5-6 muaj - Eksplorim intensiv
Zhvillimi i fëmijës në periudhën nga muaji i 5-të deri në muajin e 6-të
Të komunikuarit
Çfarë kemi të re?
Gjatë këtyre muajve, do të vëreni se fëmija juaj po komunikon me ju më intensivisht. Do ta dëgjoni duke dërdëllitur, gugatur dhe lëshuar tinguj - më shpesh tinguj zanoresh si "aaaa" dhe "eeee" .... Por tani ajo ndoshta do të jetë në gjendje të lëshojë tinguj që u ngjajnë fjalëve (ba-ba, ga-ga). Shumë shpesh kjo do të vjen si përgjigje ndaj diçkaje që i thoni. Fëmija juaj gjithashtu mund të përpiqet t’i imitojë tingujt që ju i lëshoni, si dhe shprehjet që sheh në fytyrën tuaj. Në fund, gjatë kësaj kohe, ajo ndoshta do të mësojë t’i njohë dhe t'u përgjigjet disa fjalëve, siç është emri i saj ose fjala "jo".
Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Ka aq shumë për të bërë në rutinat tuaja të përditshme. Inkurajoni komunikimin me fëmijën tuaj duke e shikuar në sy teksa bisedoni me të ose teksa e dëgjoni atë duke "biseduar" me ju. Inkurajojeni atë me një buzëqeshje ose duke i përsëritur tingujt që ajo lëshon, për ta bërë bisedën mes jush të zgjasë sa më shumë.
Flisni me fëmijën tuaj çdo ditë. Inkurajoni komunikimin në shumë mënyra - këndojini, shikoni bashkë fotografitë në revista, bëni me gisht kah gjërat në vitrina dhe përshkruani ato, lexojini me zë të lartë libra të thjeshtë ose tregojini përralla dhe bëni tinguj interesantë (macja bën "mjau", lopa bën "muuuu"!). Kur fëmija juaj shikon diçka, flisni për atë që sheh. Tregojini gjëra fëmijës tuaj teksa përgatiteni për të ushqyerit me gji ose teksa përgatitni shujtën ("Tash, po të sjell fruta"); në këtë mënyrë ajo do të mësojë të presë pak dhe të jetë e durueshëm. Fjalët ndihmojnë në shumë mënyra!
Ndjenjat.
Çfarë kemi të re?
Në këtë periudhë, shumica e fëmijëve fillojnë t’i njohin persona e afërt, të tillë si prindërit, anëtarë të tjerë të familjes së ngushtë dhe kujdestarët e njohur, dhe kënaqen kur bashkëveprojnë me ta. Fëmija juaj po mëson të mbështetet te këta njerëz të veçantë për rehati dhe ndihmë. Ajo e di se kush është i njohur dhe kush është i huaj - ajo madje mund të shfaqë frikë nga njerëzit e rinj. Fëmija juaj do të jetë në gjendje t’i përdorë tingujt për t’i shprehur qartë ndjenjat. Ajo e tregon gëzimin dhe lumturinë e saj duke ngritur zërin ose duke lëshuar tinguj të tjerë gazmorë. Ajo është gjithashtu në gjendje të shprehë pakënaqësi, zemërim ose indinjatë të intensifikuar, përmes tingujve.
Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Fëmija juaj ka nevojë për mbështetjen tuaj emocionale. Prandaj, është e rëndësishme që ju t’i gjendeni pranë, veçanërisht kur ka të huaj përreth. Qëndroni afër saj, mbajeni në krahë, buzëqeshini dhe bisedoni me të me zë qetësues, teksa e prezantoni me njerëz të rinj. Në atë mënyrë, ajo do të ndihet e sigurt për të krijuar kontakte të reja. Interpretoni gjendjet emocionale të fëmijës tuaj. Kur ajo të jetë e lumtur, vazhdoni me aktivitetin. Nëse është e mërzitur, bëni pak pushim dhe ngushëllojeni.
Të menduarit.
Çfarë kemi të re?
Eksplorimi i saj intensiv e ndihmon atë t’i zhvillojë aftësitë e saj të të menduarit. Ajo i shikon objektet me kureshtje dhe ngjarjet në mjedisin e saj. Nëse ka diçka që nuk e arrin dot, ajo përpiqet ta kapë atë në mënyrë që të mund të eksplorojë edhe më shumë. Ajo me gjasë ka filluar t’i lëvizë gjërat nga njëra dorë në tjetrën si dhe t’i eksplorojë objektet me gojën e saj.
Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Fëmija juaj do të gjejë shumë mënyra për të eksploruar vetë, por ju mund t’i tregoni mënyra të ndryshme interesante për t’i përdorur lodrat ose objektet e tjera: duke i lëvizur ato nga njëra dorë në tjetrën, duke i tundur, përplasur, shtyrë dhe hedhur. Jini të vëmendshëm për sigurinë, veçanërisht kur fëmija juaj është duke eksploruar me gojën e saj. Ju mund të provoni edhe lojëra aktive para pasqyrës për këndvështrime të reja!
