Efektet anësore të mundshme pas administrimit të vaksinës MMR

Fëmija juaj ka marrë vaksinën MMR, e cila është vaksinë e gjallë e kombinuar, e cila përmban virus të zbutur të fruthit, shytave dhe rubellës. Kjo vaksinë stimulon sistemin imunitar në mbrojtjen e fëmijës tuaj duke krijuar antitrupa (faktorë mbrojtës) të mjaftueshëm të cilët do ta mbrojnë nga këto sëmundje.
Body

Vaksina MMR, si çdo vaksinë tjetër mund të shkaktojë disa efekte anësore  që kryesisht janë të lehta dhe largohen spontanisht.

Efektet anësore të mundshme janë:

  • skuqje në vendin e injektimit;
  • temperaturë e lartë mbi 38 C;
  • dhimbje dhe ënjtje në vendin e injektimit;
  • acarim;
  • humbje e oreksit;
  • teshtitje;
  • ënjtje e gjëndrave të nyejve limfatike në qafë, sqetull dhe ije;
  • ënjtje e gjëndrave parotide (pranë veshit);
  • përgjumje;
  • vjellje dhe diarre;
  • konvulsione febrile (etheve/temperaturë);
  • Te një numër i vogël fëmijësh, mund të ndodhë një “sëmundje e lehtë”, zakonisht nga 5 deri në 12 ditë pas vaksinimit me temperaturë 39 C, skuqje e lëkurës dhe gjëndra limfatike të rritura. Sëmundja është e lehtë, zgjat disa ditë, nuk kërkon trajtim dhe nuk lë pasoja.
  • Reaksionet alergjike ndaj vaksinës MMR në formën e skuqjes së lëkurës të shoqëruar me kruarje janë të rralla, mund të ndodhin tek përbërës të tjerë të vaksinës që mbesin gjatë procesit të prodhimit. Reaksionet e vërteta anafilaktike me ënjtje të fytyrës dhe qafës, skuqje të përgjithshme, çrregullime të frymëmarrjes dhe rënie të presionit të gjakut janë jashtëzakonisht të rralla.

Nëse ndonjë nga efektet anësore bëhet serioz, ose nëse vëreni ndonjë efekt anësor që nuk është shënuar në këtë material, ju lutemi kontaktoni pediatrin.

Vaksina MMR nuk shkakton Autizëm!

Fëmijët të cilët kanë marrë vaksinën MMR nuk janë më të rrezikuar nga autizmi, krahasuar me fëmijët që nuk e kanë marrë atë, siç dëshmohet nga studime të shumta, si: në Danimarkë ku janë përfshirë 657,461 fëmijë përgjatë viteve 1999 – 2010, si dhe në Australi në të cilin janë përfshirë 1,256,407 fëmijë në vitin 2014 dhe të tjerë.

Këto studime kanë konfirmuar se vaksina MMR dhe komponentët e saj (thimerosali - merkuri) nuk rrit rrezikun dhe nuk tregon asnjë lidhshmëri me zhvillimin e autizmit.