Parandalimi i zënkave ndërmjet vëllezërve/motrave: tetë këshilla
1. Kujdesuni për nevojat e secilit fëmijë
Fëmijët tuaj mund të kenë nevojë për rregulla dhe kufinjë të ndryshëm në varësi të moshës dhe temperamentit të tyre. Por ata duhet t'a ndjejnë se ju i doni dhe i vlerësoni të gjithë në mënyrë të barabartë — në këtë mënyrë, atyre nuk do t'iu duhet të konkurrojnë për dashurinë dhe vëmendjen tuaj. Ju mund ti nxisni këto ndjenja duke kaluar kohë të veçantë me secilin fëmijë rregullisht, duke i'u dhënë shumë përqafime dhe buzëqeshje të gjithëve, dhe duke u përpjekur të mos i krahasoni fëmijët me njëri-tjetrin.
Edhe pse fëmijët duhet të mësojnë t'i ndajnë gjërat me të tjerët, njëkohësisht është e dobishme që ata të mësojnë se gjërat e veçanta që i përkasin atyre, nuk kanë nevojë ti ndajnë. Pak hapësirë private - qoftë dhe vetëm një sirtar ku vëllezërit dhe motrat nuk mund të hyjnë në të - është një tjetër ide e mirë.
Fëmijët do të ndjehen të vlerësuar në qoftë se ju e bëni të qartë se fëmijët e vegjël nuk mund të ndërhyjnë në aktivitetet e fëmijëve më të mëdhenj, dhe anasjelltas.
2. Vendosni rregulla të qarta familjare
Rregullat i bëjnë fëmijët të kuptojnë se çfarë duhet bërë dhe çfarë jo. Nëse Ju keni vendosur rregulla familjare është më e lehtë për ti kujtuar fëmijëve se si ata duhet të trajtojnë njëri-tjetrin.
Disa këshilla për t'i bërë rregullat funksionalë:
- Përfshini fëmijët në vendosjen e rregullave. Kjo do ti ndihmojë fëmijët tuaj ti kujtojnë ato.
- Vendosni një kopje të rregullave të shtëpisë tuaj në një hapësirë ku të gjithë mund ti shohin ato.
- Ndiqni çdo rast që fëmijët i shkelin ose i thyejnë rregullat. Filloni me një kujtesë miqësore — 'A jemi duke folur të gjithë mirë me njëri-tjetrin? '. Më pas jepini një shans të dytë. Nëse ata përsëri do ti thyejnë rregullat, përdorni masat ndëshkuese për të cilat është rënë dakord.
3. Vendosni rutinën familjare
Është shumë më e lehtë të trajtoni mosmarrëveshjet në lidhje me gjërat e përditshme kur ju keni një rutinë familjare. Kjo do të thotë që të gjithë e dinë se ku duhet të ulen, punët që duhet të bëjnë dhe në cilat ditë, dhe radhën se kush duhet të përdorë i pari kompjuterin apo tualetin.
Një model i rutinës familjare mund të duket kështu:
- Televizioni: Fëmija më i vogël zgjedh programin në intervalin kohor 16:30-17:00. Fëmija më i madh zgjedh intervalin kohor 17:30 - 18:00 (pasi fëmija më i vogël të ketë shkuar në shtrat).
- Lojërat: Njëri nga vëllezërit zgjedh ditën e shtunë, tjetri zgjedh të dielën.
- Tualeti: Njëri nga vëllezërit e përdor tualetin i pari në mëngjes, më pas e përdor tjetri.
- Punët e shtëpisë: Të dy fëmijët marrin radhën e tyre për të bërë punët e shtëpisë — për të rregulluar dhomën e gjumit, për të ujitur bimët.
4.Inkurajoni sjelljen e mirë
Kjo do të thotë t'ju bëni me dije dhe t'i jepni reagime pozitive fëmijëve tuaj kur ata po sillen mirë. Kur ju i tregoni fëmijëve në mënyrë të qartë dhe specifike se çfarë ata po bëjnë mirë, me shumë mundësi ju do ta shihni këtë sjellje përsëri.
