Kapsllëku

Kapsllëku ndodh kur fëmija ka një jashtëqitje të fortë dhe të madhe ose e ka vështirë për ta nxjerr jashtë. Fëmijët me kapsllëk, shpeshherë nuk e kryejnë nevojën rregullisht.
Body

Shkaqet e kapsllëkut te fëmijët

Kapsllëku mund të ndodhë për disa arsye.

Fëmija mund të mos i lirojë organet e tretjes për shumë arsye, si: është shumë zënë duke luajtur, ka dhimbje kur e kryen nevojën fiziologjike (ose është lënduar më parë), ose nuk dëshiron të përdorë tualetet e institucionit si parashkollor ose në shkollë.

Gjithashtu, kapsllëku mund të ndodhë edhe kur fëmija nuk ha mjaftueshëm fibra (fije nutritive), ose për shkak të ndonjë sëmundjeje që e ka bërë fëmijën të hajë e të pijë më pak.

Të gjitha këto situata mund të shpijnë në grumbullim të jashtëqitjes në zorrë. Kur ndodh kjo,  jashtëqitja bëhet e fortë dhe rrjedhimisht shumë e vështirë që fëmija ta nxjerr jashtë me lehtësi.

Ka disa kushte mjekësore që mund të shkaktojnë kapsllëk te fëmijët, por këto nuk janë të zakonshme.

Simptomat e kapsllëkut te fëmijët

Jashtëqitja normale duhet të jetë e lehtë për t’u liruar.

Nëse fëmija është kaps dhe e ka të vështirë të nxjerrë jashtë jashtëqitjen, kur përpiqet të kryejë nevojën mund të ndiejë dhimbje dhe siklet. Kjo gjendje mund të ndikojë që mos të shkojë në tualet fare.

Jashtëqitja e fortë mund ta zgjerojë tepër anusin e fëmijës dhe të shkaktojë çarje të vogla sipërfaqësore, që mund të shpijnë në dhimbje dhe gjakderdhje.

Fëmija mund të ketë edhe dhimbje barku, të cilat vijnë e shkojnë. Mund të shfaq sjellje “të shtrëngimit” si lëkundja ose lëvizja, kryqëzimi i këmbëve ose refuzimi për tu ulur në tualet.  Përgjithësisht mund të duket i çuditshëm.

Nëse fëmija ka qenë kaps për një kohë të gjatë, pa dashje edhe mund ta kryejë nevojën në rroba. Mund të jetë sasi e vogël ose e madhe e jashtëqitjes dhe mund të ndodhë në çdo kohë të ditës, që quhet përlyerje ose mungesë e vetëpërmbajtjes fekale.

Mungesa e vetëpërmbajtjes fekale ndodh sepse jashtëqitja e fortë ka ngecur dhe është zgjatur në rektum. Më pas, fëmija mund të humbasë dëshirën për të shkuar në tualet, sepse rektumi ndihet gjithnjë i zgjeruar. Jashtëqitja e lëngët mund të vërshojë mbi jashtëqitjen e vjetër, pa e ndjerë fëmija juaj atë ose pa dashur ta lëshojë atë.

Ekziston një gamë të madhe e normales kur bëhet fjalë se sa shpesh fëmijët e kryejnë nevojën. Disa fëmijë shkojnë në tualet 2-3 herë në ditë, ndërsa të tjerët shkojnë dy herë në javë.

Kur duhet të vizitoni mjekun lidhur me problemet e kapsllëkut te fëmijët?

Duhet ta dërgoni fëmijën te mjeku nëse:

  • duhet t’i jepni fëmijës laksativ për më shumë se disa herë në vit;
  • gjendja e kapsllëkut te fëmija nuk përmirësohet edhe pas përdorimit të laksativit;
  • fëmija nuk e ka kryer nevojën për pesë ditë;
  • fëmija e kryen nevojën në rroba pa vullnetin e tij/saj;
  • fëmija ka kapsllëk edhe: ethe, të vjella, ka gjak në jashtëqitje ose humbje të peshës;
  • fëmija ka çarje të dhimbshme në lëkurë rreth anusit;
  • fëmija ka kapsllëk dhe jeni të shqetësuar se nuk është duke ngrënë apo pirë sa duhet.

