Sëmundja e faqes së skuqur (Eritema infektive)

Sëmundja e faqes së skuqur fillon si temperaturë, dhimbje koke dhe rrjedhje hundësh, me pas shfaqet si skuqje në faqe. Sëmundja e faqeve të skuqura nuk është serioze për shumicën e fëmijëve, megjithëse mund të jetë e rrezikshme për foshnjat e palindura. Nuk ka nevojë ta mbani fëmijën tuaj në shtëpi nga institucioni i kujdesit të fëmijëve, parashkollori apo shkolla.
Body

Rreth sëmundjes së faqes së skuqur ose sëmundjes së pestë

Sëmundja e faqes së skuqur është një infeksion i lehtë viral i shkaktuar nga parvovirusi B19. Ky virus përhapet përmes kontaktit personal ose përmes kollitjes dhe teshtitjes.

Përhapja e këtij virusi zakonisht ndodh në fillim të pranverës.

Sëmundja e faqes së skuqur prek më së shpeshti fëmijët e moshës 5-15 vjeç.

Sëmundja e faqes së skuqur quhet edhe sëmundja e pestë.

Simptomat e sëmundjes së faqes së skuqur

Parvovirusi që shkakton sëmundjen e faqes së skuqur zakonisht infekton fëmijët rreth dy javë përpara se të shfaqen simptomat.

Sëmundja fillon me temperaturë, dhimbje koke dhe rrjedhje hundësh.

Sapo këto simptoma të fillojnë të lehtësohen, një skuqje e kuqe dalluese shfaqet në fytyrë. I bën fëmijët të duken sikur faqet e tyre janë goditur me shuplakë. Skuqja më pas përhapet në gjoks, bark, shpinë, krahë dhe këmbë, por jo në pëllëmbë dhe shputa. Skuqja zakonisht nuk shkakton kruarje.

Në fillim skuqja duket si shenjë e plotë, por në ndërkohë pjesa e mesme e skuqjes fillon të shërohet dhe pastaj fillon të duket vija-vija.

Në kohën kur skuqja shfaqet, fëmija zakonisht nuk është më sëmurë dhe sëmundja nuk është ngjitëse. Mund të duhen 1-3 javë që skuqja të largohet plotësisht. Mbinxehja, ushtrimet fizike ose rrezet e diellit mund ta bëjnë skuqjen të duket më e keqe. Skuqja mund të shfaqet dhe të largohet për një kohë.

Simptoma të tjera të sëmundjes së faqes së skuqur mund të përfshijnë skuqje të syve, gjëndra të fryra, dhimbje të fytit dhe diarre.

Fëmijët më të rritur gjithashtu mund të ankohen për ënjtje ose dhimbje të kyçeve.

Disa fëmijë janë në rrezik më të lartë të komplikimeve nga sëmundja e faqes së skuqur. Këto komplikime përfshijnë fëmijë që kanë:

  • probleme me qeliza të kuqe të gjakut si anemia e rëndë;
  • sistem imunitar të dobësuar për shkak të një gjendjeje mjekësore ose trajtimit mjekësor.

Parvovirusi është më ngjitës dy javë para shfaqjes së simptomave. Zakonisht sëmundja nuk shpërndahet pasi të shfaqet skuqja.

A ka nevojë fëmija të vizitojë mjekun për sëmundjen e faqes së skuqur?

Duhet ta çoni fëmijën tek mjeku nëse:

  • fëmija zhvillon skuqje dhe ju nuk jeni të sigurt se çfarë e shkakton atë, veçanërisht kur skuqja nuk zhduket përkohësisht kur aplikohet presion;
  • ethet apo temperatura e fëmijës nuk qetësohen pas 48 orësh;
  • fëmija ka nyje të lënduara ose të fryra;
  • fëmija zhvillon skuqje dhe ka probleme me qelizat e kuqe të gjakut ose sistemin imunitar të dobësuar;
  • jeni të shqetësuar se fëmija nuk është mirë.

Virusi mund të jetë i rrezikshëm për foshnjat e palindura. Nëse jeni shtatzënë dhe jeni infektuar ose keni rënë në kontakt me dikë me virus, duhet të shkoni menjëherë te mjeku për analizat e gjakut dhe monitorimin e shtatzënisë.

Trajtimi i sëmundjes së faqes së skuqur

Sëmundja e faqes së skuqur shkaktohet nga një virus, kështu që antibiotikët nuk do të ndihmojnë.

Pushimi në shtëpi mund të jetë gjithçka që i nevojitet fëmijës.

Parandalimi i sëmundjes së faqes së skuqur

Nuk ka imunizim për sëmundjen e faqes së skuqur.

Higjiena e mirë e përditshme dhe larja e kujdesshme e duarve në kopsht, parashkollor dhe shkollë ndihmon në parandalimin e përhapjes së sëmundjes, nuk mund të bëni asgjë tjetër për të ndaluar përhapjen e saj.

Nuk ka nevojë ta mbani fëmijën në shtëpi dhe  mos ta dërgoni në kopsht, parashkollor apo shkollë.