Rreth vetëbesimit: fëmijët 1-7 vjeç

Vetëbesimi është të ndihesh mirë me veten. Vetëbesimi i mirë i ndihmon fëmijët të provojnë gjëra të reja, të ndërmarrin rreziqe të shëndetshme dhe të zgjidhin problemet. U jep atyre një bazë të fortë për mësimin dhe zhvillimin e tyre.
Body

Vetëbesimi: gjërat themelore

Vetëbesimi ka të bëjë me të pëlqyerit e vetes dhe me atë që jeni. Kjo nuk do të thotë të kesh vetëbesim të tepruar – thjesht të besosh në veten tënde dhe të dish mirë atë që bën.

Për fëmijët, vetëbesimi vjen nga:

  • të diturit se janë të rrethuar me dashuri dhe se i përkasin një familjeje dhe një komuniteti që i vlerëson
  • të kaluarit e kohës cilësore me familjet e tyre
  • të qenit të inkurajuar për të provuar gjëra të reja, të gjejnë gjëra në të cilat janë të mirë dhe të lavdërohen për gjërat që janë të rëndësishme për ta.

Gjëja më e rëndësishme që mund të bëni për të nxitur vetëbesimin e fëmijës suaj është t'i tregoni fëmijës tuaj se e doni atë. Thuajeni shpesh dhe pa asnjë arsye tjetër përveçse për të treguar se e vlerësoni fëmijën tuaj.

Marrëdhëniet, lidhjet, përkatësia dhe vetëbesimi i fëmijës suaj

Lidhja me njerëz të tjerë që kujdesen për të është e mirë për vetëbesimin e fëmijës suaj. Kjo i jep atij/asaj një ndjenjë më të fortë të vendit të tij/saj në familjen tuaj të ngushtë dhe të gjerë. Dhe të qenit i lidhur me miqtë dhe njerëzit në komunitet e ndihmon fëmijën tuaj të mësojë se si të lidhet me të tjerët dhe mund të rrisë besimin e tij/saj.

Më poshtë keni disa ide për të ushqyer vetëbesimin e fëmijës tuaj përmes marrëdhënieve:

  • Forconi ndjenjën e fëmijës suaj për familjen, kulturën dhe komunitetin e tij/saj. Për shembull, tregojini fëmijës tuaj fotografitë e familjes dhe ndani histori familjare, merrni pjesë në ngjarje komunitare ose kulturore si festivale fetare dhe inkurajoni fëmijën tuaj të bashkohet me një klub sportiv lokal ose grup interesi ose të bashkohet si familje.
  • Inkurajoni fëmijën tuaj të vlerësojë të qenit pjesë e familjes suaj. Një mënyrë për ta bërë këtë është duke përfshirë fëmijën tuaj në punët e shtëpisë. Kur të gjithë kontribuojnë për mbarëvajtjen e shtëpisë, ju të gjithë ndiheni të rëndësishëm dhe të vlerësuar.
  • Bëjini miqtë e fëmijës tuaj të ndihen të mirëpritur dhe njihuni me ta. Inkurajoni fëmijën tuaj që të ketë miq në shtëpinë tuaj dhe ndani kohë që fëmija juaj të shkojë në shtëpitë e tyre.

Të kaluarit e kohës cilësore dhe vetëbesimi i fëmijës suaj

Kur kaloni kohë cilësore me fëmijën tuaj, i bëni të ditur fëmijës tuaj se ai/ajo është i/e rëndësishëm/e për ju. Bërja e gjërave së bashku si familje mund të ndihmojë në forcimin e ndjenjës së përkatësisë dhe bashkësisë në familjen tuaj, gjë që është gjithashtu e mirë për vetëbesimin e fëmijës suaj.

Më poshtë keni disa ide:

  • Zhvilloni ritualet familjare. Këto mund të përfshijnë tregimin e një storje para gjumit, një puthje të veçantë lamtumire ose mënyra të tjera për të bërë gjëra që janë të veçanta për familjen tuaj.
  • Lëreni fëmijën tuaj t'ju ndihmojë me diçka, në mënyrë që të ndihet i/e dobishëm/e. Për shembull, fëmija juaj parashkollor mund t'ju ndihmojë të shtroni tryezën për darkë.
  • Planifikoni një kohë të rregullt vetëm për vetëm me fëmijën tuaj, duke bërë diçka që i pëlqen, qoftë të vizatuarit, bërja e enigmave (puzzle), luajtja me top të futbollit ose pjekja e ëmbëlsirave.

Arritjet, sfidat dhe vetëbesimi i fëmijës suaj

Suksesi dhe arritjet mund ta ndihmojnë fëmijën tuaj të ndihet mirë me veten. Por fëmija juaj gjithashtu mund të ndërtojë vetëbesimin e tij/saj duke bërë gjëra që nuk i pëlqejnë ose nuk tregohet gjithmonë i suksesshëm. Ju ende mund të lavdëroni përpjekjet dhe vendosmërinë e tij/saj - dhe kujtojini atij/asaj se këto do ta ndihmojnë atë të ketë sukses në fusha të tjera, ose herën tjetër.

