Skarlatina

Simptomat e skarlatinës përfshijnë skuqjen e kuqe me gunga, gjuhën e skuqur, dhimbje të fytit, gjëndra të fryra dhe temperaturë. Vizitoni mjekun tuaj nëse fëmija juaj ka simptoma të skarlatinës. Fëmija juaj ka nevojë për antibiotikë.
Body

Rreth skarlatinës

Skarlatina është sëmundje e karakterizuar me skuqje tipike që mund të shfaqet kur një fëmijë është prekur nga një infeksion i shkaktuar nga bakteri Streptococcus pyogens (streptokoku i grupit A). Zakonisht, njihet si infeksion i fytit, por ndonjëherë mund të jetë edhe infeksion i lëkurës. Simptomat e skarlatinës zhvillohen kur bakteret lëshojnë toksina që përhapen në trupin e fëmijës.

Bakteret e streptokokut të grupit A mund të përhapen nga personi në person përmes teshtitjes, kollitjes ose prekjes së plagëve të dikujt me infeksion të lëkurës.

Simptomat e skarlatinës

Fëmijët me skarlatinë pothuajse gjithmonë kanë:

  • dhembje të fytit;
  • skuqje;
  • gjëndra limfatike të ndjeshme dhe të fryra në qafë;
  • ethe;
  • të vjella.

 Skuqja

Skuqja duket si djegie nga dielli dhe ndjehet si letër gërryese. Zakonisht fillon në fytyrë ose qafë dhe përhapet në trup, krahë dhe këmbë. Nëse ushtrohet presion në lëkurën e skuqur, ajo do të bëhet e zbehtë.

Palosjet e lëkurës rreth ijëve, sqetullave, bërrylave, gjunjëve dhe qafës zakonisht bëhen më të kuqe sesa skuqja përreth.

Fytyra mund të duket e skuqur me një rreth të zbehtë përreth gojës.

Gjuha e fëmijëve gjithashtu mund të bëhet e kuqe e ndezur. Kjo nganjëherë quhet "gjuhë luleshtrydhe".

Pasi infeksioni të jetë larguar, lëkura e fëmijëve mund të qërohet, zakonisht në majat e gishtërinjve të dorës dhe këmbëve.

Nëse fëmija është prekur nga skarlatina, do të jetë infektues vetëm 1-2 ditë pas marrjes së trajtimit të duhur. Por nëse nuk merr trajtim, mund të jetë infektues për 10-21 ditë.

A duhet fëmija të vizitojë mjekun për skarlatinë?

Po. Ju duhet ta dërgoni fëmijën te mjeku nëse shfaq simptoma të skarlatinës.

Ekzaminimi i skarlatinës

Mjeku mund të bëjë një shtrish fyti për të vërtetuar nëse fëmija ka infeksion Streptococcus pyogens.

Trajtimi i skarlatinës

Skarlatina duket dramatike, por zakonisht trajtohet lehtësisht me antibiotikë nga grupi i penicilinës. Nëse fëmija është alergjik ndaj penicilinës, mjeku do të përshkruajë një lloj tjetër antibiotiku.

Me trajtim, fëmijës tuaj zakonisht do t'i kalojë brenda 24-48 orëve.

Komplikimet nga skarlatina

Nëse nuk trajtohet, ky lloj infeksioni mund të shkaktojë komplikime të tilla si infeksion i rëndë i Streptococcus pyogens, dhe nganjëherë komplikime të mëvonshme si ethet reumatike dhe dëmtime të veshkave (glomerulonefriti).

Parandalimi i skarlatinës

Nuk ka vaksinim kundër skarlatinës.

Për të parandaluar përhapjen e baktereve të grupit A, të gjithë anëtarët e familjes duhet t'i lani duart rregullisht me ujë të ngrohtë me sapun. Gjithashtu, të gjithë duhet të përpiqeni të mos i prekni sytë, hundën dhe gojën.