Disleksia
Rreth disleksisë
Disleksia është gjendje e vështirësisë së rëndë në leximin dhe drejtshkrimin e fjalëve. Fëmijët me disleksi kanë probleme me leximin dhe drejtshkrimin edhe nëse kanë pasur mundësi të mësojnë dhe janë përpjekur shumë për të mësuar.
Disleksia është një lloj paaftësie në mësimnxënie – domethënë një vështirësi e rëndë në një fushë të caktuar të mësimnxënies. Nganjëherë quhet edhe çrregullim specifik i mësimnxënies.
Disleksia nuk është problem me inteligjencën. Njerëzit me disleksi janë po aq të zgjuar sa njerëzit e tjerë, por truri i tyre e përpunon gjuhën ndryshe.
Shkaktarët e disleksisë
Nuk dihet se çfarë e shkakton disleksinë. Por e dimë që disleksia priret të shfaqet në familje - mund të jetë një gjendje të cilën njëri ose dy prindërit ua trashëgojnë fëmijëve të tyre përmes gjeneve. Gjenet që transferohen mund të ndikojnë në pjesët e trurit që përfshihen në të folur dhe gjuhë.
Shenjat e disleksisë
Simptomat e disleksisë shpesh vërehen në dy vitet e para të shkollës, zakonisht kur fëmijët fillojnë të mësojnë të lexojnë.
Përpara se fëmijët të fillojnë shkollën, është pak më e vështirë të thuash nëse kanë disleksi. Por ka disa shenja paralajmëruese të hershme tek parashkollorët. Fëmijët parashkollorë mund të kenë disleksi nëse:
- shqiptojnë gabimisht më shumë fjalë sesa fëmijët e tjerë;
- nuk mund të luajnë me tinguj në fjalë - për shembull, kanë vështirësi të rimojnë fjalët ‘cat’, ‘bat’ dhe ‘sat’, se të thonë fjalë që fillojnë me të njëjtin tingull sikurse ‘some silly sandëiches’, “Pula, pata kanë pupla”.
- kanë më shumë probleme sesa bashkëmoshatarët për të përsëritur fjalë dhe fjali të gjata;
- i lidhin shkronjat dhe tingujt ngadalë.
Pasi fëmijët fillojnë shkollën, mund të kenë disleksi nëse:
- kanë vështirësi në tingullin e fjalëve – për shembull, nuk mund ta tingëllojnë fjalën 'cat' si tingujt c-a-t;
- kanë vështirësi t'i bashkojnë tingujt për të krijuar një fjalë - për shembull nuk mund t'i bashkojnë tingujt b-a-t për të tingëlluar fjalën 'bat';
- hamendësojnë dhe mësojnë përmendësh fjalët në vend se të japin tinguj gjatë leximit;
- kanë vështirësi t'i mbajnë në mend fjalët pasi t'i lexojnë dhe/ose shkruajnë shumë herë;
- kanë më shumë probleme në lexim dhe drejtshkrim sesa fëmijët e tjerë të së njëjtës moshë.
Nëse fëmija juaj ka disa nga këto vështirësi, kjo nuk do të thotë automatikisht se ka disleksi.
Nëse mendoni se fëmija mund të ketë vështirësi në mësimnxënie është e rëndësishme ta kontrolloni atë herët. Ndërsa rriten, fëmijët shpesh arrijnë mjaft mirë të mbulojnë problemet në mësimnxënie.
Diagnostikimi i disleksisë
Nëse keni në familje histori me vështirësi në të lexuar ose nëse jeni të shqetësuar se fëmija juaj ka probleme në shkollë, veçanërisht me leximin dhe drejtshkrimin e fjalëve, ka disa hapa që mund të ndërmerrni drejt përcaktimit të një diagnoze.
1. Bisedoni me mësuesin e fëmijës
Hapi i parë është të bisedoni me mësuesin e fëmijës. Mund të bëni pyetje lidhur me mënyrën se si fëmija juaj po përparon me leximin dhe drejtshkrimin. Mund të jetë gjithashtu e vlefshme të flisni me mësuesin për mënyrën se si fëmija juaj po përparon në përgjithësi në lëndët mësimore dhe se si po ndihet për shkollën.
