Sëmundjet e rënda të fëmijërisë: 0-3 vjeç

Thirrni ambulancën nëse fëmija juaj ka simptoma si përgjumje, vështirësi në frymëmarrje, lëkurë të zbehtë ose të kaltër, konvulsione ose një skuqje që nuk zbehet. Shkoni në emergjencë nëse i porsalinduri juaj ka temperaturë, ose foshnja ose fëmija juaj ushqehen keq, vjellin shumë dhe/ose qajnë më pak se zakonisht. Nëse nuk jeni të sigurt nëse fëmija juaj është vërtet i/e sëmurë, besoni instinkteve tuaja. Ju e njihni më së miri fëmijën tuaj.
Body

Sëmundjet e rënda të fëmijërisë: çfarë duhet bërë?

Foshnjat dhe fëmijët e vegjël me shenjat dhe simptomat e renditura në këtë artikull janë në rrezik të sëmundjeve të rënda.

Nëse vëreni ndonjë nga problemet e renditura më poshtë, kërkoni kujdes mjekësor sa më shpejt të jetë e mundur. Ju e njihni fëmijën tuaj më së miri, kështu që besoni instinkteve tuaja nëse fëmija juaj nuk duket mirë.

Mënyra më e shpejtë për të marrë kujdes të menjëhershëm mjekësor është ose të telefononi shërbimet e emergjencës dhe të kërkoni një ambulancë, ose ta çoni fëmijën tuaj në departamentin e emergjencës në spitalin tuaj më të afërt.

Kur duhet të telefononi ambulancën për sëmundjet e fëmijërisë?

Nëse vëreni ndonjë nga shenjat dhe simptomat e mëposhtme, telefononi dhe kërkoni një ambulancë:

  • përgjumje ose mos-reagim
  • të qara me zë të lartë, të dobët ose të vazhdueshme
  • vështirësi në frymëmarrje ose frymëmarrje e pazakontë
  • lëkurë e zbehtë, me njolla ose e kaltër
  • kriza ose konvulsione
  • një skuqje që nuk zbehet kur shtypni lëkurën e fëmijës suaj.

Gjeni në vijim më shumë informacione në lidhje me këto shenja dhe simptoma.

Përgjumje dhe mos-reagim

Është normale që fëmija juaj të jetë i/e përgjumur ndonjëherë - për shembull, pas ushqimit. Por nëse fëmija juaj duket më i/e përgjumur se zakonisht, kjo mund të jetë një shenjë e sëmundjeve të rënda të fëmijërisë.

Nëse nuk mund ta zgjoni fëmijën tuaj edhe kur përpiqeni shumë herë, kërkoni ndihmë menjëherë.

Mos-reagimi mund të jetë një shenjë e disa sëmundjeve dhe gjendjeve të rënda të fëmijërisë, duke përfshirë sheqerin e ulët në gjak (hypoglycaemia) ose infeksionin e trurit kërcënues për jetën (meningjiti).

Të qara me zë të lartë, të dobët ose të vazhdueshme
Të gjitha foshnjat dhe fëmijët e vegjël qajnë. Por nëse fëmija juaj po qan në një mënyrë të pazakontë, e qara nuk ndalet dhe ju keni probleme për ta qetësuar fëmijën tuaj, duhet të jeni të shqetësuar.

Vështirësi në frymëmarrje ose frymëmarrje e pazakontë
Nëse fëmija juaj ka vështirësi në frymëmarrje, mund ta vëreni se:

  • atij/asaj i duhet të marrë frymë shumë më shumë për të futur ajrin në mushkëri
  • ai/ajo ka një kollë të vazhdueshme
  • muskujt midis brinjëve të tij/saj tërhiqen kur ai/ajo përpiqet të marrë frymë
  • ai/ajo nuk mund të bisedojë apo të nxjerrë zë.

Në raste të rënda, fëmija juaj mund të duket shumë i/e lodhur dhe i/e kaltër. Ai/ajo mund të jetë i/e heshtur ose të bëjë zhurmë rënkuese me çdo frymëmarrje.

Këto simptoma të frymëmarrjes mund të shkaktohen nga gjendjet si infeksion i mushkërive (pneumonia) ose astma e rëndë.

