Rekomandime të përgjithshme për fëmijë të vegjël me mbipeshë dhe obezitet nga viti i dytë e tutje
Pesha e tepërt trupore shfaqet më shpesh si pasojë e marrjes së tepërt të ushqimit ose aktivitetit të pamjaftueshëm fizik, e rrallë si pasojë e çrregullimeve gjenetike. Edhe ndryshimet në mjedis dhe në mënyrën e përkujdesjes për fëmijën mund të ndikojnë në peshën trupore dhe duhet të merren parasysh me kujdes. Mbipesha çon në probleme të shumta shëndetësore: deformime të kockave dhe nyjave, sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut, sëmundje endokrine, depresion, vetëvlerësim të ulët dhe arritje më të ulëta akademike më vonë në jetë, andaj është e rëndësishme që kjo tepricë të zbulohet në kohë dhe të merren masa për kthimin e peshës trupore brenda trendeve tipik të rritjes.
Nëse shihni që fëmija juaj ka filluar të shtojë peshë të tepërt, mund ta çoni te mjeku/pediatri për një kontroll, mbase për një ekzaminim më të hollësishëm, por ka disa masa që mund t’i merrni vetë.
Rekomandime për fëmijën e vogël:
- Sigurohuni që fëmija juaj të ketë numrin e duhur të shujtave dhe ushqim që është në sasi dhe përmbajtje në përputhje me rekomandimet për dietën optimale të përshtatshme për moshën;
- Inkurajoni atë të hajë më shumë perime shumëngjyrëshe (veçanërisht jeshile të errët, të kuqe dhe portokalli) dhe shumëllojshmëri të frutave të freskëta;
- Mund t'i jepni lëng frutash natyral vetëm si pjesë e një shujte dhe jo në sasi më të madhe se 120-180 ml;
- Ofroni fëmijës ujë të pastër kur ka etje në vend të lëngjeve të ëmbëlsuara (çaj të ëmbëlsuar, pije të gazuara, lëngje);
- Zgjidhni të jepni bukë, pasta dhe drithëra të papërpunuara;
- Zgjidhni proteina të shëndetshme: mish pule, bishtajore, djathëra me pak yndyrë, etj.;
- Mund t'u jepni qumësht të pasterizuar me yndyrë të plotë fëmijëve të moshës 1-2 vjeç dhe qumësht të skremuar fëmijëve më të rritur se 2 vjeç;
- Ofroni një dietë të larmishme dhe të ekuilibruar me ushqime të përpunuara minimalisht;
- Shmangni dhënien e ushqimeve me shumë kalori dhe kripë (pasta të yndyrshme, messhujta, patate të skuqura) për fëmijën tuaj, të cilat do ta ngopin atë dhe do të ulin oreksin e tij/saj për ushqime me vlera më të mëdha ushqyese;
- Shmangni ofrimin e ushqimeve të ëmbla për fëmijën tuaj: ëmbëlsira, biskota, çokollatë, qumësht çokollate;
- Flisni me fëmijën tuaj për t'ia bërë me dije se ju e mbështetni;
- Përqendrohuni në ndryshimin gradual të nivelit të aktiviteteve fizike dhe shprehive të të ngrënit të të gjithë familjes në mënyrë që fëmija të mos ndihet i vetmuar;
- Bëhuni shembull pozitiv për fëmijën tuaj;
- Vendosni rutinat në të ngrënë, aktivitete dhe gjumë, lejojini atij/asaj kohë të mjaftueshme për të fjetur;
- Kufizoni kohën e qëndrimit para ekranit (tablet, TV, telefon) në më pak se 1 orë;
- Angazhoni fëmijën tuaj, nëse është më i rritur se 2 vjeç, në aktivitete fizike mesatare dhe intensive, të ndara në intervale më të shkurtra, aktivitete me të cilat fëmija dhe e gjithë familja do të kënaqen dhe të cilat nuk janë shumë të vështira për të (ecje e shpejtë, not, kërcim, lojëra me top, çiklizëm ..) për të paktën 60 deri 90 minuta gjatë ditës.
Adoptoni ndryshimet dhe zakonet e reja që do ta bëjnë të gjithë familjen aktive dhe të shëndetshme!