Mësuesi mund t'ju tregoj se si është vlerësuar fëmija në shkollë. Kjo gjë mund t'ju ndihmojë ju dhe mësuesin të shihni nëse ka ndonjë lloj të problemit më të theksuar.
2. Kërkoni vlerësim
Nëse, edhe pasi keni folur me mësuesin e fëmijës ndiheni të shqetësuar, kërkoni nga shkolla nëse munden të organizojnë një vlerësim formal.
Gjithashtu, në këtë pikë mund të përfshihet ndonjë patolog i të folurit dhe/ose psikolog, që ju ndihmojnë për t'i kontrolluar shkaktarët e mundshëm të vështirësive të fëmijës në mësimnxënie. Nëse ka vonesë të gjatë në marrjen e vlerësimit ose vlerësimi nuk mund të bëhet përmes shkollës, rekomandohet privatisht të vizitoni patologun e të folurit dhe/ose logopedin e psikologu.
Mjeku juaj mund t'ju ndihmojë duke ju referuar te ndonjë patolog i të folurit/logoped ose psikolog.
Mbështetje e specializuar për fëmijët me disleksi
Marrja e mbështetjes dhe fillimi i ndërhyrjes mund të ndihmojë shumë fëmijë me disleksi të përmirësojnë aftësitë e tyre të leximit dhe drejtshkrimit.
Fëmija juaj mund të përfitojë nga mbështetje si:
- punë shtesë në grupe të vogla në shkollë;
- mësim privat;
- kohë shtesë për të përfunduar testet;
- softuer kompjuterik i specializuar - për shembull, korrigjues drejtshkrimor, lexues ekrani, parashikim i fjalëve ose njohje e zërit.
Rekomandohet të konsultoheni me profesionist shëndetësor për të kuptuar mundësitë më të mira për fëmijën tuaj.
Fëmijët me disleksi sa më herët që marrin ndihmën e ekspertëve, aq më të mëdha i kanë shanset për arritur përparim të mirë.
Nuk ka asnjë ‘ilaç çudibërës’ për disleksinë. Por ka shumë mënyra të thjeshta, mbështetëse dhe produktive për të ndihmuar fëmijët me vështirësi në mësimnxënie. Rekomandohet të bisedoni me një profesionist për të marrë këshilla të besueshme rreth mundësive që ia vlejnë. Për shembull, mund të flisni me mjekun, pediatrin, psikologun ose mësuesin e fëmijës.
Si të ndihmoni fëmijën me disleksi: gjërat që mund t'i bëni
Ka shumë gjëra që mund t'i bëni për të mbështetur fëmijën:
- Ndihmoni fëmijën të krijojë qëndrueshmëri. Për shembull, shpërblejeni dhe lavdëroni përpjekjet dhe sukseset e fëmijës, qoftë në klasë apo në fusha të tjera si sporti, drama apo muzika.
- Ndihmoni fëmijën të sfidojë mendimet negative dhe të shmangë pengesat. Për shembull, 'Mos lejo që ajo që ndodhi sot t'ju rrëzojë. Mendoni se sa jeni përmirësuar këtë vit. Thjesht mund t'ju duhet pak më shumë kohë dhe praktikë për ta bërë këtë siç duhet'.
- Mbani kontakte të ngushta me mësuesin e fëmijës për të gjetur se çfarë mund të bëni në shtëpi për t'i mbështetur detyrat e shkollës dhe sukseset e tjera të fëmijës.
- Lexojini fëmijës derisa fëmija të ketë mësuar mjaftueshëm aftësi për të lexuar në mënyrë të pavarur.
- Ofroni libra që i përshtaten aftësive të leximit të fëmijës. Zgjidhni libra me modele drejtshkrimore që ka mësuar fëmija dhe shmangni librat me shumë fjalë të vështira.
- Mundohuni ta mësoni fëmijën të shqiptojë tinguj për të bërë fjalë në vend që të mësojë përmendësh mënyrën se si duken ato fjalë.