Ushqyerja e përgjegjshme me gji- duke iu përgjigjur nevojave të fëmijës

Ushqejeni foshnjën tuaj sa herë që ai/ajo tregon shenja urie, mos prisni që ai/ajo të fillojë të qajë në mënyrë të pangushëllueshme. Ndiqni sinjalet që foshnja juaj ju dërgon dhe lëreni të thithë gjirin sa herë që ai/ajo dëshiron, pa kufizuar numrin ose kohëzgjatjen e mëkimeve. Kjo mënyrë e ushqimit të fëmijës do të përmbushë nevojat e tij/saj për shuarjen e etjes dhe urisë. .
Body

Kur ushqeni fëmijën tuaj me gji sipas kërkesës, në vend se sipas një orari të caktuar, qumështi i gjirit fillon të prodhohet më shpejtë si dhe prodhohet sasi më e madhe e qumështit.  Rreziku i verdhëzës neonatale, fryrjes së gjinjëve dhe mastitit zvogëlohet. Kjo qasje siguron ushqyerjen e suksesshme me gji: ushqejeni me gji foshnjën tuaj pa shtesa për gjashtë muajt e parë dhe vazhdojeni ushqyerjen me gji edhe pas fillimit të dhënies së ushqimeve të ngurta, deri në fund të vitit të parë dhe më tej.

Sinjalet që fëmija dërgon kur është i uritur:

Ai/ajo fillon të shqetësohet, hap gojën e tij/saj, e kthen kokën e tij/saj nga njëra anë në tjetrën sikur kërkon diçka; kjo është mënyra e foshnjës për t'ju thënë “Unë jam i uritur, më ushqeni”.

Këto sinjale fillestare pasohen nga zgjatje të gjymtyrëve, lëvizje më intensive, vendosja e dorës në gojë; të cilat pëqojnë mesazhin: “Unë jam vërtet i uritur tani”.

Mos prisni që foshnja të fillojë të qajë në mënyrë të pangushëllueshme; sepse atëherë mesazhi është “Më qetësoni, më lejoni të thith”.

Cila është sjellja “normale” e të porsalindurit?

Nuk ka përgjigje të thjeshtë për këtë pyetje, sepse çdo fëmijë është i ndryshëm. Planifikoni të qëndroni në një dhomë së bashku me fëmijën tuaj që nga lindja, dhe me ndihmën e mbështetjen e stafit të spitalit, ju do të filloni ta njihni fëmijën tuaj, do të mësoni të interpretoni sinjalet e tij/saj dhe do t'u përgjigjeni atyre.

  • Një i porsalindur dëshiron të thithë përafërsisht çdo një deri në tre orë në shtatë ditët e para, por mund të kërkojë të thithë edhe shumë më shpesh, dhe kjo është një sjellje plotësisht normale e të porsalindurit.
  • Ndonjëherë fëmija kërkon të thithë shumë shpesh (fëmija pi nga pak dhe shumë shpesh) për disa orë, sjellje kjo të cilën nëna mund ta interpretojë sikur nuk ka qumësht të mjaftueshëm ose që ka një problem tjetër.
  • Kur fëmija fillon të thithë dhe qumështi fillon të rrjedhë,  fëmija duhet të ketë minimalisht  8-12 sesione të gjidhënies në 24 orë.
  • Ndonjëherë intervali midis disa sesione gjidhëniesh mund të jetë më i gjatë.
  • Ushqyerja me gji gjatë natës është e rëndësishme, veçanërisht në fillim, për të siguruar stimulim të mjaftueshëm për prodhimin e qumështit.

Dikush mund t'ju thotë se ushqyerja e shpeshtë me gji mund të shkaktojë çarje të thithkave. Thithkat e dhimbshme dhe të dëmtuara janë rezultat i kapjes së dobët të gjirit, dhe jothithjeve shumë të shpeshta ose shumë të gjata. Nëse foshnja pozicionohet dhe puthitet mirë në gji, nuk do të krijohen vështirësi nëse ai/ajo e thithë për një kohë të gjatë ose shpesh gjirin.

Nuk është gjithmonë e mundur që fëmija të lihet të vendosë kur dhe sa të thithë

  • Kur ushqimet me gji janë shumë të gjata (shumica e vakteve zgjasin më shumë se 40 minuta), ose shumë të shkurtra (shumica e vakteve zgjasin më pak se 10 minuta), ose shumë të shpeshta (më shumë se 12 gjidhënie në 24 orë), kontrolloni nëse foshnja po pozicionohet dhe puthitet në gji siç duhet, nëse ka humbje të madhe në peshë apo ndonjë problem shëndetësor.
  • Nëse foshnja është e përgjumur ose e dobët për shkak të lindjes së parakohshme, peshës së ulët ose verdhëzës, ndonjëherë është e nevojshme ta inkurajoni atë që të thithë ose ta ushqeni atë me gji të shtrydhur në një filxhan, derisa ai/ajo të bëhet më i/e fortë.
  • Nëse gjinjtë tuaj janë të fryrë dhe keni dhimbje, zgjojeni të porsalindurin për të thithur më shpesh, dhe kështu ndihmoni të dy, atë dhe vetveten.

Si të zgjoni një fëmijë të fjetur për të thithur?

  • Zbulojeni dhe zhvisheni fëmijën për t'i lejuar atij/asaj të lëvizë lirshëm krahët dhe këmbët;
  • Ushqejeni me gji fëmijën tuaj në një pozicion ndenjur ose gjysmë të ulur, jo të shtrirë;
  • Butësisht masazhojeni fëmijën dhe bisedoni me të;
  • Nëse fëmija është ende i përgjumur, prisni gjysmë ore dhe provoni përsëri;
  • Shmangni ndërhyrjet e dhimbshme, të tilla si pickimi i faqeve ose goditja tek shputat e këmbëve të fëmijës.