Pickimet dhe thumbimet nga insektet

Mund t'i trajtoni vetë shumë lloje të thumbimeve dhe pickimeve nga insektet, zakonisht me antihistaminë, paracetamol ose ibuprofen në doza të rekomanduara. Por nëse fëmija juaj ka ndonjë lloj reaksioni të rëndë ose të pazakontë ndaj pickimit ose thumbimit nga insektet, duhet të kërkoni menjëherë kujdes mjekësor.
Body

Thumbimet nga bletët

Simptomat

Fëmija juaj do të ndjejë dhimbje të forta në vendin e thumbimit, i cili zakonisht do të ënjtet shumë shpejt. Thumbimet e bletës kanë thumba në fund të tyre, të cilat qëndrojnë në lëkurë me gjëndrën e helmit. Bleta vdes pas injektimit të thumbit.

Nëse fëmija juaj është alergjik/e ndaj helmit të bletës, ai/ajo është në rrezik të një reaksioni të rëndë alergjik ndaj thumbimit nga bleta. Asaj/atij mund t'i shfaqet skuqje e përhapur, të ketë vështirësi në frymëmarrje dhe t'i bie të fikët.

Trajtimi

Largojeni insektin me kujdes. Nëse ka vdekur, mbajeni në mënyrë që mjeku juaj ta identifikojë atë. Shmangni largimin e thumbit të bletës përmes shtrydhjes, pasi kjo do të injektojë më shumë helm në plagë. Në vend të kësaj, largojeni thumbin përmes gërvishtjes, nëse mundeni.

Vendosni akull në atë pjesë për ta zvogëluar ënjtjen. Mund t'i jepni fëmijës suaj paracetamol ose ibuprofen në doza të rekomanduara për ta lehtësuar dhimbjen. Ilaçet antihistaminike mund ta lehtësojnë kruajtjen.

Nëse fëmija juaj ka reaksion të rëndë alergjik ndaj thumbimit të bletës, thirreni menjëherë ambulancën.

Pickimet nga njëqindkëmbëshit (centipedët)

Simptomat
Njëqindkëmbëshit pickojnë duke përdorur dhëmbët e tyre të përparmë. Helmi i tyre nuk është helmues, por pickimet e tyre mund të shkaktojnë dhimbje të forta dhe ënjtje.

Trajtimi
Jepini fëmijës suaj paracetamol ose ibuprofen në doza të rekomanduara. Mund të vendosni akull në zonën e pickuar. Nëse dhimbja nuk largohet, vizitoni mjekun tuaj.

Pickimet nga pleshtat

Simptomat
Nëse vëreni shenja të vogla dhe të kuqe që shkaktojnë kruajtje në kyçet e këmbëve tuaja ose kyçet e këmbëve të fëmijëve tuaj, është e mundur që në shtëpinë tuaj të ketë pleshta.

Parandalimi
Mund të blini preparate speciale për t'i trajtuar kafshët tuaja shtëpiake sa i përket pleshtave. Kafshët shtëpiake mund të kenë pleshta, veçanërisht në muajt e verës. Gjithashtu duhet t'i spërkatni qilimat dhe mobiliet tuaja. Pleshtat mund të jetojnë në qilimin dhe mobiliet tuaja për disa muaj dhe mund të kërcejnë nga këto vende te njerëzit. Nëse jeni shpërngulur në një shtëpi të re dhe pronarët e mëparshëm kanë mbajtur kafshë shtëpiake, është mirë ta spërkatni qilimin kundër pleshtave.

Pickimet nga mushkonjat

Simptomat
Reagimet alergjike ndaj pickimit nga mushkonja mund të ndryshojnë shumë. Disa fëmijëve të cilët janë të ndjeshëm ndaj pickimit nga mushkonja mund t'u shfaqen gunga të kuqe që shkaktojnë shumë kruajtje përreth pickimeve. Nëse fëmijët pickohen nga mushkonjat në fytyrë, kjo mund të shkaktojë shumë ënjtje.

Disa mushkonja në disa pjesë të botës mund të bartin sëmundje të tilla si malaria në Afrikë.

