Ndryshimi i mjedisit të fëmijës suaj: çfarë do të thotë ajo?
Nëse fëmija juaj sillet në një mënyrë që nuk ju pëlqen juve, është ide e mirë të shikoni se çfarë po ndodh në mjedisin e fëmijës suaj. Duke e ndryshuar mjedisin e fëmijës suaj, mund të ndryshoni edhe sjelljen e fëmijës suaj.
Ndryshimi i mjedisit mund të nënkuptojë thjesht bërja e ndryshime të vogla dhe të menaxhueshme në atë që po ndodh rreth fëmijës suaj. Nuk do të thotë shpërngulje, ndryshim të mobilieve, instalim i pajisjeve të shtrenjta për lojë dhe kështu me radhë!
“Mjedisi” i fëmijës suaj: çfarë është ai?
Kur është fjala për sjelljen e fëmijëve, mjedisi thjesht do të thotë gjëra të vogla rreth fëmijës suaj. Mjedisi i sjelljes së fëmijës suaj përfshin:
- vendndodhjen e tij — për shembull, në park, në shtëpi, në supermarket
- lodrat, librat dhe pajisjet për lojë, por edhe gjëra të tjera, me të cilat mund të mos dëshironi që ai të luajë
- fëmijët e tjerë dhe mënyra se si sillen
- ndjesia si zhurma dhe drita
- koha e ditës
- kërkesat dhe udhëzimet tuaja.
Këto gjëra mund të ndikojnë në sjelljen e fëmijës tuaj dhe madje të shkaktojnë sjellje të padëshiruara ndonjëherë. Për shembull, është normale që fëmija juaj:
- të dëshirojë të luajë me gjërat rreth tij/saj
- ta shqyrtoj rrethinën
- të ndjehet i/e lodhur nëse është koha për gjumë
- të ndjehet i/e lodhur nëse ka shumë zhurmë apo aktivitet
- të mos dojë t’i ndajë lodrat e tij/saj të preferuara
- të mos i ndjek udhëzimet tuaja nëse ai/ajo nuk i kupton ato.
Ndryshimi i mjedisit fizik të fëmijës
Këtu janë dhënë disa ide për ndryshimin e gjërave fizike në mjedisin e fëmijës suaj, me qëllim të ndihmesës së fëmijës suaj që të sillet ashtu siç dëshironi.
Në shtëpi
- Zhvendosni sendet që thyhen lehtë ose gjërat e shtrenjta nga sytë dhe qasja e tij/saj — kjo është e rëndësishme për sigurinë, si dhe sjelljen e mirë të fëmijës.
- Krijoni një “hapësirë të qetë” që fëmija juaj ta përdorë kur ndihet i mbingarkuar. Kjo mund të jetë vetëm një jastëk i veçantë me disa nga librat e preferuar të fëmijës suaj aty pranë.
- Sigurohuni që ekranet si tableta dhe televizorët të jenë jashtë sferës së shikimit, kur keni nevojë që fëmija juaj të përqendrohet në diçka duke u përgatitur për shkollë në mëngjes.
Në ambientin e jashtëm
- Zgjidhni një hapësirë të sigurt jashtë nëse mundeni — për shembull, një oborr, zonë për lojë ose oborrin e shtëpisë. Ju do të jeni më pak të stresuar, dhe aktivitetet e fëmijës suaj kanë më pak gjasa t’i shqetësojnë të tjerët.
- Në makinë, tren ose autobus udhëtime, ndërroni vendin ku zakonisht uleni të gjithë. Për shembull, njëri prind të ulet në mes të dy fëmijëve. Ose lëreni njërin fëmijë të ulet pranë dritares për një kohë, pastaj ndërrojani vendet.
- Për një ditë familjare, kërkoni vende që kanë gjëra që ju dhe fëmija juaj do të kënaqeni - për shembull, një shesh lojërash për fëmijën tuaj dhe një karrocë kafeje për ju.
- Përdorni muzikë për ta ndryshuar mjedisin në një udhëtim me makinë. Ju mund të lëshoni muzikë optimiste nëse fëmija juaj është i mërzitur, ose muzikë qetësuese kur doni që ai/ajo të rehatohet.
Lodrat dhe gjësendet
- Instaloni një portë për fëmijët në derën e dhomës së vëllait, motrës më të madhe. Kjo do t’i japë fëmijës më të vjetër ca kohë të luajë me lodra, i/e pashqetësuara nga vëlla/motra më e vogël.
- Vendosni lodrat e preferuara të fëmijës suaj në një vend që ai mund të ketë qasje. Në këtë mënyrë ai nuk do të tundohet të ngjitet ose të hyjë në vende të pasigurta kur është në kërkim të lodrave të tij.
- Ndihmoni fëmijën tuaj t’i zgjedh dhe t’i vë larg lodra, që ndoshta nuk dëshiron t’i ndajë me fëmijët që kanë ardhur mysafirë.
Ndryshimi i kohës së aktiviteteve në mjedisin e fëmijës suaj
Ju mund ta ndryshoni mjedisin e fëmijës suaj duke ndryshuar kur ndodhin gjërat. Këtu janë disa ide:
- Inkurajoni aktivitete të qeta dhe qetësuese para gjumit.
- Merrni fëmijën tuaj në pazar pasi ta bëjë gjumin e pasdites.
- Ngrihuni më herët për të zvogëluar presionin dhe stresin e nxitimit për në shkollë.
- Filloni dushin më herët për ta shmangur zënkat rreth bërjes së dushit.
- Planifikoni pushime të shpeshta në një vozitje të gjatë me makinë.
Ndryshimi i kërkesave dhe udhëzimeve
Ju mund të jeni në gjendje ta ndryshoni sjelljen e fëmijës tuaj duke ndryshuar mënyrën se si i thoni ose kërkoni fëmijës tuaj t’i bëjë gjëra.
Një udhëzim është kur i thoni fëmijës tuaj të bëjë diçka. Nëse jepni udhëzime të qarta, të shkurtra dhe të thjeshta, fëmija juaj do të dijë se çfarë pritet prej tij — për shembull, “Mbaje dorën time kur e kalojmë rrugën”. Mirëpo fëmijët mund të ndihen të mbingarkuar ose të rebelohen nëse ka shumë udhëzime.
Kërkesë është kur ju i kërkoni fëmijës tuaj për të bërë diçka. Për shembull, “A mund ta rregullosh tryezën , të lutem?” Fëmija juaj mund të zgjedhë të thotë po ose jo ndaj një kërkese. Kërkesat i japin fëmijës zgjedhje dhe një ndjenjë kontrolli, gjë që mund të bëjë që fëmija juaj të bashkëpunojë më shumë.
Është një ide e mirë që të synohet një përzierje e udhëzimeve dhe kërkesave. Përpiquni t’i përdorni më shpesh kërkesat sesa udhëzimet.
|