Trajtimi i kapsllëkut

Fëmija ka nevojë për shprehi/zakone të shëndetshme të zorrëve.

Ushqimi

Hapi i parë drejt zakoneve të shëndetshme të zorrëve është ushqimi. Ushqim i shëndetshëm që përmban fibra të mjaftueshme ndihmon në parandalimin e kapsllëkut. Ushqimet që janë të pasura me fibra përfshijnë bukë dhe drithëra integrale, frutat dhe perimet.

Shkuarja e rregullt në tualet

Nëse fëmija juaj është bërë kaps, inkurajojeni të krijojë shprehi të ulet rregullisht në tualet dhe të përpiqet ta kryejë nevojën. Rekomandohet, që për pesë minuta ta praktikojë këtë proces, rreth 20-30 minuta pasi të ketë mbaruar së ngrëni mëngjes, drekë dhe darkë.

Mund të ndihmojë nëse fëmija ka stol këmbësh ose kuti për t'i vendosur këmbët ndërsa është ulur në tualet. Lëreni atë të vendosë këmbët në mënyrë të sheshtë, gjunjët të jenë të hapur dhe të përkulet pak përpara ndërsa shtyn.

Është e rëndësishme ta mësoni fëmijën të jetë i vetëdijshëm dhe t’i përgjigjet nxitjes së trupit për ta kryer nevojën. Këtë mund ta bëni duke e shpërbluar dhe lavdëruar fëmijën që ka shkuar në tualet.

Laksativët

Mund t’iu duhet ti jepni fëmijës laksativ nëse është bërë kaps, në mënyrë që ta nxjerr jashtëqitjen e forcuar pa dhimbje.

Lëngu i kumbullave të thata është laksativ natyral i butë, që vepron te disa fëmijë. Nëse kjo nuk funksionon, duhet ta vizitoni mjekun.

Ilaçet e mundshme laksative përfshijnë:

  • laksativë osmotikë si laktuloza, glikol polietileni, të cilët rrisin ujin në jashtëqitjen e fëmijës dhe e zbusin atë;
  • vaji i parafinës së lëngshëm, që zbut dhe lubrfikon jashtëqitjen;
  • stimulues si Senekot® ose Dulcolax SP®, stimulojnë zorrën për ta liruar jashtëqitjen.

Disa fëmijë me kapsllëk kronik duhet të marrin medikamente laksative për disa muaj. Mjeku do t'ju njoftojë për rrjedhën e duhur të trajtimit.

Kapsllëku te foshnjat

Çfarë është normale?

Është e zakonshme që shumë foshnja të skuqen në fytyrë dhe të tendosen kur kryejnë nevojën.

Kryerja e nevojës nga foshnjat nën gjashtë muaj varet nga ajo se me çka ushqehen.

Foshnjat që ushqehen me qumësht gjiri mund ta kryejnë nevojën deri në pesë herë në ditë, ose vetëm një herë në pesë ditë. Jashtëqitja e tyre është e butë dhe me ngjyrë  gjelbër-verdhë.

Foshnjat e ushqyera me qumësht të formulës zakonisht e kryejnë nevojën 1-2 herë në ditë. Jashtëqitja e tyre është më e fortë dhe me ngjyrë gjelbër-kafe.

Foshnja mund të jetë bërë kaps, nëse jashtëqitja është e thatë dhe e thërrmuar, si dhe kur e kryen nevojën duket se i shkakton dhimbje dhe siklet.

Disa foshnje bëhen kaps nëse nuk kanë thithë mjaftueshëm qumësht gjiri, ose nëse formula e qumështit nuk është përgatit në mënyrë korrekte dhe nuk ka ujë të mjaftueshëm. 

Nëse mendoni se foshnja është bërë kaps dhe pas aplikimit të masave të thjeshta siç është përdorimi i lëngut të kumbullave të thata, nuk ka përmirësim të shpejtë rekomandohet ta vizitoni mjekun për t’u siguruar që nuk ka ndonjë problem.