Lëkurë e zbehtë, me njolla ose e kaltër
Lëkura e zbehtë, me njolla ose e kaltër mund të shkaktohet nga qarkullimi i dobët i gjakut ose nivelet e ulëta të oksigjenit në trup, të cilat të dyja mund të ndodhin në sëmundje të rënda të fëmijërisë.

Kriza ose konvulsione
Nëse fëmija juaj ka një krizë ose konvulsion, sytë e tij/saj mund të rrotullohen prapa. Ai/ajo mund të mos reagojë, të dridhet fort në të gjitha gjymtyrët për një kohë të shkurtër dhe të ketë frymëmarrje të cekët ose të pazakontë.

Pasi të ketë ndalur konvulsioni, vendosni fëmijën tuaj në anën e tij/saj në një sipërfaqe të butë, duke e mbajtur këmbët e përkulura në gjunjë. Ky është pozicioni i rikuperimit. Mos vendosni asgjë (përfshirë gishtat) në gojën e fëmijës tuaj gjatë kësaj kohe. Kjo mund të bllokojë frymëmarrjen e fëmijës suaj.

Skuqje (testi pozitiv përmes gotës të qelqit)
Njollat e lëkurës që nuk zbehen kur shtypni një gotë fort në lëkurën e fëmijës suaj mund të jenë një shenjë e hershme e një infeksioni meningokokal kërcënues për jetën.

Kur duhet të shkoni në emergjencën e spitalit për sëmundjet e fëmijërisë

Nëse vëreni ndonjë nga shenjat dhe simptomat e mëposhtme, çoni fëmijën tuaj direkt në institucionin më të afërt emergjent:

  • ethe/temperaturë të lartë tek foshnjat më pak se tre muajsh
  • më pak urinë se zakonisht
  • ushqyerja e dobët
  • të vjella të shpeshta

Gjeni në vijim më shumë informacione në lidhje me këto shenja dhe simptoma.

Ethe ose temperaturë e lartë mbi 38°C
Ethe konsiderohet temperatura më e lartë se 38°C. Është mënyra normale e trupit për të luftuar infeksionet. Shumica e fëmijëve me temperaturë nuk kanë ndonjë sëmundje serioze. Por në disa raste, ethet mund të jenë shenjë e një infeksioni më serioz.

Nëse foshnja juaj është nën tre muaj dhe ka ethe, duhet të vizitohet nga mjeku menjëherë. Kjo është për arsye se është më e vështirë të thuhet nëse fëmijët e kësaj grupmoshe kanë sëmundje të rënda.

Por nëse fëmija juaj është mbi tre muaj dhe nuk shfaq shenja të tjera të sëmundjes së rëndë, mund ta çoni fëmijën tuaj te mjeku, mundësisht në të njëjtën ditë.

Të ndjerit e temperaturës së lëkurës së fëmijës suaj duke e vendosur dorën në ballë nuk është një mënyrë e besueshme për të diagnostikuar temperaturën. Mënyra më e mirë për të kontrolluar temperaturën e fëmijës suaj është duke përdorur një termometër.

Më pak urinë se zakonisht
Një shenjë e hershme e shumë sëmundjeve të rënda është urinimi më i rrallë se zakonisht – domethënë, më pak se gjysma e numrit total të pelenave të lagura që zakonisht ka fëmija juaj çdo ditë. Mund të nënkuptojë se fëmija juaj është i/e dehidratuar.

Ushqyerja e dobët
Nëse foshnja juaj nuk ushqehet mirë ose nuk ka interes për të ushqyer, kjo mund të jetë një shenjë e hershme e ndonjë sëmundje të fëmijërisë.

Të vjella të shpeshta
Të vjellat janë një mënyrë normale që trupi të heqë qafe diçka që nuk dëshiron. Mund të jetë gjithashtu një shenjë e sëmundjes ose infeksionit.

Të vjellat që nuk ndalen mund të shkaktojnë dehidrim ose çrregullime metabolike të rrezikshme për organizmin.

Shkoni menjëher në institucionin më të afërt emergjent nëse fëmija juaj nuk mund të hajë ose pijë asgjë pas disa orësh dhe vazhdon të vjell, veçanërisht nëse nuk duket mirë.