Lija e dhenve (Lija e ujit)

Lija e dhenve duket si një skuqje me njolla të kuqe që kthehen në flluska. Përdorni bikarbonat sode dhe ujë ose locion kalamine për të ndihmuar kundër kruajtjes. Mbani fëmijën tuaj larg nga ambientet e kujdesit të fëmijës, nga institucionet parashkollore ose shkollore, derisa të shërohet flluska e fundit. Mënyra më e mirë për ta shmangur linë e dhenve është ta imunizoni fëmijën tuaj
Body

Rreth lisë së dhenve

Lija e dhenve ose lija e ujit është një sëmundje ngjitëse që shkaktohet nga virusi Varicella zoster.

Lija e dhenve mund të përhapet përmes:

  • kontaktit të drejtpërdrejtë fizik me dikë që ka linë e dhenve;
  • teshtitjes dhe kollitjes;
  • kontaktit të drejtpërdrejtë fizik me dikë që ka herpes.

Ashtu si lija e dhenve, herpesi shkaktohet nga virusi Varicella zoster. Nëse më parë keni pasur lijën e dhenve dhe virusi është riaktivizuar, mund të infektoheni me herpes.

Simptomat e lisë së dhenve

Fëmijët e infektuar me virusin e lisë së dhenve zakonisht nuk kanë simptoma deri në 10-21 ditë pas kontaktit.

Te fëmijët, sëmundja zakonisht fillon me një ndjenjë të përgjithshme të lodhjes edhe me ethe. Brenda 2-5 ditëve, përhapet një skuqje.

Në fillim, skuqja shfaqet si pika të kuqe, të cilat zhvillohen në flluska të vogla mbi gjoks, në shpinë, bark ose fytyrë. Pastaj këto shfaqen së shpejti në pjesën tjetër të trupit, madje mund të shfaqen në gojë, veshë, në organet gjenitale dhe sy. Flluskat shkaktojnë kruarje të jashtëzakonshme, flluskat e reja formohen kur të vjetrat bëhen dregëza dhe thahen. Dregëzat mund të zgjasin disa javë derisa të bien.

Skuqja nuk lë asnjë shenjë, përveç nëse flluskat dhe dregëzat janë kruar, ose plagët janë infektuar.

Simptomat e lisë së dhenve kanë tendencë të jenë shumë më të buta te fëmijët sesa tek të rriturit.

Lija e dhenve është ngjitëse nga dy ditë para se të shfaqet skuqja dhe derisa të gjitha plagët ekzistuese ose flluskat të kanë formuar dregëza dhe të jenë plotësisht të thata. Ky proces zakonisht zgjat rreth një javë.

Komplikimet dhe rreziqet e lisë së dhenve

Fëmijët e shëndetshëm kryesisht kanë skuqje të lëkurës, por nuk kanë komplikime tjera. Rrallë, plagët e lisë së dhenve mund të infektohen me baktere. Bakteret mund të vazhdojnë të shkaktojnë infeksion të rëndë sistemor. Komplikimet tjera përfshijnë pneumoni dhe encefalit.

Disa fëmijë janë në rrezik të lartë nëse vijnë në kontakt me linë e dhenve,  virusi mund t'i prekë shumë rëndë. Këta fëmijë përfshijnë:

  • foshnjat e porsalindura;
  • fëmijët me imunitet të ulët;
  • fëmijët me kancer;
  • fëmijët që marrin medikamente imunosupresuese si kortikosteroidet me doza të larta.

Këta fëmijë duhet të mbahen larg njerëzve me li të dhenve. 

A duhet fëmija ta vizitojë mjekun për shkak të lisë së dhenve?

Duhet ta çoni fëmijën tek mjeku nëse jeni të shqetësuar që fëmija mund ta ketë linë e dhenve.

Gjithashtu, duhet të bisedoni me mjekun nëse fëmija i përket njërës nga grupet me rrezik të lartë dhe që ka qenë në kontakt me dikë të infektuar me linë e dhenve.

Gjithashtu, gratë shtatzëna janë në rrezik të lartë dhe duhet ta vizitojnë mjekun.

Mjekimi i lisë së dhenve

Zakonisht, fëmijët me li të dhenve kanë nevojë për trajtim vetëm sa për t’iu lehtësuar simptomat, si: kruajtja dhe ethet.

Për të lehtësuar kruarjen, bëjeni fashën (garzë) me sodë bikarbonat dhe ujë si dhe vendoseni mbi sipërfaqen e infektuar. Mund t’iu ndihmoj kremrat si locion kalamine.

Nëse fëmija assesi nuk mund ta durojë kruajtjen, mjeku mund t’ia përshkruajë një ilaç antihistaminik.

Nëse fëmija ka temperaturë, sipas udhëzimeve jepni paracetamol.

Rekomandohet, prerja e thonjëve të fëmijës, në mënyrë që edhe nëse kruan plagët, ka më pak gjasa të infektohet. 

Fëmijët me rrezik të lartë dhe fëmijët që kanë li të dhenve të rëndë mund t'u jepet acyclovir, një ilaç antiviral. Mjeku mund të përshkruajë antibiotikë për infeksione të lëkurës dhe pneumoni. Ndonjëherë fëmija mund të ketë nevojë të shtrohet në spital dhe të marrë trajtim intravenoz.

Derisa t’i shërohet edhe flluska e fundit, fëmijët nuk duhet t’i dërgoni në institucione të kujdesit për fëmijës, si: kopsht, çerdhe,  parashkollorë dhe shkollë.

Mos i jepni fëmijës tuaj aspirinë. Fëmijët e trajtuar me aspirinë mund të zhvillojnë sindromën Reye, edhe pse është gjendje e rrallë por shumë serioze.

Parandalimi i lisë së dhenve

Mënyra më e mirë për ta shmangur linë e dhenve është që fëmija të imunizohet.