Sindroma e vdekjes së papritur - shkaqet dhe parandalimi

Sindroma e vdekjes së papritur është dukuri e papritur e vdekjes së një fëmije që në dukje është i/e shëndetshëm/e, i/e cili/a nuk ka simptoma ose pamje klinike të ndonjë sëmundje. Në varësi të moshës, ne bëjmë dallimin midis sindromës së vdekjes së papritur të foshnjave (SVPF) dhe vdekjes së papritur të pashpjegueshme në sindromën e fëmijërisë.
Body

Sindroma e vdekjes së papritur të foshnjave (SVPF)

Ndodh te fëmijët deri në një vit, kryesisht gjatë gjumit. Më së shpeshti ndodh midis muajit të dytë dhe të katërt të jetës, dhe është më e zakonshme te djemtë, në dimër dhe te fëmijët që nuk ushqehen me gji.

Sindroma e vdekjes së papritur të pashpjegueshme në fëmijëri

Ndodh te fëmijët më të vjetër se një vit, gjithashtu ndodh më shpesh në gjumë, por është më e rrallë sesa te foshnjat.

Shkaku i vërtetë i kësaj gjendjeje ende nuk është përcaktuar, por shkencëtarët besojnë se një kombinim i karakteristikave të zhvillimit të fëmijës, faktorëve të nënës dhe mjedisit shpie në shfaqjen e kësaj sindrome.

Faktorët më të zakonshëm të rrezikut

  • pozicioni – fjetja në bark,
  • fjetja në sipërfaqe shumë të buta
  • fjetja në të njëjtin shtrat me prindërit
  • lodra të buta dhe jastëk në krevatin e fëmijës
  • lindja e parakohshme ose pesha e ulët në lindje
  • paaftësia e trupit për të zbuluar dioksid karbonin e tepërt në gjak
  • vështirësi në zgjimin e fëmijës
  • mbinxehja e trupit
  • ekspozimi ndaj tymit të duhanit gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes
  • kujdesi jo adekuat para lindjes
  • kushte të këqija socio-ekonomike të jetesës
  • foshnjat nga shtatzënitë binjake ose të shumëfishta
  • intervali i shkurtër midis shtatzënive
  • mosha e nënës nën 20 vjeç 
  • infeksionet e traktit respirator.

Si t’i zvogëloni gjasat e shfaqjes së kësaj gjendje?

  • Foshnja duhet të flejë me shpinë (sepse është pozicioni më i sigurt – e zvogëlon probabilitetin e SVPF-së  për 50%).
  • Foshnja duhet të flejë në krevatin e tij/saj.
  • Foshnja nuk duhet të flejë në të njëjtin shtrat me prindërit, por duhet të flejë në të njëjtën dhomë me ta.
  • Në krevatin e foshnjës nuk duhet të ketë lodra (veçanërisht ato prej pelushi), jastëk ose shtroje më të rënda (jorganë, batanije më të rënda, etj.).
  • Shmangni mbinxehjen e dhomës ku fle fëmija dhe veshjen e fëmijës shumë trashë. Temperatura e dhomës duhet të jetë 18-22 ° C)
  • Mos e ekspozoni foshnjën ndaj tymit të duhanit - mos pini duhan në dhomën ku qëndron fëmija qëndron, madje është mirë që ta shmangni plotësisht pirjen e duhanit në shtëpi.
  • Përdorni një alarm për bebe - për monitorimin e vazhdueshëm të fëmijës dhe gjendjen e tij/saj.
  • Ushqeni me gji për të paktën gjashtë muaj, sepse e zvogëlon mundësinë e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes, të cilat janë një nga faktorët e rrezikut për zhvillimin e kësaj gjendje.
  • Tek fëmijët më të mëdhenj është e rëndësishme një dietë e përshtatshme dhe regjimi i gjumit - fëmija nuk duhet të shkojë në shtrat menjëherë pasi të ushqehet.
  • Nëse fëmija ka vështirësi të zgjohet - kjo dhe çrregullime të ngjashme duhet t'i raportohen pediatrit.

Aktualisht nuk ka produkte ose agjentë në treg, përdorimi i të cilave mund të parandalojë sindromën e vdekjes së papritur. Njohja me bazat dhe teknikat e ndihmës së parë dhe ringjallja kardiopulmonare janë thelbësore për parandalimin e vdekjeve, andaj prindërve u rekomandohet t’i mësojnë këto aftësi.