Paraliza cerebrale
Çfarë është paraliza cerebrale?
Paraliza cerebrale (PC) është një paaftësi që ndikon në aftësinë e fëmijës për t’i kontrolluar muskujt e tij/saj.
Fëmijët me paralizë cerebrale mund të kenë probleme si dobësi të muskujve, ngurtësi, ngathtësi, ngadalësi dhe dridhje. Ata/ato gjithashtu mund të kenë vështirësi me ekuilibrin.
Shkaqet e paralizës cerebrale
Paraliza cerebrale mund të ndodhë kur ka dëmtime të trurit ose ka probleme me zhvillimin e trurit në pjesët e trurit që kontrollojnë lëvizjet e muskujve.
Dëmtimi ose problemet me zhvillimin e trurit mund të ndodhin kur:
- truri i fëmijës nuk zhvillohet siç duhet gjatë shtatzënisë
- foshnja lind para kohe dhe truri nuk është zhvilluar plotësisht
- nëna është e ekspozuar ndaj viruseve të caktuara gjatë shtatzënisë
- foshnja nuk ka oksigjen të mjaftueshëm gjatë lindjes
- fëmija ka një goditje gjatë shtatzënisë ose pas lindjes
- fëmija merr një infeksion të rëndë të trurit menjëherë pas lindjes
- fëmija përjeton lloje të caktuara të lëndimeve gjatë viteve të para të jetës — për shembull, një aksident serioz me veturë.
Llojet e paralizës cerebrale
Ekzistojnë tri lloje të ndryshme të paralizës cerebrale.
Paralizë cerebrale spastike
Fëmijët me këtë lloj paralizë cerebrale kanë muskuj të ngurtë dhe të ngushtë.
Paralizë cerebrale diskinetike
Fëmijët me këtë lloj paralize kanë shumë lëvizje të pavullnetshme dhe lëvizje të përsëritura. Këto mund të jenë kudo në trup dhe janë më të rënda, kur fëmijët bëjnë gjëra të tilla si për shembull kapja e një gote ose biseda. Këto lëvizje mund ta bëjnë shumë të vështirë për fëmijët që të ulen, të qëndrojnë në këmbë, të arrijnë ose të kuptojnë.
Paralizë cerebrale ataksike
Fëmijët me këtë lloj paralize kanë lëvizje të lëkundshme dhe të pasigurta ose dridhje. Ata/ato gjithashtu kanë probleme me ekuilibrin dhe mund të ecin me këmbët të hapura për t’i ndihmuar ta ruajnë ekuilibrin.
Shumica e fëmijëve me paralizë cerebrale në fakt kanë një kombinim të dy ose më shumë prej këtyre llojeve të paralizave cerebrale.
Simptomat dhe efektet e paralizës cerebrale
Çdo fëmijë me paralizë cerebrale ka një kombinim të ndryshëm të simptomave.
Disa fëmijë kanë simptoma mjaft të lehta dhe mund të ecin mirë dhe të komunikojnë mirë. Fëmijët me paralizë të rëndë cerebrale duhet të përdorin një karrige me rrota të paktën një pjesë të kohës. Rreth një e treta e fëmijëve me paralizë cerebrale kanë nevojë për ndihmë shtesë për të lëviz, ndërsa dhe një e katërta nuk mund të flasin.
Efektet e paralizës cerebrale mund të jenë të ndryshme te fëmijë të ndryshëm.
Foshnjat
Foshnjat me paralizë cerebrale mund të kenë:
- probleme me të ushqyerit
- zhvillim të ngadalshëm ose të vonuar
- lëvizje të pabarabarta në të gjithë trupin e tyre - për shembull, ata/ato mund të mos e ndjejnë farë njërën dorë ose në fillim të tregojnë një preferencë për njërën dorë
- kontroll të dobët të muskujve
- ton të ulët të muskujve
- spazmë muskulore ose ngurtësi kur përpiqen të lëvizni nyjet.
