Problemet me dhëmbët tek foshnjat
Dalja e dhëmbëve tek foshnjat
Shumë njerëz mendojnë se 'dalja e dhëmbëve' tek fëmijët i bënë ata/ato:
- që të qajnë shumë ose të duken tepër të nevrikosur
- të mos ushqehen si zakonisht
- të thithin objekte si lodra, cucëlla dhe përparësen e tyre
- të kenë më shumë pelena të pista
- të tërheqin veshin në të njëjtën anë ku del dhëmbi.
Këto shenja mund të shkaktohen nga dalja e dhëmbëve – ose mund të jenë thjesht pjesë e zhvillimit ose rezultat i infeksioneve dhe sëmundjeve të vogla.
Dalja e dhëmbëve: gjëra që duhet provuar
Nëse jeni të shqetësuar për daljen e dhëmbëve të fëmijës suaj, mund të provoni si në vijim:
- t'i jepni fëmijës tuaj diçka për të kafshuar, si një gomë për dhëmbë, furçë për dhëmbë ose cucëll, të cilat të jenë të ftohta por jo të ngrira
- t'i gatuani ushqime më të buta, të cilat kanë nevojë për më pak përtypje
- t'i jepni diçka të fortë, si p.sh. një biskotë pa sheqer, për ta thithur.
Zakonisht nuk rekomandohet të përdoret ndonjë xhel për dhëmbë sepse me gjasë nuk ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve. Ato gjithashtu mund të kenë efekte anësore të dëmshme.
Nëse fëmija juaj nuk është mirë, është gjithmonë më mirë ta çoni te mjeku – veçanërisht nëse ai/ajo ka temperaturë ose diarre [barkqitje] ose jeni të shqetësuar për ndonjë simptomë tjetër. Dalja e dhëmbëve mund të mos jetë aq problem.
Cucëlla, thithja e gishtit dhe kërcitja e dhëmbëve
Shumë foshnja edhe në këtë moshë i duan ende cucëllat e tyre. Por mund të jetë ide e mirë ta inkurajoni fëmijën tuaj që të heqë dorë nga cucëlla në këtë moshë.
Thithja e gishtit të madh ose gishtave është një refleks natyral tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Shumica e fëmijëve e lënë zakonin e thithjes së gishtit të madh ose gishtave rreth moshës 2-4 vjeçare.
Është shumë e zakonshme që foshnjat t'i kërcasin dhëmbët e tyre dhe kjo çështje zakonisht nuk ka nevojë për trajtim. Disa fëmijë shtrëngojnë nofullat e tyre mjaft fort, dhe të tjerë kërcasin dhëmbët aq fort sa të bëjnë zhurmë. Disa fëmijë kërcasin dhëmbët gjatë gjumit. Shpesh, ata/ato nuk zgjohen kur e bëjnë këtë - por të tjerët përreth zgjohen!
Në shumicën e rasteve, kërcitja e dhëmbëve nuk zgjat dhe nuk i dëmton dhëmbët e fëmijës suaj. Por kjo mund të çojë që fëmija juaj të ketë dhimbje të kokës, të dhëmbëve ose të nofullës, ose edhe dëmtim të dhëmbëve. Nëse kjo gjë vazhdon ose ndiheni të shqetësuar, atëherë mund të dëshironi të konsultoheni me dentistin.