Trajtimi
Aplikimi i rregullt i locionit prej kalaminës ose hidratuesit pa aromë dhe joirritues në zonë mund të ndihmojë në lehtësimin e kruajtjes. Ndonjëherë akulli mund të ndihmojë në uljen e ënjtjes.

Mjeku juaj mund të përshkruajë pomadë kortikosteroide ose antihistamine për të ndihmuar me kruajtjen.

Nëse fëmija juaj ka ënjtje dhe kruajtje të rëndë rreth zonës së pickimit nga mushkonja, kjo mund ta pengojë fëmijën tuaj të flejë. Tabletat ose shurupi i antihistaminës mund të ndihmojnë në reduktimin e kruajtjes dhe disa prej tyre mund ta ndihmojnë fëmijën tuaj të flejë. Sidoqoftë, sigurohuni me mjekun tuaj të përgjithshëm ose farmacistin nëse këto trajtime janë të përshtatshme për moshën e fëmijës suaj.

Për ta parandaluar infeksionin, përpiquni ta ndaloni fëmijën tuaj që të mos e kruaj vendin e pickimit. Prerja e thonjve të fëmijës tuaj shumë shkurtër mund të ndihmojë.

Parandalimi
Vendosja e një rrjete mbi krevatin e fëmijës suaj është mënyra më e sigurt për ta mbrojtur atë nga mushkonjat. Kur e nxirrni fëmijën tuaj jashtë, sigurohuni që ai/ajo të jetë i/e veshur me rroba me ngjyra të çelura me mëngë të gjata dhe pantallona.

Nëse fëmija juaj është më i madh se një vit, mund të vendosni një sasi të vogël të ilaçit kundër insekteve. Ilaçet më efektive përmbajnë një përbërës të quajtur DEET. Ilaçet kundër insekteve me deri në 10% DEET janë të përshtatshëm për fëmijë.

Përpiquni ta mbani ilaçin larg gojës, syve dhe lëkurës së plasaritur të fëmijës suaj. Mund të jetë më mirë të përdorni ilaç që rrokulliset në vend të spërkatësit. Ju gjithashtu mund të aplikoni ilaç në veshje dhe jo drejtpërdrejt në lëkurë. Disa ilaçe kundër insekteve mund ta njollosin ose dëmtojnë materialin e rrobave, kështu që së pari provojeni atë në ndonjë lloj materiali.

Mushkonjat mund të jenë problematike në verë dhe ato janë më aktive në muzg dhe natën. Është mirë të keni kujdes të shtuar gjatë kësaj kohe.

Pickimet nga merimanga

Simptomat
Pickimet nga merimanga mund të shkaktojnë dhimbje të forta dhe ënjtje.

Trajtimi
Nëse mendoni se fëmija juaj është pickuar nga merimanga, vizitoni mjekun tuaj nëse:

  • dhimbja e fëmijës suaj vazhdon
  • pickimi duket i infektuar
  • fëmija juaj fillon të mos ndihet mirë ose ka të vjella, dhimbje barku, ethe, djersitje ose dhimbje koke.

Thumbimi nga grerëza

Simptomat

Grerëzat mund të thumbojnë shumë herë gjatë një sulmi.

Thumbimet e grerëzave zakonisht shkaktojnë dhimbje dhe ënjtje, por reaksionet alergjike nuk janë të zakonshme.

Trajtimi
Largojeni insektin me kujdes. Nëse ka vdekur, mbajeni në mënyrë që mjeku juaj ta identifikojë atë. Vendosni akull në zonën e thumbuar dhe përdorni ilaçe si paracetamol dhe antihistaminë për ta reduktuar ënjtjen dhe dhimbjen. Nëse fëmija juaj ka dhimbje të vazhdueshme, ose shfaq vështirësi të papritura në frymëmarrje pas thumbimit, kërkoni kujdes të menjëhershëm mjekësor.

Parandalimi
Kini kujdes të mos pini direkt nga kanaçet e hapura të pijeve të gazuara nëse jeni jashtë. Grerëzat tërhiqen nga sheqeri dhe mund të futen në kanaçe dhe pastaj ta thumbojnë këdo që pi prej saj.