit në mënyrë që të rivendosni laktacionin dhe të futni fëmijën në gji. Çdo ndërprerje e laktacionit përbën rrezikun e ndërprerjes së përhershme të gjidhënies, me të gjitha rreziqet shëndetësore të privimit të fëmijës nga qumështi i gjirit.