Ngrirja
Ngrirja (ose hipotermia) është një gjendje shumë serioze që ndodh kur temperatura e trupit bie nën 35 °C. Shkaqet më të zakonshme që mund të çojnë në hipotermi janë: djersitja në mot të ftohtë, kushtet e motit me temperatura të ulëta, lagështia dhe era, mbytja në ujë (veçanërisht nëse temperatura e ujit është nën 10 °C), dehidratimi, etj.
Body
Si të parandalohet ngrirja?
Fëmija nuk duhet të ekspozohet ndaj kushteve ekstreme të motit, siç janë stuhia e dëborës, etj. ndërsa nëse ju ndodh të jeni jashtë kur kushtet e motit fillojnë të përkeqësohen, atëherë futeni menjëherë fëmijën brenda!
Ndiqni këto rekomandime:
- Kapelat dhe rrobat për mot të ftohtë duhet të jenë me fije të thurura fort (p.sh. lesh) sepse sigurojnë izolim dhe lejojnë transferimin e lagështisë nga lëkura në mjedisin e jashtëm. Shmangni rrobat e pambukut, sepse thithin ujë dhe qëndrojnë të lagura.
- Mbroni pjesët e ndjeshme të trupit (fytyrën, duart, këmbët) nga i ftohti.
- Rrobat duhet të jenë në shtresa, në mënyrë që rrobat të shtohen ose të hiqen në përputhje me kushtet e motit dhe aktivitetin fizik të fëmijës.
- Nëse rrobat lagen, ndërrojani me rroba të thata sa më shpejt që të jetë e mundur.
- Jepini fëmijës suaj shumë pije të nxehta dhe me kalori të lartë (si çokollata e nxehtë, etj.). Nëse këto pije nuk janë në dispozicion, jepini ujë për ta parandaluar dehidratimin.
- Fëmija duhet të bëjë pushime më të shpeshta nga qëndrimi në të ftohtë për të mbajtur trupin të ngrohtë.
- Nëse fëmija fillon të dridhet, rritni nivelin e aktivitetit, ngrohni edhe fëmijën, shtoni një burim nxehtësie ose largojeni fëmijën nga i ftohti.
Kini kujdes pranë ujërave të ftohta (lumenj, liqene, det) dhe gjithmonë sigurojini fëmijës një jelek të përshtatshëm shpëtimi.