2 Muaj – Përshtatja e ndërsjelltë dhe krijimi i rutinës

Nëse do të mund t’ju thosha. . . . "Sa herë kam nevojë për diçka, ti  je aty për mua. Kur jam e uritur ose e etur, kur dua të të shoh, kur dua të më mbash në krahë ose kur jam e përgjumur, ti disi e kupton atë. Ndonjëherë unë thjesht filloj të qaj ose lëshoj tinguj dhe ja ku je. Kjo do të thotë shumë për mua. Kur flet me mua, më vjen të të them edhe unë diçka. I gjithë trupi im mbushet me gëzim. Më pëlqen t’i shikoj fytyrat dhe gjërat përreth unë, dhe duart e mia janë të mahnitshme. Është botë interesante, por nganjëherë ngazëllimi është i tepërt. Prandaj, kam nevojë edhe për çaste të qeta për të pushuar dhe për të fjetur. Por unë ndihem e sigurt sepse ti je këtu".

Zhvillimi i fëmijës gjatë muajit të 2-të

 

Të komunikuarit.

Çfarë kemi të re?

Gjëja e parë që mund ta vini re gjatë kësaj periudhe është që fëmija juaj qan më shumë sesa në ditët e para pas lindjes. Kjo gjë është e pritshme gjatë muajit të dytë të zhvillimit dhe do të vazhdojë gjatë muajit të tretë. Në të vërtetë nënkupton që fëmija juaj po mëson të komunikojë me ju. Të qarat e saj janë më të dallueshme tani – e qarë ndryshe për ta treguar urinë, parehatinë ose lodhjen e saj. Gjithashtu do të vini re se ajo bën tinguj gugatje ("ooh" ose "aah") dhe gurgullon.

Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?

Do t’i duhet pak kohë që të sigurohet se e kuptoni mënyrën e komunikimit, prandaj është e rëndësishme t’i përgjigjeni të qarës së fëmijës suaj çdo herë. Flisni me fëmijën tuaj qartë dhe ngadalë kur fëmija juaj lëshon tingull, shprehni gëzim me shprehjet e fytyrës dhe zërin tuaj dhe përsëritni tingujt e saj.

 

Ndjenjat.

Çfarë kemi të re?

Fëmija juaj ka zhvilluar një marrëdhënie me ju dhe ju njeh - kryesisht nga aroma dhe zëri. Ajo përpiqet të ju kërkojë juve dhe njerëzit e tjerë të veçantë. Gjatë kësaj periudhe, ajo tashmë mund t'ju përgjigjet me buzëqeshjen e saj të parë - një moment magjik.

Ajo në përgjithësi do të bëhet më e ndjeshme ndaj tingujve gjatë muajit të dytë - jo vetëm që do t'ju njohë kur i flisni, por gjithashtu do t'i përgjigjet zërit tuaj duke e kërkuar fytyrën tuaj kur flisni me të. Sigurisht që ajo ka nevojë për rehatinë që ju i ofroni, por ajo bëhet e aftë ta qetësojë veten, për shembull duke e futur grushtin në gojë.

Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?

Kurdoherë që i përgjigjeni duke ia përmbushur nevojën fëmijës tuaj - duke e ushqyer atë, duke i ndërruar pelenat ose duke komunikuar me të përmes zërit dhe prekjes - ajo do të ndihet rehat dhe e sigurt. Gjithmonë qetësojeni fëmijën tuaj duke i folur me zë të butë, duke e prekur butë, duke e tundur ose duke i kënduar. Fëmijës suaj i pëlqen të jetë pranë jush. Asaj i pëlqen të shikojë përreth dhe të dëgjojë. Tundeni atë, këndojini dhe bisedoni me të, përdorni të folurit si fëmijë dhe luani shpesh me të. Kushtojini vëmendje asaj që e kënaq dhe e qetëson atë. Ndihmojeni të mësohet ta qetësojë veten - është mirë që ajo t’i thithë gishtat e vet.

 

Të menduarit.

Çfarë kemi të re?

Ajo po mëson shumë përmes syve të saj - për shembull, ajo ndjek objekte interesante me sytë e saj. Ajo është kureshtar për fytyrat që sheh, të cilat janë një burim tjetër i informacionit të ri për fëmijën tuaj. Ajo fillon të bëhet e mërzitshëme dhe e bezdisshëme nëse aktiviteti nuk ndryshon, ose e mbistimuluar nëse ka shumë ndryshime.

Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?