Disa shembuj të qartë dhe specifik të inkurajimit dhe përgëzimit:
- 'Më pëlqen vërtet mënyra se si ju të dy po e përdorni me radhë biçikletën. '
- “Ju të gjithë jeni duke marrë pjesë dhe luajtur me të vërtetë bukur së bashku. '
- “Hej, ju e zgjidhët shumë mirë këtë problem. Si mendoni për t'a festuar sot me një film? '
5. Tregojini fëmijëve se si të shkojnë mirë sëbashku
Ju jeni modeli kryesor i fëmijëve tuaj. Fëmijët tuaj do ta kuptojnë nëse ju i zgjidhni keqkuptimet pa u zënë.
Nëse doni që fëmijët tuaj t'i zgjidhin gjërat me qetësi dhe respekt, ata duhet t'ju shohin ju duke e bërë këtë. Nëse ju doni që ata të jenë të aftë ti kërkojnë ndjesë të tjerëve, ata duhet të ju shohin edhe ju gjithashtu duke kërkuar ndjesë.
6. Trajnoni fëmijët tuaj
Ju jeni trajneri i fëmijëve tuaj në zgjidhjen e problemeve. Ju i mësoni ata si të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe i udhëzoni ata drejt aftësive për menaxhimin e ndjenjës së zemërimit, negociimin dhe lojën e drejtë. Kjo është më mirë se sa të jesh një arbitër i cili ndalon zënkat ose përfshihesh në momentin që ajo po ndodh.
Disa këshilla për trajnimin e fëmijëve tuaj në zgjidhjen e problemeve:
- Jepini mundësinë fëmijëve tuaj të luajnë me të tjerët. Grupet e lojërave dhe ditët e lojërave i ndihmojnë fëmijët të mësojnë të luajnë mirë së bashku dhe të gjejnë zgjidhje pozitive për zënkat.
- Ndërhyni sa më shpejt me ide kur shihni se fëmijët kanë vështirësi për ti zgjidhur gjërat. Për shembull, 'Mos harroni të ndani me njëri -tjetrin', ose 'A mundet të gjeni një mënyrë që të dy të keni radhën tuaj? '
- Bisedoni për çështjen më vonë. Me fëmijët më të mëdhenj, nëse do të gjeni një zgjidhje pa i fajësuar, zënka do të ketë më pak mundësi për t'u përsëritur. Për shembull, 'Si mund ta kishit zgjidhur në mënyrë që të dy të mund të përdornit kompjuterin? '
- Ndihmojini fëmijët të gjejnë mënyrën për të shprehur ndjenjën e zemërimit apo kur janë të mërzitur përmes fjalëve të qeta dhe aktiviteteve pozitive. Për shembull, loja me ujë, të pikturuarit dhe loja me brumë i ndihmon fëmijët e vegjël të shprehin ndjenjat. Fëmijët më të mëdhenj dhe adoleshentët mund të preferojnë të vrapojnë ose të dëgjojnë muzikë.
- Mësoni dhe modeloni tek fëmijët tuaj aftësitë sociale të 'respektimit të mosmarrëveshjeve'. Kjo përfshin të shprehurit e gjërave për të cilat të dy jeni dakord dhe gjërat për të cilat nuk jeni dakord. Për shembull, 'Jam dakord që libri është dhuratë nga gjyshja për ditëlindjen tënde, por nuk mendoj se është e drejtë ta ndalosh motrën tënde së lexuari atë nëse ajo është duke e kërkuar me mirësjellje'.
7. Ruani qetësinë gjatë zënkave
Kjo mund t'ju ndihmojë për të menduar paraprakisht se si të zgjidhni zënkat në situata të ndërlikuara. Në disa raste do t'ju vijë në ndihmë ti shpjegoni se nëse do të krijohen zënka, nuk do të ketë shpërblime ose privilegje (ose çfarëdo që thonë rregullat e familjes tuaj). Por është një ide e mirë nëse i rregulloni gjërat në mënyrë të tillë që fëmijët të kenë sa më pak mundësi për t'u zënë.
Disa ide për t'ju ndihmuar të shmangni grindjet e zakonshme .
Në shtëpi
- Sigurohuni që ka lodra të mjaftueshme për të gjithë, kështu ata mund të luajnë bashkërisht pa pasur nevojë për radhë.
- Nëse organizoni takime për lojëra, ftoni një mik për secilin prej fëmijëve tuaj, ose organizoni që njëri nga fëmijë të shkojë diku tjetër nëse tjetri ka ftuar një mik.
- Shpërqëndrojini fëmijët ose ndryshoni mjedisin nëse kuptoni që po afron një zënkë. Për shembull, sugjeroni një lojë të re, bashkohuni edhe ju për pak kohë, merrini fëmijët të luajnë jashtë, ose lexoni një libër duke i mbajtur ata në të dy anët tuaja.
