Helmimi nga ushqimi
Çfarë është helmimi nga ushqimi?
Helmimi nga ushqimi është një lloj gastroenteriti.
Helmimi nga ushqimi ndodh kur mikrobet rriten në ushqime, si: sallatat, mishi, mishi i pulës, ushqimet e detit, vezë. Mikrobet rriten për disa arsye, nëse: ushqimi është i papjekur; i ringrohur keq; nuk mbahet në vende adekuate, nuk është vendosur në frigorifer siç duhet. Mikrobet mund të rriten edhe kur ushqimi përgatitet me duar të pa pastra ose në pajisje të pa pastra.
Bakteret që shkaktojnë helmim nga ushqimi përfshijnë Staphylococcus, Campylobacter, Salmonella dhe Escherichia coli. Disa viruse si noroviruset, parazitët dhe toksinat e prodhuara nga bakteret, gjithashtu mund të shkaktojnë helmim nga ushqimi.
Simptomat e helmimit nga ushqimi
Simptomat mund të përfshijnë:
- nauze ose të vjella:
- dhimbje barku dhe ngërçe;
- gazra;
- jashtëqitje të hollë ose diarre, ndonjëherë me gjak;
- kokëdhimbje;
- ethe.
Pas ngrënies së ushqimit të keq, helmimi mund të ndodhë brenda disa orëve deri në disa ditë. Shpesh duhen 24-48 orë që simptomat e helmimit nga ushqimi të qetësohen.
Simptomat e helmimit nga ushqimi mund të jenë më të rënda tek foshnjat sesa tek fëmijët më të rritur dhe adoleshentët.
Nëse fëmija ka simptoma të helmimit nga ushqimi, duhet ta kontrolloni nëse ka edhe shenja dehidrimi.
A ka nevojë fëmija të vizitoj mjekun për helmim nga ushqimi?
Duhet ta vizitoni mjekun nëse fëmija:
- ka diarre që vazhdon për më shumë se disa ditë;
- ka diarre me gjak.
Dërgoni fëmijën menjëherë në emergjencë nëse:
- fëmija ka dhimbje të forta stomaku, të vjella si dhe nuk mund të mbajë asnjë lëng;
- fëmija nuk është duke pirë dhe ka shenja dehidrimi, duke përfshirë pak ose fare urinim, humbje peshe, lodhje dhe etje ekstreme;
- fëmija ka simptoma të helmimit nga ushqimi dhe është më pak se një vjeç;
- jeni të shqetësuar se fëmija është jashtëzakonisht sëmurë.
Trajtimi për helmimin nga ushqimi
Shumica e rasteve të helmimit nga ushqimi janë të lehta, andaj fëmija mund të mos ketë nevojë për ndonjë trajtim specifik.
Zakonisht, antibiotikët nuk nevojiten ose rekomandohen, por mund të përdoren për disa lloje të sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi.
Sigurohuni që fëmija të pijë mjaftueshëm lëngje. Preferohet që në intervale të rregullta të merren pak gllënjka të lëngut të rihidrimit oral. Në këtë mënyrë do të ndihmoni të parandaloni dehidrimin.
Nëse fëmija është uritur, mund të hajë çdo gjë që i pëlqen.
Fëmija mund të mos ketë dëshirë të hajë, por mos lejoni që mos të hajë ushqimin për më shumë se 24 orë.
Parandalimi i helmimit nga ushqimi
Hapi i parë për të parandaluar helmimin nga ushqimi është gjithmonë larja e mirë e duarve para se të hani dhe prekni ushqimin.
Kur përgatitni ushqim:
- lani mirë të gjitha frutat dhe perimet;
- sigurohuni që ushqimet të jenë të freskëta dhe të mos kenë erë të keqe;
- ziejeni mirë mishin dhe vezët;
- mos përgatisni mish të papërpunuar me perime në të njëjtin tigan;
- mos përgatit ushqim për të tjerët nëse jeni të sëmurë.
Kur ringrohni ushqimin, sigurohuni ta ringrohni tërësisht.
Sigurohuni që ta ruani ushqimin siç duhet dhe në temperaturën e duhur në mënyrë që të mbrohet nga kontaminimi. Përpara se të hani ushqimin, kontrolloni datën e përdorimit në paketim.
Kur hani jashtë:
- kontrolloni pastërtinë e restorantit ose të dyqanit të ushqimit “takeaëay food” (marrjen e ushqimit me vete);
- shqyrtoni nëse stafi ndjek praktika të mira higjienike;
- që ushqimi ruhet dhe të shërbehet në temperaturën e duhur;
- kontrolloni që mishi është gatuar aty për aty;
- ushqimet e gatshme hani brenda pak orësh ose vendoseni në frigorifer sa më shpejt të jetë e mundur.