Përderisa fëmija juaj është i shtrirë në bark, ju mund ta vendosni një lodër me ngjyra të ndezura para saj dhe ta lëvizni atë nga njëra anë në tjetrën. Nëse fëmija juaj shfaq pakënaqësi, kthen kokën anash ose qan gjatë lojës, kjo mund të jetë shenjë e stimulimit të tepruar. Duhet ta ngadalësoni lojën pak ose të bëni pak pushim. Sidoqoftë, mund gjithashtu të vëzhgoni nëse ajo mbase është mërzitur paksa dhe do t’i pëlqente një aktivitet i ri ose thjesht të bartet në një pjesë tjetër të dhomës. Ju e njihni fëmijën tuaj më së miri! Mund t’i jepni fëmijës tuaj gjëra të ndryshme të cilat ajo mund t’i shikojë, prekë dhe mbajë në dorë. Kur ajo është i shtrirë në shpinë, mbajeni ndonjë lodër ose rraketake mbi kokën e saj, në nivel të syve, dhe inkurajojeni që ta kapë atë. Për të, ky është një problem i ri dhe interesant për ta zgjidhur.

 

Të lëvizurit.

Çfarë kemi të re?

Deri në fund të muajit të dytë, aftësitë motorike të fëmijës tuaj bëhen gjithnjë e më të mira. Fëmijët zhvillohen në afate të ndryshme kohore, por gjatë kësaj periudhe, ajo me gjasë do të jetë në gjendje ta ngrejë kokën dhe ta lëvizë nga njëra anë në tjetrën kur ajo është shtrirë në bark. Lëvizjet e saj të krahëve dhe të këmbëve janë më të rregullta dhe më të koordinuara sesa kur ishte e porsalindur. Është interesante për të ta zbulojë trupin e vet, kështu që duart dhe gishtat e saj do të jenë ndoshta gjëja më argëtuese për të në këtë periudhë. Për shembull, ajo do t’i eksplorojë duart e saj duke i shikuar ato, duke i bashkuar dhe ndarë ato, dhe me ndihmën tuaj, ajo do të jetë në gjendje ta mbajë një objekt në duar.

Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?

Shtrijeni fëmijën tuaj në bark sa është e zgjuar dhe vendosni objekte interesante dhe të sigurta pranë saj. Ledhatojeni dhe masazhojeni fëmijën tuaj – kështu ju e nxisni zhvillimin e saj motorik. Në të njëjtën kohë, do të krijoni lidhje me të dhe do të jeni në gjendje ta qetësoni nëse është e mërzitur.

Për të gjetur më shumë mënyra të tjera se si ta mbështesni zhvillimin e fëmijës përmes lojës, shkoni tek seksioni Të Luajmë së Bashku.

 

Shqetësimet e prindërve për zhvillimin gjatë muajit të 2-të

Meqenëse secili fëmijë zhvillohet në mënyrën e vet të veçantë, është e pamundur të parashikohet saktësisht se kur ose si fëmija juaj do ta përsosë një aftësi të caktuar. Aftësitë (gurët kilometrik zhvillimor) e pritshme dhe të listuara për këtë periudhë ju japin vetëm një ide të përgjithshme për ndryshimet që mund t’i prisni teksa fëmija juaj rritet. Ju lutemi mos u shqetësoni nëse zhvillimi i saj ndjek një rrugë pak më ndryshe.

Sidoqoftë, për t’u siguruar, flisni me pediatrin tuaj [ose me ndonjë ofrues tjetër të kujdesit shëndetësor] nëse fëmija juaj shfaq ndonjë nga shenjat e mëposhtme të zhvillimit të vonuar të mundshëm, nëse fëmija juaj duket se ka humbur disa nga aftësitë që kishte në një moshë më të hershme, ose nëse keni arsye të tjera për tu shqetësuar:

  • fëmija shpesh qan shumë dhe, zakonisht, nuk jeni në gjendje ta qetësoni atë
  • nuk i vështron fytyrat madje as për një kohë të shkurtër
  • nuk reagon ndaj dritës ose tingujve të lartë
  • nuk ushqehet ose fle mirë (ose fle më shumë se 16 orë në ditë)
  • nuk lëviz aspak krahët ose këmbët
  • nuk i fut duart në gojë
  • nuk u buzëqesh njerëzve.
References and comments

Reference:

https://raisingchildren.net.au/newborns/development/development-tracker/1-2-months

Laura E. Berk (2006), Child development (7ht edition), Allyn & Bacon

Dr sci Nirvana Pištoljević (2016), Rani razvoj deteta: šta treba znati, Udruženje pedijatara Srbije, Beograd.