- Nëse ju duhet të bëni një telefonatë, vendosini fëmijët në një aktivitet (ose në dy aktivitete të ndryshme) që do t'i mbajë ata të interesuar.
Në supermarket
- Krijo një rregull të veçantë. Për shembull, “Nëse nuk do të ketë zënka në supermarket, ne do të shkojmë në park kur të shkojmë në shtëpi”.
- Kërkojini fëmijëve të mbajnë anët e kundërta të karrocës së blerjeve. Ose dërgojini ata në anët e kundërta të rreshtit për të zgjedhur sendet ushqimore.
- Nëse zënkat në supermarket janë shumë të këqija, shihni mundësinë që njëri nga fëmijët të qëndrojë me një mik ose familjar ndërkohë që ju bëni pazar.
Jashtë dhe përreth
- Shpërqëndrojini fëmijët nëse ndjeni se një zënkë është gati të shpërthejë. Për shembull, loja si 'Të gjejmë fjalët' mund të funksionojë në supermarket, në plazh, në transportin publik ose në makinë.
- Në transportin publik, qëndroni ju ose mbani një karrocë midis fëmijëve.
Në makinë
- Nëse në ulësen e pasme të makinës ka një vend bosh, ulini fëmijët në të dyja anët e saj. Ose ulni një nga fëmijët e rritur midis fëmijëve që krijojnë më shumë zënka me njëri-tjetrin.
- Nëse fëmija juaj i madh është mjaftueshëm i rritur vendoseni në ulësen e parë. Mbani në vëmendje se në disa vende është e jashtëligjshme që fëmijët nën moshën katër vjeçare të udhëtojnë në ulësen e parë, dhe ka kërkesa ligjore të udhëtimit në makinë për fëmijët nën moshën shtatë vjeçare.
Ndaloni gjithmonë në rast të një zënke, ndërkohë që jeni duke i dhënë makinës. Kthimi pas për të biseduar me fëmijët ose për t'i ndarë ata, tërheq vëmendjen tuaj nga rruga.
8. Jepini mundësinë fëmijëve t'i zgjidhin gjërat vetë
Me ndihmën tuaj, fëmijët mund të mësojnë t'i zgjidhin vetë mosmarrëveshjet, pa u zënë. Kjo mund t'i ndihmojë fëmijët tuaj të kuptohen më mirë dhe të zgjidhin pozitivisht konfliktet me fëmijët e tjerë.
Disa këshilla për të ndihmuar fëmijët tuaj të zgjidhin gjërat:
- Lërini fëmijët të vazhdojnë në qoftë se janë duke u përpjekur për ti zgjidhur gjërat. Duke biseduar, duke debatuar dhe madje duke argumentuar janë të gjitha shenja që fëmijët po përpiqen ti zgjidhin gjërat. Mund të shtoni disa reagime entuziaste në lidhje me mënyrën se si ata janë duke bashkëvepruar. Për shembull, 'Hej, unë jam me të vërtetë krenar/e për mënyrën se si po përpiqeni ta zgjidhni këtë në mënyrën tuaj”.
- Mbani nën kontroll veprimet. Ky është shansi juaj më i mirë për të parandaluar plotësisht zënkat.
- Jepni disa këshilla. Disa sugjerime me vend mund të jenë gjithçka fëmijët kanë nevojë. Për shembull, 'A mund të mendoni për një mënyrë që të gjithë të mund ta përdorni kompjuterin kur keni nevojë? ' ose 'Mos harroni të jeni të drejtë dhe të merrni radhën tuaj. Kush e kishte radhën e fundit? '
- Sillni në vëmendje rregullat e shtëpisë, çfarë prisni dhe çfarë do të ndodhë nëse shpërthen një zënkë. Për shembull, “Mos harroni që të gjithë duhet të flasim mirë”, ose “A i mbani duart dhe këmbët për veten tuaj?”
Ndonjëherë mosmarrëveshjet në lidhje me kompjuterin ose një lodër të preferuar duket se kthehen menjëherë në thirrje dhe zënka. Nëse kjo ngjason me situatën tuaj, mund t'ju duhet të filloni me paralajmërimet dhe trajnimet menjëherë sapo të ndizet kompjuteri ose të shfaqet një lodër.