Vështirësi për aktivitetin fizik të fëmijëve: si t'i kapërcejmë ato!

Pengesat e përbashkëta për aktivitetin fizik të fëmijëve përfshijnë kohën e qëndrimit ulur, hapësira të kufizuara për lojë, oraret e ngarkuara dhe kohën e qëndrimit para ekranit. Shikoni sesa kohë fëmija juaj qëndron ulur apo i/e kufizuar, si dhe mendoni mbi hapësirën tuaj, orarin e familjes dhe qasjen ndaj kohës para ekranit. Me disa rregullime, ju mund t'i kushtoni më shumë kohë, mundësive për aktivitet fizik.
Body

Vështirësi të përbashkëta për aktivitetin fizik të fëmijëve

Për t'u rritur dhe zhvilluar mirë në fëmijëri, fëmijët e moshave të ndryshme kanë nevojë çdo ditë për sasi dhe lloje të ndryshme të aktivitetit fizik.

Por ka disa pengesa të përbashkëta në aktivitetin fizik të fëmijëve:

  • periudha të gjata qëndrimi në pozicionin ulur
  • mjedisi rreth shtëpisë tuaj
  • orare të ngarkuara familjare
  • koha e dedikuar mjeteve teknologjike.

Lajmi i mirë është se ka mënyra të thjeshta, praktike dhe argëtuese për të kapërcyer të gjitha këto pengesa dhe për të përfshirë fëmijët më shumë gjatë ditës në aktivitet fizik.

Shmangia e periudhave të gjata të qëndrimit ulur

Duke qenë i/e kufizuar apo duke qëndruar ulur për një kohë të gjatë mund të ndalojë fëmijët e vegjël të përfshihen në aktivitet të mjaftueshëm fizik.

Udhëzimet nga ekspertë australiane theksojnë se fëmijët e moshës:

  • 1 deri në 5 vjeç nuk duhet të qëndrojnë ulur për periudha të zgjatura apo të kufizohen për më shumë se një orë kohë - për shembull, në një karrocë fëmijësh, vend për makinë ose karrige të lartë.
  • 5 deri në 18 vjeç duhet të kufizojnë sa më shumë të jetë e mundur qëndrimin ulur për periudha të gjata.

Një mënyrë për të kapërcyer këtë pengesë është që të lejoni fëmijët tuaj të ecin, të lëvizin, të përdorin një biçikletë, skuter ose të shtyni së bashku një lodër kur jeni duke shkuar diku. Kjo mund ta bëjë udhëtimin tuaj pak më të ngadalshëm, prandaj planifikojeni përpara dhe jepni vetes mjaftueshëm kohë për të arritur në destinacionin tuaj.

Do të ketë raste kur fëmija juaj do qëndrojë i/e qetë ose do dëshirojë të përfshihet në diçka më pak aktive si leximi dhe tregimi, këndimi ose loja me puzzles, e kështu me radhë. Aktivitetet e qeta dhe jo-produktive janë gjithashtu të rëndësishme.

Por nëse mendoni se fëmija juaj ka qëndruar më shumë seç duhet ulur, ju mund të inkurajoni atë që të ngrihet dhe të lëvizë. Për shembull, një kërcim në dhomë me familjen, disa hedhje ose një kërcim në trampoline mund të ndihmojnë këtë periudhë të qëndrimit ulur.

Gjetja e hapësirave për aktivitet fizik

Ndonjëherë mjedisi rreth shtëpisë tuaj mund ta bëjë aktivitetin fizik më sfidues.

Për shembull, ju nuk keni mjaftueshëm hapësirë që fëmijët të luajnë në shtëpi. Shumë prindër gjithashtu shqetësohen për sigurinë e lagjeve të tyre, kështu që fëmijët nuk kalojnë shumë kohë duke luajtur së bashku në rrugë ose në parqe. Dhe disa periferi nuk kanë shkolla dhe dyqane afër shtëpisë.

