Ndotja e Ajrit dhe Shëndeti: Ndikimet dhe Masat e Kujdesit
Ndotja e ajrit është një problem serioz që ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut dhe mjedisin që na rrethon. Ajo përbëhet nga praninë e substancave të dëmshme si grimcat e pluhurit, oksidet e azotit, dioksidi i karbonit, dhe shumë substanca të tjera që e ndotin ajrin. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndotja e ajrit shkaktoi rreth 6.7 milionë vdekje në vitin 2019, dhe mbi 85% e këtyre vdekjeve ishin nga sëmundjet jo ngjitëse, përfshirë sëmundjet ishemike të zemrës, goditjen në tru, kancerin e mushkërive, astmën, sëmundjen kronike obstruktive pulmonare dhe diabetin.
Burimet e Ndotjes së Ajrit
Burimet stacionare përfshijnë ngrohtoret, termolelektranat dhe bujqësinë, të cilat kryesisht e ndotin ajrin me grimcat e pluhurit PM2.5, PM10, dioksid sulfuri (SO2), monoksid karboni (CO), dhe dioksid karboni (CO2).
Burimet mobile, si trafiku rrugor dhe ajror, janë gjithashtu një faktor i rëndësishëm ndotës, pasi ato lëshojnë grimca të pluhurit PM2.5 dhe PM10, okside azoti (NOx), ozon, CO, CO2 etj.
Efektet në Shëndet
Ndotësit e ajrit depërtojnë në organizëm përmes rrugëve të sipërme respiratore, dhe varësisht nga madhësia e grimcave, mund të arrijnë deri në nivelin alveolar të mushkërive, duke shkaktuar probleme shëndetësore. Efektet mund të jenë të menjëhershme (akute) ose afatgjata (kronike), në varësi të nivelit të ekspozimit dhe kohëzgjatjes.
Efektet akute të ndotjes së ajrit:
- Iritim i mukozës së syve dhe fytit
- Kollë dhe vështirësi në frymëmarrje
- Shtrëngim në gjoks dhe çrregullim të ritmit të zemrës
- Lodhje dhe shqetësime të tjera
Efektet kronike të ndotjes së ajrit:
- Sëmundje respiratore, si astma bronkiale, sëmundje obstruktive mushkërore, kancer i mushkërive, bronkit dhe pneumoni
- Sëmundje kardiovaskulare, përfshirë hipertension, sulme në zemër, goditje në tru dhe anemi
- Ngecje në zhvillimin psiko-fizik të fëmijëve
- Rritje e rrezikut për lindje të parakohshme, abort spontan dhe peshë të ulët në lindje
- Rritje e rrezikut për vdekje të parakohshme
Grupet Vulnerabile
Disa grupe janë më të ndjeshme ndaj efekteve të ndotjes së ajrit, përfshirë:
- Fëmijët, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj dëmeve në zhvillimin e mushkërive dhe sistemit kardiovaskular
- Të sëmurët me sëmundje kronike, si sëmundjet e zemrës dhe ato respiratore
- Të moshuarit, të cilët kanë sistem imunitar më të dobët
- Shtatzënat, për të cilat ndotja e ajrit mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve gjatë shtatëzanisë dhe lindjes
Rekomandime për Përballimin e Ndotjes së Ajrit
Masa individuale:
- Mospërdorimi i automjeteve, duke preferuar ecjen, përdorimin e biçikletës ose transportin publik
- Planifikimi i aktiviteteve në periudha kur ajri është më i pastër
- Qëndrimi brenda shtëpisë gjatë periudhave me ndotje të lartë ajri
- Përdorimi i maskës ose shallit për mbulimin e hundës dhe gojës
- Kontrollimi i Indeksit të Cilësisë së Ajrit (ICA) dhe veprimi sipas të dhënave
- Hedhja e mbeturinave në vende adekuate, për të parandaluar ndotjen e mëtejshme
- Kursimi i energjisë elektrike, dhe përdorimi i energjisë së ripërtritshme
Masa të përgjithshme:
- Zvogëlimi i emitimeve të ndotjes nga burime të ndryshme
- Investime në teknologji të gjelbër që do të ndihmojnë në uljen e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit
- Shtimi i hapësirave gjelbëruese në qytete, për të absorbuar ndotësit dhe përmirësuar ajrin
- Mirëmbajtja e rrugëve dhe hapësirave publike për të reduktuar ndotjen e shkaktuar nga trafiku
- Ngritja e vetëdijes dhe edukimi i komunitetit, për të stimuluar masa individuale dhe kolektive kundër ndotjes
Për të mbrojtur shëndetin tonë dhe mjedisin, është e domosdoshme që të ndërmarrim masa për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve të jetesës. Ky artikull gjithashtu thekson se fëmijët dhe shtatzënat janë grupe të veçanta të rrezikuara nga ndotja e ajrit, pasi ndikimet e tij mund të shkaktojnë probleme serioze në zhvillimin e shëndetit dhe mirëqenies së tyre. Për këtë arsye, kujdesi i veçantë dhe mbrojtja ndaj këtyre grupeve është thelbësor. Përdoruesit e aplikacionit Foleja, si prindërit dhe ofruesit e shërbimeve për fëmijët, duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet e ndotjes dhe të ndërmarrin masa të përshtatshme për të siguruar një ambient të shëndetshëm për fëmijët e moshës 0-6 vjeç.
Burimi: Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës