Dehidratimi

Dehidrimi mund të ndodhë nëse fëmija juaj ka shumë diarre dhe të vjella, nuk pi mjaftueshëm, ushtron shumë ose djersitet shumë. Duhet ta vizitoni mjekun nëse jeni të shqetësuar se fëmija juaj është i/e dehidratuar. Dehidratimi mund të trajtohet duke shtuar lëngjet e fëmijës suaj. Në raste të rënda, fëmija juaj mund të ketë nevojë të shkojë në spital për të marrë më shumë lëngje.
Body

Çfarë është dehidratimi?

Nëse fëmija humbet shumë lëngje trupore ose nuk pi mjaftueshëm, mund të dehidratohet.

Gastroenteriti është shkaktari më i shpeshtë i dehidratimit, sepse mund ta bëjë fëmijën të humbasë shpejtë shumë lëngje trupore. Çdo sëmundje me diarre të vazhdueshme, të vjella ose marrje të reduktuar të lëngjeve mund të rezultojë në dehidratim.

Gjithashtu, djersitja e madhe mund të rezultojë në dehidratim, veçanërisht tek foshnjat në mot shumë të nxehtë dhe tek adoleshentë që bëjnë aktivitete shumë energjike.

Simptomat e dehidratimit

Fëmija i dehidratuar mund të:

  • urinojë më rrallë – foshnjat mund të lagin më pak pelena ose pelenat mund të mos jenë aq të lagura si zakonisht;
  • duket i dobët dhe e zbehtë;
  • jetë lodhur, letargjik ose nervoz;
  • ketë më pak lot;
  • jetë i etur;
  • ketë sy të lodhur dhe të errët;
  • ketë gjuhën dhe gojën e bardhë dhe të thatë.

Kur duhet të vizitoni mjekun për shkak të dehidratimit

Duhet të vizitoni mjekun nëse:

  • jeni të shqetësuar se fëmija mund të jetë dehidratuar;
  • fëmija vjell shpesh dhe nuk mund të mbajë lëngjet;
  • fëmija ka shumë diarre;
  • foshnja është nën gjashtë muaj dhe ka simptoma dehidratimi.

Dërgojeni fëmijën tuaj menjëherë në spitalin emergjent nëse:

  • fëmija ka simptoma të dehidratimit të rëndë - nuk urinon, është e zbehtë dhe i hollë, ka sy të lodhur, duar dhe këmbë të ftohta dhe është i përgjumur ose nevrik;
  • nëse fëmija ka dhimbje të forta stomaku;
  • të vjellat e fëmijës janë ngjyrë jeshile ose ka gjak në të;
  • nëse jeni të shqetësuar se fëmija është shumë sëmurë.

Ju e njihni fëmijën tuaj më së miri, kështu që besoni instinkteve tuaja nëse fëmija nuk duket mirë. Shenjat që tregojnë se fëmija ka sëmundje serioze që kërkon kujdes urgjent mjekësor përfshijnë: dhimbje të forta, përgjumje, lëkurë të zbehtë ose të kaltër, dehidratim, frymëmarrje të trazuar, konvulsione dhe reagim të reduktuar.

Trajtimi i dehidratimit

Rastet e lehta të dehidratimit mund të trajtohen duke i dhënë fëmijës në vazhdimësi më shumë lëngje.

Alternativë e mirë është lëngu rihidratues oral, që mund ta blini pa recetë në barnatore.

Opsione të tjera përfshijnë ujë, ujë i orizit ose karotës të zier dhe lëng frutash. Nëse, fëmija është duke pirë pije me sheqer, është e rëndësishme ta holloni atë me ujë.

Fëmija mund të mos ketë dëshirë të pijë. Që fëmija të mund të pijë më shumë, përpiquni t’i jepni të pijë me anë të shiringës ose lugës.

Nëse fëmija vjell, duhet t'i ofroni të pijë sasi të vogla, por shpesh, për shembull, jepini fëmijës disa gllënjka çdo 15 minuta.

Nëse foshnja është më e madhe se gjashtë muaj dhe ushqehet me qumësht gjiri, rekomandohet të ushqehet më shpesh me qumësht gjiri. Ndërmjet vakteve, mund t'i jepni fëmijës lëng shtesë për rihidratim oral.

Nëse foshnja është më e madhe se gjashtë muaj dhe ushqehet me shishe, jepini lëng për rihidratim oral për 12-24 orët e para, pastaj  përsëri filloni nga pak dhe shpesh ta ushqeni me qumësht të formulës. Ende mund t'i jepni fëmijës lëng shtesë për rihidratim oral.

Në raste më të rënda, fëmija mund të ketë nevojë të trajtohet në spital për ta monitoruar humbjen e lëngjeve.

Në shumë raste, mënyra më e sigurt dhe më e shpejtë për trajtim është nëpërmjet një tubi të vogël që futet në hundën e fëmijës dhe më pas në stomak. Lëngjet rihidratuese kalojnë nëpër këtë tub. Alternativë tjetër është dhënia e lëngjeve në mënyrë intravenoze (drejtpërsëdrejti në venë).

Parandalimi i dehidratimit

Nëse fëmija është sëmurë, për pasojë humbet shumë lëngje dhe ndalon së piri, mënyra më e mirë për të shmangur dehidratimin e konsiderueshëm është ta vizitoni mjekun.

Në ditët e nxehta dhe kur fëmija është duke ushtruar, duhet të qëndrojë i hidratuar. Sigurohuni që të ketë mjaftueshëm ujë në dispozicion në mënyrë që fëmija të mund të pijë nëse ka etje. Disa fëmijëve mund t’iu duhet t’ju përkujtoni të kenë pushim për të pirë rregullisht ujë.