Ka shumë mënyra për ta ndihmuar fëmijën tuaj të ketë sukses, të arrijë dhe të përballojë mirë dështimin:

  • Kur fëmija juaj ka ndonjë problem, inkurajoni atë të mendojë me qetësi, të dëgjojë pikëpamjet e njerëzve të tjerë dhe të gjejë zgjidhje të mundshme për t'i provuar. Kjo ndërton aftësi të rëndësishme jetësore.
  • Ndihmoni fëmijën tuaj të mësojë gjëra të reja dhe të arrijë qëllimet. Kur fëmija juaj është më i/e vogël, kjo mund të nënkuptojë ta lavdëroni dhe inkurajoni kur mëson diçka të re, si p.sh. ngasja e biçikletës. Kur ai/ajo të rritet, mund të jetë dërgimi në ushtrimin e ndonjë sporti dhe të ndihmuarit në të praktikuarit e atij sporti.
  • Festoni arritjet dhe sukseset e mëdha dhe të vogla. Dhe mos harroni të lavdëroni përpjekjet e fëmijës suaj, jo vetëm rezultatet e tyre. Për shembull, ‘E provove atë copëz të enigmës (puzzle) ta vendosësh në shumë vende, dhe më në fund ja gjete vendin e duhur. Te lumtë!’.
  • Mbani kujtime të veçanta për sukseset dhe përparimin e fëmijës suaj. Ju mund t'i shikoni ato me fëmijën tuaj dhe të flisni për kujtimet tuaja të veçanta dhe gjërat që ai/ajo ka arritur.
  • Mësojini fëmijës tuaj se dështimi është pjesë e të mësuarit. Për shembull, nëse ai/ajo vazhdon të humbasë topin kur po mëson ta kapë, thuaj ‘Edhe pak edhe do e kapësh. Po e shoh se sa shumë po përpiqesh’.
  • Mësoni fëmijën tuaj të trajtojë veten me mirësi kur ai/ajo dështon. Ju mund të jeni një model (shembull) këtu. Për shembull, ‘Kam provuar një recetë të re dhe torta duket paksa qesharake. Por gjithçka është në rregull. Ka erë të shijshme’.

Gjërat që mund të dëmtojnë vetëbesimin e fëmijës

Mesazhet që thonë diçka negative për fëmijët janë të dëmshme për vetëbesimin e tyre - për shembull, ‘Je i ngadalshëm, i keq, ngacmues ...’. Kur fëmijët bëjnë diçka që juve nuk ju pëlqen, është më mirë t'u tregoni atyre se çfarë mund të bëjnë në vend të asaj gjëje. Për shembull, 'Nuk i ke bërë detyrat e shtëpisë. Ulu tani dhe përfundo detyrat e matematikës’.

Mesazhet që nënkuptojnë se jeta do të ishte më e mirë pa fëmijë mund të dëmtojnë vetëbesimin e tyre. Për shembull, ‘Po të mos ishin fëmijët, ne do të mund të përballonim ta blenim një makinë të re’.

Injorimi i fëmijëve, trajtimi i tyre si telash dhe mos interesimi për ta ka gjasa të jetë i keq për vetëbesimin e fëmijëve. Një shembull mund të jetë, ‘Jam i neveritur dhe i lodhur nga ju’. Të vrenjturit ose psherëtimat gjatë gjithë kohës kur fëmijët duan të flasin me ju mund të kenë të njëjtin efekt.

Krahasimet negative me fëmijët e tjerë, veçanërisht me vëllezërit dhe motrat, gjithashtu nuk kanë gjasa të jenë të dobishme. Çdo fëmijë në familjen tuaj është i ndryshëm, me pikat e forta dhe të dobëta individuale. Është më mirë nëse mund të lavdëroni sukseset dhe arritjet e secilit fëmijë.

Të gjithë prindërit ndonjëherë ndihen të frustruar dhe të lodhur. Por nëse prindërit e përçojnë mesazhin se ndihen kështu për fëmijët e tyre gjatë gjithë kohës, fëmijët marrin mesazhin se ata janë telash për prindërit e tyre.

Ndryshimet si zhvendosja nga shtëpia, shkolla ose shteti, ose ndarja apo divorci, mund të ndikojnë në vetëbesimin e fëmijës suaj. Nëse familja juaj po kalon përvoja të tilla, përpiquni të mbani ritualet familjare dhe aktivitetet e fëmijës suaj, si dhe t'i jepni fëmijës tuaj shumë dashuri. Kjo do ta ndihmojë fëmijën tuaj të ndihet mirë me veten dhe identitetin e tij/saj edhe kur gjërat rreth tij/saj po ndryshojnë.