Përgatitja e ushqimit për familjen time
Materialet që ju nevojiten: Çdo gjë që përdorni zakonisht për të përgatitur një vakt për familjen, me përbërës të thjeshtë; mjete të thjeshta që fëmija juaj mund të përdorë për t'ju ndihmuar (tas dhe lugë e vogël, thikë plastike, etj.).
Çfarë mund të bëni së bashku: Në këtë moshë, shumica e fëmijëve duan të jenë ndihmës, dhe përgatitja e ushqimit është diçka veçanërisht interesante. Puna së bashku për ta përgatitur një pjesë të vaktit të ushqimit ju mundëson juve ta ndihmoni fëmijën në përmirësimin e gjuhës! Gjatë punës së bashku, flisni për atë që po e bëni, duke përdorur gjuhë përshkruese që ndoshta është pak më e vështirë sesa që e përdorni herave të tjera. Për shembull mund të thoni, ''Tani më duhet një lugë tjetër. A mund ta gjesh ndonjë që është ndryshe - jo si kjo që e kam? Oh, shkëlqyeshëm, kjo është më e madhe! Tani duhet ta vendosim tortën në tepsi. Më duhet një më e madhe. A po i sheh ato tepsitë atje? A mund ta gjesh një shumë të madhe?'' Ju i dini më së miri aftësitë gjuhësore të fëmijës tuaj. Bëni bisedën argëtuese, jo test për fëmijën, por një mënyrë për të përdorur fjalë të ndryshme, atij/asaj do t'i pëlqejë të provojë fjalë të reja me ju gjatë realizimit të aktivitetit.
Çfarë po mëson fëmija juaj: Ky lloj aktiviteti, me shumë biseda së bashku duke i bërë gjërat interesante, do të pasuroj fjalorin dhe zhvillimin e përgjithshëm të gjuhës. Fëmija juaj do të zgjerojë të kuptuarit e tij/saj të fjalëve dhe frazave më të vështira dhe gradualisht do të fillojë t'i përdorë ato vetë. Sigurohuni që të vazhdoni të shikoni dhe lexoni libra së bashku dhe të tregoni histori. Biseda me fëmijën tuaj gjatë këtyre kohërave është gjithashtu një mënyrë e rëndësishme për të ndërtuar aftësitë e tij/saj gjuhësore dhe komunikuese.