Çarja e buzës dhe çarja e qiellzës
Rreth çarjes së buzës dhe çarjes së qiellzës
Buza ose qiellza është e çarë kur buza ose qiellza e gojës nuk mbyllen siç duhet. Kështu formohet çarje ose boshllëk, në buzë ose qiellzë. Çarja e buzës dhe çarja e qiellzës mund të ndodhin veçmas ose mund të ndodhin së bashku. Çarja vetëm e buzës është më e zakonshme.
Çarja e buzës dhe çarja e qiellzës janë defekte të lindura/kongjenitale, do të thotë që ato ndodhin gjatë zhvillimit të fetusit dhe janë të pranishme që në lindje.
Nuk dihet saktësisht se çfarë e shkakton çarjen e buzës dhe çarjen e qiellzës. Besohet që kryesisht shkaktohen nga ndikimet gjenetike, megjithëse shpeshherë rezulton të mos jetë gjenetike.
Ekzistojnë disa dëshmi që theksojnë se pirja e duhanit dhe pirja e alkoolit gjatë shtatzënësisë, diagnostikimi me diabet para shtatzënisë dhe mbipesha gjatë shtatzënësisë, mund të rrisin rrezikun e lindjes së fëmijës me çarje të buzë ose çarje të qiellzës.
Mos harroni, lindja e fëmijës me problem të tillë mund të jetë shqetësuese, por çarja e buzës dhe çarja e qiellzës mund të shërohen.
Simptomat e çarjes së buzës dhe çarjes së qiellzës
Çarja e buzës dhe/ose çarja e qiellzës ndryshojnë për nga ashpërsia e problemit. Këto defekte mund të variojnë nga çarje e vogël në buzën e sipërme, deri tek krijimi i vrimave në buzë dhe qiellzë.
Kur qiellza është e qarë, vrima që ndodhet në pjesën e sipërme të qiellzës nënkupton se lidhja midis gojës dhe hundës është jonormale.
Probleme tjera që ndërlidhen me çarjen e buzës dhe çarjen e qiellzës
Foshnjat me qiellzë të çarë mund të kenë probleme të konsiderueshme me të ushqyerit, sepse e kanë të vështirë ose të pamundur të thithin, edhe pse nuk kanë probleme me gëlltitjen.
Foshnjat me qiellzë të çarë, kanë predispozita të larta të marrin infeksione në vesh, të cilat rrezikojnë dëmtimin e dëgjimit.
Fëmijët që kanë çarje të buzës dhe qiellzës, gjithashtu mund të kenë probleme me dhëmbët dhe mishrat e dhëmbit. Për shembull, mund të mos kenë ndonjë dhëmbë apo të kenë dhëmbë shtesë, dhëmbë që dalin në vende jo të duhura ose në drejtim jonormal. Mund të ndikojë në dëmtimin e dhëmbëve të qumështit dhe/ose dhëmbët e pjekurisë.
Çarja e buzëve dhe çarja e qiellzës mund të shkaktojë zërin hundorë të të folurit dhe gjithashtu mund të ndikojë në mënyrën se si duken hundët e fëmijës.
Mjekimi i çarjes së buzës dhe çarjes së qiellzës
Mjekimi i çarjes së buzëve dhe/ose çarjes së qiellzës varet nga përmasa dhe serioziteti i problemit.
Fillimisht foshnjat duhet të ushqehen me një grykë të veçantë ose thithë të zgjatur. Duke e dërguar qumështin në pjesën e pasme të fytit.
Kirurgjia është gjithmonë e nevojshme, ndërsa lloji, zgjatja dhe numri i operacioneve varet nga serioziteti i problemit të buzës ose qiellzës së çarë. Çarja e buzës zakonisht shërohet në moshën 3-6 muajshe, ndërsa çarja e qiellzës rreth moshës 9-12 muajshe, para se fëmijët të fillojnë të flasin. Zakonisht pas operacionit, buzët e çara duken shumë më mirë.
Pas operacionit, fëmijët me çarje të buzës ose çarje të qiellzës duhet të realizojnë vizita të rregullta përcjellëse nga ekipet e specialistëve. Qëllimi i së cilave është të siguruarit se si fëmija po rritet, duket, flet dhe dëgjon. Këto kontrolle përcjellëse i ndihmojnë mjekët të vendosin nëse fëmijët kanë nevojë për operacione të mëtejshme apo jo.
Fëmijët me çarje të buzës dhe ata/ato me çarje të qiellzës, mund të kenë nevojë për terapi të ndryshme. Për shembull, fëmijët me çarje të qiellzës kanë nevojë për terapi të të folurit që të mësojnë të flasin normalisht. Gjithashtu, mund të kenë nevojë për kujdes të specializuar dentar, me qëllim që t’i rregullojnë problemet e dhëmbëve.
Parandalimi i çarjes së buzës dhe çarjes së qiellzës
- Merrni parasysh këshillimin gjenetik. Veçanërisht nëse keni histori familjare të çarjes së buzës dhe çarjes së qiellzës.
- Merrni vitamina para lindjes. Nëse planifikoni të mbeteni shtatzënë së shpejti, pyesni mjekun nëse duhet të merrni vitamina para lindjes.
- Mos përdorni duhan ose alkool. Përdorimi i alkoolit ose duhanit gjatë shtatzënisë e rritë rrezikun e lindjes së një fëmije me defekt në lindje.
- Sigurohuni që shtimi i peshës gjatë shtatzënisë të jetë i shëndetshëm.