Kur i bie diçka nga dora, merreni atë dhe kthejani asaj. Kjo e ndihmon atë të mësojë rreth shkakut dhe pasojës ("nëse e bëj këtë, kjo ndodh”), dhe se si të mendojë për hapësirën përreth saj.
Të lëvizurit.
Çfarë kemi të re?
Në këtë periudhë, fëmija juaj, me gjasë, do të jetë në gjendje të ngrejë dhe mbajë kokën vetëm. Ajo do të mund të qëndrojë ulur për ca kohë teksa ju e mbështesni, apo ndoshta edhe vetë. Ajo do të rrokulliset nga njëra anë në tjetrën. E gjithë kjo i jep fëmijës tuaj një perspektivë krejt të re në botë - tani ajo mund të shohë gjëra që nuk mund t'i shihte teksa ishte shtrirë në shpinë. Meqenëse ajo tani mund ta ndryshojë pozicionin, ajo interesohet dhe bëhet kureshtare gjithnjë e më shumë për gjërat rreth saj. Ajo shikon me kujdes objektet që e rrethojnë, duke i ndjekur nga afër me sy nëse ato objekte lëvizin. Gjatë kësaj periudhe, ajo gjithashtu do ta zhvillojë aftësinë e kapjes së objekteve, dhe sapo t'i kapë ato, ajo do të kënaqet duke i eksploruar ato duke i futur në gojë ose duke i kaluar nga njëra dorë në tjetrën.
Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Luani në dysheme me fëmijën tuaj çdo ditë. Çdo ditë, gjatë rutinave tuaja të rregullta, jepini fëmijës tuaj shumë mundësi për ta eksploruar mjedisin dhe objektet interesante përreth saj. Lëreni ta shohë mjedisin në mënyra të ndryshme duke e vendosur në pozicione të ndryshme. Mund ta vendosni objektin e preferuar të fëmijës suaj pak më larg sesa që mundet ta arrij dhe mund ta inkurajoni që të shkojë tek ai objekt. Mendoni se cilat objekte, të cilat janë të sigurta dhe të thjeshta, mund t’i eksplorojë. Çfarë mund të kapë, prekë dhe rrotullojë ajo? E gjithë kjo zhvillon aftësitë e saj të lëvizjes dhe hapë mundësi të reja për ta eksploruar botën.
Për të gjetur më shumë mënyra të tjera se si ta mbështesni zhvillimin e fëmijës përmes lojës, shkoni tek sesioni Të Luajmë së Bashku.
Shqetësimet e prindërve për zhvillimin në periudhën nga muaji i 5-të deri në muajin e 6-të
Meqenëse secili fëmijë zhvillohet në mënyrën e vet të veçantë, është e pamundur të parashikohet saktësisht se kur ose si fëmija juaj do ta përsosë një aftësi të caktuar. Aftësitë (piketat zhvillimore) e pritshme dhe të listuara për këtë periudhë ju japin vetëm një ide të përgjithshme për ndryshimet që mund t’i prisni teksa fëmija juaj rritet. Ju lutemi mos u shqetësoni nëse zhvillimi i saj ndjek një rrugë pak më ndryshe.
Sidoqoftë, për t’u siguruar, flisni me pediatrin tuaj [ose me ndonjë ofrues tjetër të kujdesit shëndetësor] nëse fëmija juaj shfaq ndonjë nga shenjat e mëposhtme të zhvillimit të vonuar të mundshëm, nëse fëmija juaj duket se ka humbur disa nga aftësitë që kishte në një moshë më të hershme, ose nëse keni arsye të tjera për tu shqetësuar:
- Fëmija juaj rregullisht qan për një kohë të gjatë dhe nuk mund të qetësohet
- nuk ju shikon në sy ose nuk i përcjell me sy objektet në lëvizje
- nuk gugatë ose reagon ndaj një burimi të zërit
- nuk qeshë ose ngrit zërin
- nuk rrotullohet
- nuk mund ta kontrollojë qafën dhe kokën e saj
- nuk mund të ulet as me ndihmën dhe mbështetjen tuaj ose
- nuk përpiqet t’i kapë objektet edhe kur ju e inkurajoni për këtë
- nuk përpiqet t’i kapë gjërat që mundet t’i arrijë
- ka vështirësi t’i fusë gjërat në gojë.
Reference:
https://raisingchildren.net.au/babies/development/development-tracker-3-12-months/5-6-months
https://raisingchildren.net.au/babies/development/development-tracker-3-12-months/6-7-months
Laura E. Berk (2006), Child development (7ht edition), Allyn & Bacon
Dr sci Nirvana Pištoljević (2016), Rani razvoj deteta: šta treba znati, Udruženje pedijatara Srbije, Beograd.