Sëmundja e dorës, këmbës dhe gojës
Rreth sëmundjes së dorës, këmbës dhe gojës
Sëmundja e dorës, këmbës dhe gojës është një infeksion i lehtë që shkakton ulcera në gojë dhe flluska në duar e këmbë. Shkaktohet nga një grup virusesh të quajtur enteroviruse.
Për shkak se sëmundja e dorës, këmbës dhe gojës mund të shkaktohet nga viruse të ndryshme, fëmijët mund të kenë sëmundje të duarve, këmbëve dhe gojës më shumë se një herë.
Përhapjet e sëmundjeve të dorës, këmbës dhe gojës zakonisht ndodhin në verë dhe në vjeshtë.
Sëmundja e dorës, këmbës dhe gojës shpesh ngatërrohet me sëmundjen e kafshëve – që prek këmbët dhe gojën (e quajtur edhe sëmundja e thundrës dhe gojës), e cila prek lopët, delet dhe derrat.
Njerëzit nuk sëmuren nga sëmundja e kafshëve dhe kafshët nuk sëmuren nga sëmundja e njerëzve.
Si përhapet sëmundja e dorës, këmbës dhe gojës
Kjo sëmundje është ngjitëse dhe përhapet midis grupeve të fëmijëve, veçanërisht parashkollorëve. Përhapet kryesisht përmes prekjes së lëngut brenda flluskave. Gjithashtu, virusi ndodhet edhe në jashtëqitjen e fëmijëve të infektuar.
Fëmija me sëmundje të dorës, këmbës dhe gojës është shumë infektues derisa flluskat të thahen.
Simptomat e sëmundjes së dorës, këmbës dhe gojës
Virusi infekton fëmijët 4-6 ditë para shfaqjes së simptomave.
Përpara se të shfaqen simptomat e tjera, për një ose dy ditë fëmija mund të ketë ethe, temperaturë të lehtë.
Zakonisht shfaqen ulcera të vogla të gojës, fillimisht në faqe, mishra të dhëmbëve dhe në anët e gjuhës. Gjithashtu, fëmija mund të ankohet për dhimbje të gojës dhe fytit, ose thjesht të heqë dorë nga ushqimi dhe të refuzojë lëngjet.
Gjithashtu, fëmija mund të ketë dhimbje koke, muskujsh, dhimbje të lehta stomaku ose vjellje.
Flluska të vogla shfaqen edhe në duar dhe këmbë, zakonisht në pëllëmbë dhe shputa. Njolla të vogla të kuqe mund të shfaqen në të pasmet e fëmijës suaj.
Flluskat dhe ulcerat zakonisht largohen pas 7-10 ditësh.
A ka nevojë fëmija të vizitojë mjekun për sëmundjen e dorës, këmbës dhe gojës?
Duhet ta çoni fëmijën te mjeku nëse mendoni se mund të ketë sëmundje të dorës, këmbës dhe gojës, ose nuk jeni të sigurt pse ka këto skuqje.
Gjithashtu duhet ta çoni fëmijën te mjeku ose në emergjencë nëse :
- refuzon lëngjet si dhe lëndët e ngurta;
- shfaq shenja dehidrimi - nuk urinon si zakonisht, zbehje, humbje peshe, mavijosje ose nxirje rreth syve, duar dhe këmbë të ftohta dhe përgjumje;
- është shumë i përgjumur ose përgjithësisht i sëmurë;
- ka dhimbje koke, qafë të ngurtë ose dhimbje shpine;
- ka probleme me ecjen ose ka marramendje.
Trajtimi i sëmundjes së dorës, këmbës dhe gojës
Nuk ka terapi për sëmundjen e dorës, këmbës dhe gojës. Shumica e fëmijëve e kalojnë shpejt dhe vetë pa asnjë problem.
Paracetamoli ose ibuprofeni mund të ndihmojnë në lehtësimin e shqetësimit dhe dhimbjes.
Është e rëndësishme që fëmija të pijë lëngje për të shmangur dehidratimin. Pirja e lëngjeve mund të jetë e vështirë nëse goja e fëmijës është e lënduar. Mund të provoni një solucion rihidratues oral, të cilin mund ta blini në çdo farmaci.
Nëse ngrënia nuk është e lehtë për fëmijën, rekomandohet ta ushqeni me ushqime të buta për disa ditë dhe të shmangë ushqimet e athëta si domatet, limonët, grejpfruti dhe portokallët.
Mos u mundoni t’i shpërtheni flluskat. Kjo rrit rrezikun e infektimit të lëkurës dhe përhapjes së virusit te fëmijët e tjerë.
Parandalimi i sëmundjes së dorës, këmbës dhe gojës
Larja e kujdesshme e duarve, sidomos në institucionin e kujdesit të fëmijëve si kopshte, çerdhe dhe parashkollor, dhe pas ndërrimit të pelenave është masa kryesore që mund të ndihmojë në minimizimin e përhapjes së virusit.
Fëmija nuk duhet të shkojë në institucione të kujdesit të fëmijëve, kopsht, çerdhe, parashkollor ose shkollë derisa flluskat të jenë tharë.