Si ta parandaloni kafshimin e qenit?

Kafshimet e qenve janë më të zakonshme te fëmijët sesa te të rriturit, dhe mundësia e lëndimeve të rënda është veçanërisht e rëndësishme. Shumica e kafshimeve vijnë nga qen të njohur, gjë që e thekson rëndësinë e masave parandaluese. .
Body
  • Asnjëherë mos e lini fëmijën tuaj vetëm me ndonjë qen.
  • Mësojeni fëmijën tuaj kurrë të mos i afrohet vetë një qeni të panjohur ose një qeni prapa një gardhi.
  • Nëse qeni ka një pronar, mësojeni fëmijën ta përkëdhelë atë vetëm me pëlqimin e pronarit. Para se ta përkëdhelë, është e nevojshme që ju dhe fëmija ta fitoni besimin e qenit - lëreni që së pari t’ju shikojë dhe t’ju nuhasë. Mos e shikoni qenin në sy dhe mos e përkëdhelni në kokë, këmbë, putra apo bisht.
  • Mësojini fëmijët t’i trajtojnë qentë me dinjitet dhe pa imponim - të mos i ngacmojnë qentë, të mos u afrohen atyre papritmas, të mos bëjnë lëvizje të papritura dhe të shpejta, dhe të mos bërtasin dhe të bëjnë zhurmë pranë tyre.
  • Mos lejoni që fëmijët të luajnë me qentë në mënyrë të ashpër, të mos i shqetësojnë kur flenë, hanë ose kujdesen për të vegjlit e tyre. Kjo mund ta provokojë kafshën për të sulmuar.
  • Mësojeni fëmijën tuaj të mos e tërheq qenin nga veshët dhe bishti; në vend të kësaj, tregojini atij/asaj se si ta përkëdhelë, butësisht nga koka tek bishti.
  • Mësojeni fëmijën tuaj të mos përpiqet t'i marrë ndonjë lodër nga goja e qenit.
  • Meqenëse është e mundur që fëmija dhe qeni të konkurrojnë për ushqim, mos e ushqeni fëmijën pranë kafshës ose mos lejoni që fëmija të shqetësojë kafshën derisa ha.
  • Mos harroni se përqafimi dhe puthja e qenve nuk është e natyrshme për ta dhe se veprime të tilla mund ta trembin edhe më shumë qenin, veçanërisht nëse nuk është kafsha juaj.
  • Nëse jeni pronar i qenit, sigurohuni që kafshën tuaj ta bëni me çip dhe ta vaksinoni rregullisht kundër tërbimit dhe sëmundjeve tjera, siç këshillohet nga veterineri.
  • Mos e futni te fëmija juaj frikën nga qentë; megjithatë, ju duhet t’i shpjegoni atij/asaj se qeni nganjëherë mund të jetë agresiv, të leh dhe të rënkojë sepse është i uritur, i frikësuar, etj.
  • Nëse një fëmijë ka frikë nga qentë ose qeni e tremb atë në një moment, mësojeni atë të mos ikë, por të qëndrojë në vend ose të largohet ngadalë.
  • Çfarë duhet të bëni kur përballeni me një qen agresiv? Nëse një fëmijë ballafaqohet me një qen që rënkon, leh ose sillet në mënyrë agresive, është e nevojshme të qëndroni të qetë, të mos bërtisni, të mos e shikoni qenin në sy dhe ngadalë të largoheni nga kafsha.

Nëse qeni e rrëzon fëmijën, sigurohuni që fëmija të mbështillet si top, me kokë e këmbë të kërruset drejt gjoksit, me qëllim që ta mbrojë fytyrën dhe sytë, duke i lidhur duart e tij/saj në pjesën e pasme të kokës.