Ushqyerja me gji gjatë shtatzënisë
Ju jeni shtatzënë dhe ende e ushqeni fëmijën tuaj më të madh me qumësht gjiri. E pyesni veten nëse duhet të ndaloni ushqyerjen me gji, nëse ende prodhohet mjaft qumësht, cili është ndikimi i ushqyerjes me gji tek fëmija i palindur. Ndonjëherë nëna ose fëmija, vendos të ndalojë gradualisht ushqyerjen me gji gjatë shtatzënisë. Megjithatë, disa vazhdojnë gjatë gjithë shtatzënisë, veçanërisht nëse foshnja është ende e vogël dhe shtatzënia është e paplanifikuar.
Ushqyerja me gji mbron pjesërisht nga shtatzënia tjetër, por trupi i çdo gruaje është i ndryshëm. Disa gra mbesin shtatzënë lehtë ndërsa janë ende duke ushqyer me gji. Për të mbrojtur veten nga shtatzënia e paplanifikuar, konsultohuni me gjinekologun tuaj se çfarë metode kontraceptive rekomandohet gjatë ushqyerjes me gji.
Nëse e gjeni veten në këtë situatë, do të keni shumë pyetje dhe dilema. Ndonjëherë këshillat e punonjësve shëndetësorë do të jenë të ndryshme; jini të kujdesshëm dhe mendoni mirë edhe nëse dikush ju këshillon të ndaloni dhënien e gjirit, veçanërisht nëse fëmija juaj është vetëm disa muajsh.
Cili është ndikimi i ushqyerjes me gji tek fëmija i palindur?
- Ekziston shqetësimi se fëmija i palindur nuk do të marrë mjaftueshëm nga ushqimi që i nevojitet. Duket se nevojat e foshnjës së palindur vijnë së pari dhe se ai/ajo merr gjithçka që i nevojitet nëse dieta e nënës është e rregullt dhe me cilësi të mirë.
- Këshillohet kujdesi nëse nëna ka pasur më parë abort ose lindje të parakohshme, megjithëse probabiliteti që kjo të ndodhë për shkak të ushqyerjes me gji është i ulët.
- Një dilemë tjetër është nëse foshnja e re do të marrë kulloshtrën e mjaftueshme. Duket se gjiri automatikisht fillon të prodhojë kulloshtër në fund të shtatzënisë. Shija e kulloshtrës (është më e kripur se qumështi i pjekur) mund të ndihmojë në largimin nga gjiri të fëmijës më të madh.
Si ndihet një grua shtatzënë gjatë dhënies së gjirit?
Ushqyerja me gji gjatë shtatzënisë mund të ketë efekte të ndryshme anësore. Disa nëna raportojnë se simptomat e tyre në mëngjes përkeqësohen gjatë ushqyerjes me gji, ndoshta për shkak të sekretimit të hormoneve, urisë, etjes ose lodhjes. Thithkat tuaja mund të bëhen tepër të ndjeshme për shkak të hormoneve të shtatzënisë; kushtoni vëmendje pozicionit dhe puthitjes së mirë të fëmijës në gji.
A prodhohet ende qumësht i mjaftueshëm?
Nëse fëmija është nën nëntë muajsh, ushqeheni mirë dhe i ofroni fëmijës të thithë kur të dojë, ka mundësi të mirë për të ruajtur sasinë e kërkuar të qumështit. Ndonjëherë hormonet e shtatzënisë zvogëlojnë prodhimin e qumështit; duhet të konsultoheni me mjekun në çdo rast.
Të ndaloni ushqyerjen me gji apo jo?
Nëse vendosni të ndaloni gjidhënien, përpiquni ta bëni atë gradualisht. Ndonjëherë vet fëmija juaj vendos të ndalojë ushqyerjen me gji; është normale të ndiheni fajtorë për përshpejtimin e këtij procesi pasi keni mbetur shtatzënë, ose të pendoheni për humbjen e kësaj lidhjeje të veçantë që keni pasur me fëmijën tuaj. Mundohuni të përqendroheni në foshnjën e re dhe marrëdhënien që do të keni të gjithë së bashku. Shtatzënia juaj e dytë dhe shtatzënitë e mundshme të mëvonshme janë një periudhë e veçantë. Do të ndiheni më të sigurt në rolin tuaj si nënë, sepse tashmë keni lindur me sukses dhe keni ushqyer fëmijën tuaj të parë me gji.
Ushqyerja me gji në tandem
Ushqyerja me gji në tandem nënkupton ushqyerjen me gji të dy fëmijëve të moshave të ndryshme në të njëjtën kohë (për dallim nga ushqyerje me gji e binjakëve ). Është e mundur të ushqeni me gji të dy fëmijët pas lindjes. Ndonjëherë, fëmija më i madh, i cili ka ndaluar ushqyerjen me gji gjatë shtatzënisë, kërkon të vazhdojë edhe pas lindjes së foshnjës së re. Ushqyerja me gji në tandem është e mundur dhe disa shoqata profesionale e rekomandojnë atë. Avantazhi është se fëmija më i madh ende gëzon të gjitha përfitimet ushqyese dhe imune të qumështit të gjirit dhe gjithashtu mund të ndihmojë nënën nëse gjinjtë janë të mbingarkuar. Nga ana tjetër, fëmija më i vogël mund të mos marrë qumësht të mjaftueshëm, ose vëmendjen dhe përqendrimin e plotë të nënës.