Plagiocefalia
Rreth plagiocefalisë ose kokës së sheshtë
Plagiocefalia është një formë e jo e rregullt ose asimetrike e kokës - një "kokë e sheshtë". Mund të jetë gjithashtu një vend i rrafshuar në anën e pasme ose anash të kokës së një foshnjeje. Plagiocefalia mund të jetë e lehtë, mesatare ose e rëndë.
Foshnjat shpesh lindin me kokë të deformuar. Kjo mund të shkaktohet nga pozicioni i kokës në mitër gjatë shtatzënisë, ose mund të ndodhë për shkak të lakimit në kanalin e lindjes, gjatë lindjes.
Gjithashtu, kockat e kafkës së të porsalindurit janë të buta, të holla dhe fleksibile. Pra, plagiocefalia ndonjëherë ndodh kur foshnjat shtrihen me kokën në të njëjtin pozicion për një kohë të gjatë.
Plagiocefalia mund të shkaktohet nga muskujt e shtrënguar të qafës që do të thotë se foshnjat kanë një preferencë të fortë për të kthyer kokën në njërën anë.
Plagiocefalia në përgjithësi konsiderohet problem estetik, megjithatë, disa foshnja me plagiocefali të rëndë mund të kenë vonesë në zhvillimin e aftësive të përgjithshme motorike si në rrotullim dhe zvarritje.
Emri i duhur mjekësor për këtë lloj plagiocefalie është plagiocefalia deformuese. Ekziston një lloj tjetër plagiocefalie i quajtur plagiocefalia sinostotike. Ndodh kur kockat e kafkës së foshnjës nuk mbyllen në mënyrë të rregullt. Ky artikull ka të bëjë vetëm me plagiocefalinë deformuese.
Shenjat dhe simptomat e plagiocefalisë
Foshnja juaj mund të ketë formë jo të rregullt të kokës, kokë të sheshtë ose pjesë të rrafshuara në pjesën e prapme ose në anën e kokës. Veshët e foshnjës suaj mund të duken jo të rregullt dhe balli i tij/saj mund të jetë më i spikatur.
A ka nevojë fëmija juaj të vizitojë mjekun për plagiocefalinë?
• foshnja juaj ka një kokë me formë të çuditshme ose një pjesë të sheshtë, e cila nuk është kthyer në formën normale deri rreth moshës dy muajshe
• foshnja juaj ka një preferencë të fortë për të kthyer kokën në njërën anë, ose ka vështirësi të kthejë kokën
• jeni të shqetësuar për formën e kokës së foshnjës tuaj.
Trajtimi i plagiocefalisë
Shpesh, plagiocefalia e lehtë nuk ka nevojë për trajtim. Kjo ka gjasa të rregullohet ndërsa fëmija juaj rritet.
Kjo është për shkak se forma e kokës së foshnjës tuaj do të përmirësohet natyrshëm ndërsa koka e tij/saj rritet dhe aftësitë e tij/saj të përgjithshme motorike zhvillohen. Kur fëmija juaj fillon të kalojë më pak kohë në shpinë dhe më shumë kohë në bark ose ulur, do të ketë më pak presion në pjesën e pasme të kokës së tij/saj.
Nëse foshnja juaj ka nevojë për trajtim, mjeku ose infermierja mund t'ju rekomandojë të vizitoni ndonjë fizioterapist pediatrik i cili do të zhvillojë një plan trajtimi.
Trajtimi mund të përfshijë:
• ripozicionimin e foshnjës suaj në mënyrë që ai/ajo të shmangë shtrirjen në vendin e sheshtë të kokës kur është zgjuar
• kryerjen e ushtrimeve të lehta dhe zgjatjeve me foshnjën tuaj për të përmirësuar lëvizjet e qafës së tij/saj
• nxitjen e aftësive motorike si rrotullimi, zgjatja dhe kthimi
• qëndrimin e foshnjës tuaj barkas dhe anash kur ai/ajo është zgjuar
• mbajtjen e foshnjës tuaj në mënyra të caktuara – do t'ju këshillojnë profesionistët tuaj të shëndetit.
Për plagiocefalinë e rëndë, specialisti juaj mund t'iu rekomandojë që fëmija juaj të veshë një helmetë të përshtatur posaçërisht për këtë gjë, e cila heq presionin nga vendi i sheshtë dhe lejon që forma e kokës së fëmijës suaj të përmirësohet gjatë kohës kur koka e tij/saj rritet.
Parandalimi i plagiocefalisë
• Përpiquni të ndryshoni pozicionin e kokës së foshnjës nga djathtas dhe majtas kur ai/ajo fle në shpinë.
• Kur përdorni tavolinën e ndërrimit ose krevatin, ndërroni skajin në të cilin vendosni kokën e foshnjës tuaj.
• Kur foshnja juaj është zgjuar, lëreni të qëndroj barkas ose anash gjatë lojës së mbikëqyrur.
• Stimuloni foshnjën tuaj – për shembull, flisni, këndoni ose tundni një rraketake – ose vendosni lodrat pranë foshnjës tuaj në anën që ai/ajo pëlqen më pak. Kjo do ta inkurajojë atë të kthejë kokën në atë anë.
Vendosja e foshnjës në shpinë për të fjetur është pozicioni më i sigurt për gjumë. Vënia e fëmijës suaj në gjumë në bark ose anash rrit rrezikun e vdekjes së papritur në foshnjëri (SUDI).