Vaksina kundër Hepatitit B
Vaksina kundër Hepatitit B injektohet në pjesën e përparme të kofshës te foshnjat ose pjesën e sipërme të krahut te fëmijët e rritur. Fëmijëve deri në moshën 15 vjeç u jepet doza prej 0.5 ml, ndërsa personave të moshës mbi 16 vjeç u jepet doza prej 1.0 ml. Vaksinimi kryhet sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit si në vijim:
Doza e parë - dita e parë pas lindjes (24 orët e para).
Doza e dytë - 2 muaj pas dozës në lindje.
Doza e tretë - 3 muaj pas dozës në lindje.
Doza e katërt - 4 muaj pas dozës në lindje.
Doza e parë e vaksinës kundër hepatitit B merret si e vecantë, ndërsa doza e dytë, e tretë dhe e katërt merren si pjesë e vaksinës pentavalente.
Është e rëndësishme të testohen gratë shtatzëna për hepatitin B. Në rast se ato kanë qenë të infektuara me virusin e hepatitit B, fëmija merr antitrupa specifik (imunoglobulin e hepatitit B) në ditën e parë pas lindjes, përveç vaksinës.
Nëse zbatohen të gjitha masat e mësipërme, nënat me Hepatit B mund të ushqejnë me qumësht gjiri fëmijën e tyre, përveç në situata kur thimthat janë të plasaritura dhe kanë gjakderdhje. Në këto raste, shtyhet gjidhënia deri në shërim.
Vaksina kundër hepatitit B mund të jepet në të njëjtën kohë me vaksinat e tjera, si me vaksinën kundër tuberkulozit, difterisë, tetanosit, kollës së mirë, MMR-së.
Vaksina nuk u jepet personave që kanë sëmundje akute të shoqëruar me temperaturë të lartë, atyre që më parë kanë pasur reaksion alergjik të rëndë nga ndonjë prej përbërësve të vaksinës.
Personave në hemodializë ose atyre me imunitet të dobët mund t'u nevojitet një dozë shtesë përforcuese.
Ftohja e zakonshme nuk është një arsye për të vonuar vaksinimin!