Dëmtimi i trurit te foshnjat me paralizë cerebrale nuk do të përkeqësohet. Mirëpo duke u rritur, mund të bëhet më e vështirë për trupat e tyre t’i menaxhojnë sfidat shtesë. Për shembull, mund të jetë e vështirë për ta për të vazhduar të ecin, pasi të fillojnë të zgjaten, gjatë vrullit të rritjes në vitet e adoleshencës.
Fëmijët
Problemet më të zakonshme për fëmijët me paralizë cerebrale janë:
- lëvizja
- të ushqyerit
- dhimbjet
- gjumi
- komunikimi.
Probleme të tjera mund të përfshijnë:
- aftësi të kufizuara intelektuale ose aftësi të kufizuara në rreth 45% të fëmijëve
- vështirësi në sjellje
- dëmtimi i shikimit
- dëmtimi i dëgjimit.
Probleme të tjera shëndetësore
Shumë fëmijë me paralizë cerebrale gjithashtu përjetojnë probleme të tjera shëndetësore duke përfshirë refluksin gastro-ezofageal, kapsllëkun, epilepsinë, problemet ortopedike dhe infeksionet e përsëritura të gjoksit.
Ju e njihni fëmijën tuaj më të mirë. Nëse shqetësoheni për mënyrën se si zhvillohet foshnja ose fëmija juaj, besoni instinktet tuaja dhe bisedoni me mjekun ose infermieren tuaj për shqetësimet tuaja.
Diagnoza dhe testet për paralizë cerebrale
Paraliza cerebrale është një aftësi e kufizuar komplekse dhe marrja e një diagnoze të qartë para 12 muajsh nuk është gjithmonë e lehtë.
Për ta diagnostikuar paralizën cerebrale, mjeku do të marrë historinë e plotë mjekësore dhe do ta ekzaminojë tërësisht fëmijën tuaj, dhe fëmija juaj gjithashtu mund të ketë nevojë të vizitojë disa specialistë dhe të bëjë disa teste për të përjashtuar problemet e tjera.
Shërbimet e ndërhyrjes së hershme për fëmijët me paralizë cerebrale
Edhe pse nuk ka ilaç për paralizë cerebrale, ndërhyrja e hershme mund t’i trajtojë simptomat e fëmijës suaj, t’i përmirësojë rezultatet e tij/saj dhe ta ndihmojë atë ta përmbush potencialin e tij/saj të plotë.
Nëpërmjet shërbimeve të ndërhyrjes së hershme, ju mund të punoni me profesionistë shëndetësorë për të zgjedhur opsionet e trajtimit dhe ndërhyrjes që do t'i përshtaten më mirë fëmijës suaj.
Ekipi i profesionistëve të përfshirë në mbështetjen tuaj dhe të fëmijës suaj mund të përfshijnë pediatër, fizioterapistë, patologë për të folurit, terapistë profesional, mësues të arsimit special dhe gjithashtu punëtor të mirëqenies, që do të jep udhëzime për ndihmë të mundshme financiare.
Kujdesi për veten dhe familjen tuaj
Edhe pse është normale të jeni të ngarkuar duke u kujdesur për fëmijën tuaj, është e rëndësishme të kujdeseni edhe për mirëqenien tuaj. Nëse jeni fizikisht dhe mendërisht mirë, do të jeni më të aftë të kujdeseni për fëmijën tuaj.
Biseda me prindërit e tjerë mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për të marrë mbështetje. Ju mund të lidheni me prindërit e tjerë, që janë në situata të ngjashme, duke u bashkuar sy më sy me ta ose përmes ndonjë grupi mbështetës në internetit.
Nëse keni fëmijë të tjerë, vëllezërit dhe motrat e fëmijëve me aftësi të kufizuara duhet të jenë të vetëdijshëm se janë po aq të rëndësishëm për ju — që ju kujdeseni për ta dhe për çfarë po përjetojnë. Është e rëndësishme të bisedoni me ta, të kaloni kohë me ta dhe ta gjeni mbështetjen e duhur për ta.