Mitet dhe faktet në lidhje me vaksinën

Përdorimi i gjerë i vaksinave në të gjithë botën është shoqëruar me dilema në lidhje me sigurinë, ndikimet e mundshme dhe efektet anësore afatgjata të tyre. Në paragrafet në vijim do t'i përmbledhim faktet në lidhje me këto dilema.
Body

Është normale dhe madje e arsyeshme të keni dilema dhe të kërkoni informata në lidhje me çështjet mjekësore në përgjithësi dhe të vaksinave në veçanti. Sidoqoftë, sugjerojmë t'i ndiqni informatat nga burimet e besueshme siç janë organizatat shëndetësore si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), Akademia Amerikane e Pediatrisë etj. Mediat sociale janë “të vërshuara” me informata, ku një pjesë e madhe e tyre janë pa bazë shkencore dhe ndonjëherë madje edhe qëllimisht të pavërteta.

Është shumë e rëndësishme që ta bëni dallimin mes "ndërlidhjes së rastësishme"; kur dy ngjarje ndodhin rastësisht njëra pas tjetrës dhe krijojnë ndërlidhjen “shkak-pasojë”. Në shumë raste kur dy ngjarje ndodhin njëra pas tjetrës, nuk ka asnjë arsye për të besuar se ngjarja e parë e ka shkaktuar të dytën.

Për shembull, nëse do të ndodhte një tërmet një ditë pas humbjes së ekipit kombëtar të futbollit, askush nuk do të besonte se humbja e ka shkaktuar tërmetin. Kjo është vetëm një rastësi.

E njëjta gjë vlen edhe për gjërat e këqija që mund të ndodhin pas vaksinimit. Nuk duhet të harrojmë se shumë prej sëmundjeve gjenetike dhe zhvillimore shfaqen gjatë dy viteve të para të jetës. Kjo është edhe koha kur fëmijët vaksinohen me vaksinat e para. Është shumë shqetësues mendimi se vaksina shkakton sëmundje. Sidoqoftë, duhet të hulumtohet nëse një rast i tillë ishte një rastësi apo vërtet një ndërlidhje shkak-pasojë. Prandaj janë realizuar shumë studime të mëdha epidemiologjike me metoda të ndryshme hulumtuese në shtete të ndryshme me studiues të ndryshëm. Rezultatet e të gjitha hulumtimeve japin mesazh të qartë dhe bindës se vaksinat janë shumë të sigurta dhe nuk shkaktojnë sëmundje.