Pse është e rëndësishme që fëmija juaj të vaksinohet
Imunizimi ndihmon në mbrojtjen e fëmijës tuaj nga sëmundjet infektive, të cilat mund të jenë edhe kërcënuese për jetën e tyre. Vaksinat janë një nga ndërhyrjet më të efektshme të shëndetit publik, duke parandaluar 2-3 milion vdekje në vit.
Imunizimi parandalon sëmundjen si dhe përhapjen e saj në komunitet. Duke ju falenderuar vaksinimit shumë sëmundje ngjitëse nuk i kemi më në mesin tonë.
Vaksinimi masiv i popullatës krijon imunitetin kolektiv. Imuniteti kolektiv krijohet kur arrihet mbulueshmëria e 84-94% të komunitetit me vaksinim varësisht nga sëmundja. Imuniteti kolektiv është i domosdoshëm për të mbrojtur fëmijët e pambrojtur të cilët ende nuk janë vaksinuar për arsye të ndryshme.
Sëmundjet e parandalueshme me vaksinë janë shumë të rralla duke ju falenderuar Programit të Zgjeruar të Imunizimit. Vaksinimi është ende thelbësor për të ndaluar rikthimin e këtyre sëmundjeve. Përvoja e kaluar nga disa vende ka treguar se me rënie të shkallës së imunizimit është shkaktuar kthimi i sëmundjeve të cilat tashmë ishin eliminuar si fruthi, kolla e mirë dhe poliomieliti (paraliza e fëmijëve).
Gratë shtatzëna
Nëse planifikoni me kohë shtatzëninë, atëherë 3 muaj para shtatzënisë rekomandohet vaksinimi me një dozë të vaksinës kundër rubellës, gjithashtu nëse planifikoni shtatzëninë kontrolloni kalendarin e vaksinimit në rast se nuk e keni të kompletuar. Gjithashtu, rekomandohet vaksina e rabiesit të merret si dozë rikujtuese.
Nëse jeni shtatzëne rekomandohet që të merrni vaksinën sezonale të gripit. Kjo mund të bëhet në çdo kohë të shtatzënisë.
Vaksinat ju ndihmojnë të mbroni vetën dhe foshnjën tuaj.