Për të kapërcyer disa nga këto pengesa ju mund të:

  • merrni fëmijën tuaj në një park, fushë sportive, plazh, shtëpi të mikut ose një anëtari të familjes, bibliotekë, shkollë, qendër komunitare ose vend tjetër me hapësirë për të luajtur.
  • bisedoni me fqinjët që kanë fëmijë të vegjël rreth mundësisë për të ndarë midis jush mbikëqyrjen e fëmijëve gjatë lojës në mjedisin jashtë.
  • parkoni makinën apo të zbrisni nga autobusi pak më herët sesa destinacioni juaj, që të ecni pjesën tjetër të rrugës me fëmijën tuaj.

Rregullimi i orareve të ngarkuara në familje

Oraret e ngarkuara familjare gjithashtu mund të ndikojnë në gjetjen e kohës për të qenë fizikisht aktiv me fëmijët.

Për të kapërcyer këtë pengesë, ju mund të:

  • rregulloni orarin tuaj që të shoqëroni fëmijën tuaj për në kopësht ose shkollë, një ose dy ditë gjatë javës.
  • të krijoni kohë për aktivitete fizike me fëmijët tuaj gjatë kohës që nuk jeni duke punuar, si për shembull një lojë me top në park.

Ju gjithashtu mund të bisedoni me prindër ose njerëz të tjerë në komunitetin tuaj për të ndihmuar njëri-tjetrin. Për shembull, ju mund të koordinoheni për të mbikëqyrur një grup fëmijësh që luajnë në mënyrë aktive jashtë ose për ti shoqëruar në kopësht apo shkollë në ditë të ndryshme.

Balancimi i kohës përpara ekranit

Koha e dedikuar mjeteve teknologjike apo ekranit të televizorit është një pjesë normale e jetës për shumicën e fëmijëve, por ndonjëherë kjo bën që fëmijët të qëndrojnë ulur për periudha të gjata.

Tashmë bëhet fjalë për ruajtjen e ekuilibrit. Koha përpara ekranit mund të zëvendësohet me një jetese të shëndetshme ku fëmijët bëjnë shumë aktivitete të tjera, si aktiviteti fizik, leximi, loja krijuese dhe koha sociale me familjen dhe miqtë.

Këto shtatë këshilla mund t'ju ndihmojnë të balanconi kohën para ekranit për fëmijët e vegjël, ato në moshën parashkollore dhe fëmijët më të rritur:

  • Krijoni rregulla rreth kohës së kushtuar mjeteve teknologjike.
  • Synoni periudha të shkurtra dedikuar kohës para ekranit.
  • Nxisni fëmijën tuaj për të lëvizur, sidomos jashtë.
  • Inkurajoni fëmijën tuaj të imagjinoni dhe të krijoni.
  • Inkurajoni lojën dhe krijimin e miqësive me të tjerët.
  • Shmangni kohën e dedikuar ekranit apo mjeteve teknologjike përpara se fëmija të flejë.
  • Mos mbani mjete teknologjike dhe televizor në dhomën e gjumit.

Edhe kur fëmija juaj kalon kohë para ekranit, përse nuk e përdorni këtë hapësirë për të stimuluar fëmijën tuaj që të lëvizë? Për shembull, mund të provoni gjëra të tilla si:

  • planifikoni një shëtitje me fëmijën tuaj duke përdorur një hartë dixhitale.
  • realizoni video fëmijës suaj ndërsa mëson një aftësi të re si për shembull duke lozur me litar. Më pas mund t'i ri-shikoni pamjet në mënyrë që fëmija juaj mund të shohë veten ndërsa mëson.
  • duke zgjedhur video me lojëra kërcimi ose lojëra elektronike simuluese për fëmijën tuaj.
Udhëzimet aktuale kombëtare dhe ndërkombëtare rekomandojnë që fëmijët nën moshën dy vjeç të mos qëndrojnë përpara ekranit apo mjeteve teknologjike, përveç ndonjë rasti të veçantë që mund të bëni biseda online.