Dhimbja e kokës
Shkaqet e dhimbjes së kokës
Tek fëmijët, dhimbjet e kokës mund të shkaktohen nga:
- sëmundjet infektive - për shembull, sinusiti, ftohja ose gripi;
- muskujt e tendosur si pasojë e ankthit, lodhjes ose kërcitjes së dhëmbëve gjatë gjumit;
- probleme me shikim - për shembull, lodhja e syve;
- dëmtimet e kokës;
- migrena;
- medikamentet - për shembull, kontraceptivët oralë, kortikosteroidet dhe antidepresantët.
Fëmijët më të rinj në krahasim me të rriturit, priren të kenë më pak tendosje të muskujve dhe migrenë, megjithëse këto probleme janë shkaktarët më të zakonshme të dhimbjes së kokës tek adoleshentët.
Mos pirja e lëngjeve në sasi të duhur, pagjumësia dhe niveli i lartë i kafeinës mund të shkaktojnë dhimbje koke ose të përkeqësojnë atë. Veçanërisht, ndikojnë tek fëmijët aktivë të moshës shkollore gjatë muajve të verës.
Dhimbjet e kokës gjithashtu mund të ndërlidhen me meningjitin, tumoret e trurit ose gjakderdhjen në tru, por sëmundjet e tilla janë të rralla.
Simptomat e dhimbjes së kokës
Në disa raste, dhimbja e kokës është e lehtë saqë fëmijët mund të vazhdojnë me aktivitetet e tyre normale. Por, ndonjëherë dhimbja e kokës mund t'i bëjë fëmijët të ndihen vërtet të sëmurë, mund të kenë nevojë të shtrihen e të pushojnë.
Dhimbjet e kokës mund të jenë të forta ose të lehta, në njërën anë të kokës ose në të gjithë kokën dhe qafë. Dhimbja e kokës mund të përjetohet si ndjesi e goditjes ose thjesht si shtrëngim i muskujve.
Migrena tek fëmijët dhe adoleshentët mund të ketë simptoma si dhimbje e përsëritur në njërën ose në të dyja anët e kokës, të përziera dhe të vjella, dhimbje barku dhe ndonjëherë si një lloj “aura” përpara se të fillojë dhimbja e kokës.
Aura e migrenës ndikon në shikim ose dëgjim. Fëmija mund të shohë drita që lëkunden rreth objekteve ose të kenë ushtimë në veshë. Gjithashtu, mund të mos i pëlqejë drita shumë e ndritshme, zhurmat e larta si dhe mund të dëshirojë të flejë gjatë ditës, pavarësisht kohës.
Në cilat raste duhet të vizitoni mjekun lidhur me dhimbjet e kokës
Fëmija duhet ta vizitoj mjekun menjëherë nëse:
- zgjohet nga gjumi me dhimbje koke;
- përveç dhimbjes së kokës ka edhe të përziera dhe të vjella;
- i paraqiten dhimbje koke të papritura dhe të forta ku dhimbjet më të mëdha janë pas zgjimit nga gjumi dhe që vijnë me të përziera ose të vjella;
- i përsëritet dhimbja e kokës;
- ka dhimbje koke që fillon t'i pengojë në përditshmërinë e jetës në shtëpi, shkollë dhe shoqëri;
- nuk ka përmirësime me trajtimet e përshkruara më poshtë.
Gjithashtu, menjëherë fëmija duhet të vizitojë mjekun nëse ka dhimbje koke dhe ndonjë nga simptomat e mëposhtme:
- temperaturë të lartë
- konvulsione
- konfuzion ose përgjumje
- shikim të turbullt
- paqëndrueshmëri gjatë ecjes
- qafë të tendosur
- lëndime të kokës duke përfshirë tronditjet
- skuqje të pazakontë.
Ekzaminimi lidhur me dhimbjen e kokës
Kryesisht, dhimbjet e zakonshme të kokës nuk kërkojnë teste të veçanta ose specifike. Mjeku në shumicën e rasteve, përcakton diagnozën pas bisedës me ju dhe fëmijën si dhe pas një ekzaminim fizik, që përfshin ekzaminimin e nervave, muskujve dhe syve të fëmijës.
Nëse mjeku konsideron se dhimbja e kokës së fëmijës është më serioze, mund ta referojë fëmijën të bëjë ekzaminim të syve ose te neurologu pediatrik. Në raste të rralla, fëmija mund të ketë nevojë për skanim CT ose skanim MRI.
Trajtimi i dhimbjes së kokës
Zakonisht, dhimbjet e kokës të pakomplikuara trajtohen duke e qetësuar fëmijën, për shembull: shtrirjen në një dhomë të errët.
Mund t'i masazhoni zonën e ndikuar nga shtrëngimi i muskujve.
Shpërqendrimi i fëmijës me një lojë të qetë, mund t’ia largojë vëmendjen nga dhimbja.
Nëse dhimbja vazhdon bazuar në udhëzime, mund t'i jepni paracetamol ose ibuprofen. Fëmija nuk duhet të marrë shumë shpesh ilaçe kundër dhimbjeve. Nëse ka tendencë të tillë, atëherë duhet të konsultoheni me mjekun.
Nëse vëreni se dhimbja e kokës së fëmijës është e lidhur me stresin, përpiquni të kuptoni shkaktarët e stresit. Pastaj, mund ta ndihmoni fëmijën duke ia shmangë gjërat që e stresojnë.
Nëse fëmija ka migrenë që vazhdimisht i përsëritet, mjeku mund të rekomandojë një plan për të parandaluar dhe trajtuar dhimbjet e kokës nga migrena.