Çfarë është të mësuarit për fëmijë?

Edhe pse të rriturit mund të kenë idenë se të mësuarit do të thotë të fitosh me dashje njohuri të caktuara, nga perspektiva e një fëmije, të mësuarit do të thotë diçka tjetër.
Body

Me shpejtësi të madhe, fëmija mëson që nga dita e parë e jetës dhe që nga lindja, është shumë i/e aftë të mësojë për veten dhe botën për rreth. Është e rëndësishme të njohësh mënyrën se si foshnja mëson: nëpërmjet kërkimit dhe pjesëmarrjes aktive në ngjarje. Përveç kësaj, foshnja eksploron më lehtë kur mbështetet fort, kur ndihet sigurt dhe i/e dashuruar – andaj, lidhja e fortë emocionale me ju është baza kryesore për të mësuarit e foshnjës.

Për të porsalindurin dhe foshnjën, gjithçka në botë është e re - aroma, temperatura, ajri, ngjyrat, tingujt, teksturat, shijet, ashtu si çdo gjë që lidhet me vetë foshnjën është e re - funksione të tilla si frymëmarrja, lëvizja, shikimi, dëgjimi, drejtimi i vëmendjes, kujtesa, fjalimi, të menduarit, synimet, përfundimet.

Derisa foshnja rritet, do të arrin të kuptojë se njerëzit që ka për rreth i ka të afërt në mënyra të ndryshme, se ka modele të caktuara në marrëdhëniet mes njerëzve dhe ngjarjeve: shkaqet, pasojat; do të arrijë të vërejë ndjenjat, mendimet dhe ngjarjet e ndryshme, dhe do të dojë dhe ketë nevojë t’i kuptojë ato. Të gjitha këto gjëra dhe shumë të tjera, kërkojnë që foshnja të përshtatet me to.  Përveç kësaj, foshnja përpiqet ta kontrollojë trupin, mjedisin dhe marrëdhëniet në të cilat  përfshihet.

Për një foshnje, të mësuarit do të thotë të provosh, të eksplorosh, të prekësh, të dëgjosh, të lëvizësh një pjesë të trupit, të shohësh reagimet e të tjerëve, të shtrish dorën, të arrish, të kapësh, të hedhësh, nxjerrje në pah të lidhjes mes gjërave, dukurive… Në këtë kuptim, për një foshnje, të mësuarit është lojë, ndërsa në të njëjtën kohë loja është mënyra më e natyrshme se si foshnja zbulon gjërat.

Është shumë e rëndësishme që, si prindër, të keni parasysh këtë kuptim të të mësuarit. Që në momentin e parë të jetës foshnja shfaqë dëshirën për të zbuluar dhe iniciativën për të mësuar dhe eksploruar në mënyrë aktive. Për t'u lidhur me fëmijën tuaj, është e rëndësishme të kuptoni se si foshnja tregon iniciativë dhe komunikon me mjedisin, të njihni fëmijën, reagimet dhe mënyrën e përshtatjes dhe të mësuarit, nevojat për mbështetje dhe inkurajim.

Shtëpia është "klasa" e parë e fëmijës dhe prindi është mësuesi i parë, duke i ofruar mbështetje dhe inkurajim adekuat që nga dita e pare, do të lehtësoni eksplorimin dhe të mësuarit përmes lojës si dhe ndjenjën e sigurisë te fëmija.